Qershor 19, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Ben Blushi: Kush i solli kriminelët në Parlament?

Ben Blushi: Kush i solli kriminelët në Parlament?

KMA NEWS/ Fjalimi i mbajtur sot në Parlament

Nga Ben Blushi

Do doja të që ky votim për dekriminalizimin e parlamentit të Shqipërisë, të mos kishte ndodhur. Nëse këtu nuk do ishin futur njerëz me të shkuar kriminale sigurisht, që ky ligj do ishte i panevojshme dhe sot do ishim duke folur për ekonominë ose për arsimin. Për fat të keq sot jemi parlamenti me i shëmtuar në Europë, i cili vete merr përsipër të pranojë se ka kriminele këtu brenda dhe nëse nuk do ishte për presionin ndërkombëtar ndoshta ky ligj nuk do kishte ardhur as sot dhe as mot. Çështja këtu është pse ka banditë dhe njerëz të papërshtatshëm në këtë kuvend? A fituan ata vota në mënyrë të pavarur?

A i dhanë ata shqiptarëve një model qeverisje të pakonkurrueshëm dhe të pavarur?

A luftuan ata me bandat dhe me krimin duke u kthyer në heronj të ligjit?

A kanë propozuar ata ulje taksash, çmime më të lira, konkurrencë të ndershme dhe drejtësi të pavarur? Sikur të gjitha këto të ishin të vërteta, do ishte shumë bukur, por këto nuk kanë ndodhur. Banditët ia ulën kokën këtij kuvendi dhe sot është dita për të kërkuar ndjesë sepse pranuam të bashkëjetojmë me ta. Por njerëzit më të shkuar kriminale këtu nuk erdhën me votat e tyre. Ata iu imponuan Shqipërisë me forcë duke u futur në listat e partive tona. Kjo damkë nuk do ti ndahet këtij kuvendi ndoshta për disa dekada dhe nuk më vjen fare keq të them se këtu përgjegjësia nuk është kolektive, por është vetëm personale. Është e atyre qe i sollën këtu duke i trafikuar, duke i korrektuar, duke i zbukuruar dhe duke i parfurmosur për ta kthyer shëmtinë në normë. Mirëpo dëmi që i është bërë këtij parlamenti është shumë i vogël në krahasim me dëmin që i është bërë shoqërisë. Çështja është se duke u bërë deputete, kryetare bashkishë, këshilltare apo funksionare publike banditët janë kthyer në model. Të jesh i fortë dhe i paprekshëm është kthyer në modë. Kjo mode rrezikon të infektojë, shoqërinë tonë dhe kryesisht të rinjtë.

Çfarë i themi në të rinjve të Shqipërisë, duke zgjedhur në poste publike njerëz të paarsimuar, të cilët rrugën e jetës së tyre e kanë çarë duke shkelur ligjet shqiptare apo ndërkombëtare? Ja çfarë i themi: Mos përdorni mendjen por muskujt. Mos mësoni, por thyeni ligjin, shisni njerëz, trafikoni, vrisni, rrëmbeni, mos kini respekt për shtetin, për shoqërinë, merruni me drogë sepse kjo është mënyra më e mirë, më e shpejtë dhe me efikase për të jetuar mirë, për tu pasuruar dhe madje edhe për të përfaqësuar shoqërinë tuaj dhe qytetet tuaja në parlament. Çfarë duhet të bëjë sot një fëmijë në province në qytet apo në fshat i cili sheh se, pasi ka mësuar për shumë vjet. Parakalohet nga një fëmijë që nuk mëson, por në të kundërt mësohet të dhunojë ligjin dhe të tjerët rreth tij?

Ne i themi, vazhdo sepse rruga jote drejt suksesit kalon nga dhuna dhe mungesa e respektit për ligjin. Ne pra nuk kemi ndotur vetëm parlamentin por ne kemi bërë me shumë se kaq; kemi degraduar sistemin arsimor, kemi ndryshuar shkallën e meritës, kemi hedhur në erë diplomat dhe karrierën e ndershme, kemi ndërtuar një klase mbi të gjitha klasat dhe kjo është klasa e atyre që dhunojnë. Kjo është klasa e paprekshmeve. Ne e kthyem dallimin mes klasave sepse i dhamë, Shqipërisë një klase të re: klasën e dhunuesve.

Një parti, një qeveri një grup politik mund ti ketë mundësitë të kufizuara, çka edhe ndodh siç po ndodh sot. Ekonomia është në vështirësi. Nuk ka shumë para për shkolla, për rrugë, për punësim për shëndetësi dhe deri diku ky është një kufizim i kuptueshëm dhe i zakonshëm në rendin që jetojmë. Por nga ana tjetër, megjithëse i ka mundësitë financiare të kufizuara, qeveria, partitë dhe grupet politike kanë një mision edhe më të madh; ato kanë rol edukativ mbi shoqëritë. Dhe të luash rol pedagogjik, të ndërtosh një model që ndan të mirën nga e keqja, drejtësinë nga padrejtësia, ligjin nga dhënësit, kjo nuk kërkon para. Kjo është gratis. Nuk ka kosto financiare por ka vetëm një kosto që është me shtrenjtë nga të gjitha kostot. Është kosto morale. Në rastin tone, ne treguam se nuk e kemi. Ne e shkelëm moralin dhe e përbaltëm shoqërinë tonë. Megjithatë, unë mendoj se ky ligj do vazhdojë të jetë i paplotë dhe i pazbatueshëm, për sa kohë që burimet e kësaj shëmtie nuk kanë shanse të ndryshojnë. Është njëlloj si të pretendosh, se një lum do të jetë i pastër kur përrenjtë që e furnizojnë atë, janë të ndotur. Lumi do vazhdojë të jete pis për sa kohë që përrenjtë nuk pastrohen. Por kush janë burimet e këtij lumi? Kush janë furnizuesit e këtij parlamenti? Nuk është shoqëria. Nuk është Shqipëria. Janë partitë tona.

