Nëntor 13, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kulla e Sahatit të Tiranës ngjyroset me blu në 70 vjetorin e themelimit të OKB

Kulla e Sahatit të Tiranës ngjyroset me blu në 70 vjetorin e themelimit të OKB

Kulla e Sahatit në Tiranë mbrëmjen e sotme është ndriçuar me ngjyrë blu, ngjyra zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Bashkia e Tiranës i është bashkuar fushatës botërore për të përkujtuar Ditën e Kombeve të Bashkuara dhe 70 vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka marrë shumë seriozisht të gjithë objektivat globale, sociale të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, një nga 17 objektivat ka të bëjë me qytetet e qëndrueshme dhe kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës e konsideron si të rëndësishme një qytet të qëndrueshëm.

Veliaj: “Që në muajin e parë filluam punën tonë për të rregulluar çerdhet, sepse ne nuk besojmë se duhet të fillojmë nga puna për të mbrojtur më të fortët, por duhet të fillojmë nga puna për të mbrojtur, mbështetur ata që janë më të dobëtit, ata që ndoshta nuk janë në televizor çdo ditë, që ndoshta nuk kanë mundësi financiare, dhe më të vegjlit që kanë nevojë për ndihmë në qytetin tonë janë ata që shkojnë në çerdhe”.

Ai theksoi se në çdo vendim që bashkia ka marrë, është bazuar nga këto parime të OKB, mbi çfarë duhet të jetë prioritet për qytetin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se ka nisur diskutimet me UNICEF, UNDP apo agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara që kanë qëllim se si Tirana mund të jetë një qytet më i qëndrueshëm.

Veliaj: “Kjo është arsyeja se pse në muajin tonë të parë kemi pasur dy ditë pa makina dhe më vjen mirë që ata që janë gëzuar më shumë nga ditët pa makina kanë qenë fëmijët, të cilët kuptojnë se qyteti është gjithashtu i tyre”.

Më tej, Veliaj tha se ndihet krenar që është i vetmi kryetar bashkie që drejton një qytet ku në Këshillin Bashkiak ka më shumë gra e vajza se sa burra e djem.

Veliaj: “Më vjen mirë që në këtë nismë na është bashkuar edhe Posta Shqiptare. Simboli që ju shihni në sfond është simboli me të cilin Posta Shqiptare ka emetuar sot pullën përkujtimore të 70 vjetorit të OKB”.

Kulla e Sahatit në Tiranë është një nga 150 monumentet identifikuese, ndërtesat, muzetë, urat dhe objektet e tjera të veçanta në mbi 45 vende të tjera anembanë botës që do të ndriçohen me ngjyrë blu.

Vendet më të famshme të botës, nga Salla e Operës në Sidnej të Australisë deri te Piramidat e Mëdha të Gizës në Egjipt, nga statuja “Krishti shpëtimtar” në Rio de Zhaneiro te ndërtesa “Empire State” në Nju Jork, do të ndriçohen me ngjyrë blu.

Ndërmjet shumë të tjerëve, pjesëmarrës të tjerë të spikatur në këtë nismë janë muzeu “Hermitage” në Rusi, qyteti antik i Petras në Jordani, Kulla e Pizës në Itali, Kështjella e Edinburgut dhe Ëestminister Hall në Mbretërinë e Bashkuar, Mali i Sheshtë (Table Mountain) në Afrikën e Jugut, kulla SkyTree në Japoni dhe Alhambra në Spanjë.

“U jam shumë mirënjohës shteteve tona anëtarë që po tregojnë një entuziazëm kaq të lartë për të shënuar 70 vitet e punës së OKB-së për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Ban Ki-moon.

“Duke e ndriçuar botën me blunë e OKB-së për një ditë, ne mund të ndriçojmë rrugën për një të nesërme më të mirë”.

About The Author

Related posts