Për sa kohë që partitë që përbejnë këtë parlament nuk janë demokratike, nuk respektojnë votat e anëtarësisë së tyre, janë të mbushura me parregullsi dhe padrejtësi, sërish këtu do të vijnë të fortët dhe të papërshtatshmit. Partitë që përbejnë këtë kuvend sot nuk janë aspak demokratike. Ato janë zyra pune. Aty nuk votohet, aty nuk zgjidhesh, aty nuk ka rregulla aty vetëm emërohesh. Nëse ke para hyn, nëse je i varfër del, nëse nuk mëson të japin punë, nëse punon të nxjerrin nga puna, nëse ke dhunuar fiton, nëse ke nder humb, nëse rrëmben votat e një fshati je nderuar, nëse rreh ata që mendojnë ndryshe nga ty mund të marrësh mirënjohje dhe respekt të paparë. Kjo është e vërteta. Unë vetë jam pjesë e një partie të tillë që prej tre vitesh, as nuk zgjedh as nuk zgjidhet, as nuk voton dhe nuk zbaton asnjë rregull që ka caktuar vetë. Filtri i përfaqësuesve të popullit, që kalon nga partitë, është deformuar saqë ato sot nuk duken më si parti, pra grumbullime vullnetare njerëzish të disiplinuar rreth një rregulli dhe një programi, por si ndërmarrje.

Kur partitë fitojnë zgjedhjet, ndërmrrja është me fitim kur ato i humbin ndërmarrja pret zgjedhjet e ardhshme, që të rrisë fitimet. Kështu janë sot partitë e mëdha dhe partitë e vogla. Ato nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra nga programet, por nga fitimet. Konkurrenca i ka shtyrë të thërresin nën armë ata që kanë më shumë para dhe aftësi për të bërë para jashtë ligjit. Kjo është arsyeja, që në këtë parlament nuk ka mësues por nxënësit të këqij në këtë parlament ka më shumë armë se libra, këtu nuk ka ekonomistë por spekulante, nuk ka juriste por ish-të burgosur, nuk ka inxhinierë por ndërtues pa leje. Kjo do të vazhdojë për sa kohë që partitë tona nuk do ndryshojnë. Për fat të keq unë jam skeptik. Partitë tona e kanë marrë Shqipërinë peng duke e krimininalizuar, atë padrejtësisht. Dhe kjo është arsyeja që drejtësia pengohet sepse drejtësia mund të ndryshojë partitë dhe parlamentin. Ka shumë njerëz këtu që rrudhin buzët, duke më dëgjuar. Unë i mirëkuptoj sepse prej vitesh e kam të qartë ndryshimin mes xixëllonjës dhe dritës. Ka disa deputetë, që pa pikën e drojës dhe arsyes, mbrojnë atë që ka ndodhur në ketë parlament me argumentin se ne i ftuam banditët, se bëme aleancë me ta për shkak se duhet të luftonim një bande me të madhe, që ishte në pushtet bandën e shtetit. Unë e përçmoj këtë argument, që jo vetëm nuk është bindës, por është racist.

Të thuash se u bëra pale me krimin për të luftuar krimin e palës kundërshtare, është cinike e dobët dhe e padrejtë. Në rastin më të mirë kjo do të thotë të jesh si pala tjetër. Ndërsa në rastin me të keq do të thotë të mos kesh besim, se shqiptarët kanë aftësi të rrëzojnë një regjim të inkriminuar pa ndihmën e krimit. Asnjë popull në Europë, asnjë parti pas luftës së Dytë Botërore, nuk e ka bërë këtë. Përkundrazi demokratët dhe socialistët, të majtët dhe të djathtët në Evropë e kanë konsideruar njëkohësisht krimin pa parti dhe drejtësinë pa parti dhe prandaj e kanë vënë në rend dhe në ekuilibër konstant demokracinë e tyre. Ne dështuam ta bëjmë këtë dhe për fat të keq jemi duke dështuar me sukses. Dhe që ti jap një përgjigje gjithë xixëllonjave, që shkëlqejnë në ballin e partisë dua tu them diçka: Ndryshimi mes dritës dhe xixëllonjës është ky: Xixëllonjat i ndihmojnë fëmijët të gjejnë derën e banjës në errësirë, kurse drita i ndihmon popujt të mundin errësirën. Kjo është e gjitha. E votoj këtë ligj për dekriminalizimi pa besim se krimi politik do ndëshkohet dhe se xixëllonjat nuk do vazhdojnë të zëvendësojnë dritën.

About The Author

Related posts