Gusht 17, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Besnik Mustafaj bën bilancin 25 vjet pas rënies së komunizmit: “Ne dështuam si elitë”

Besnik Mustafaj bën bilancin 25 vjet pas rënies së komunizmit: “Ne dështuam si elitë”

KMA NEWS/ Në përvjetorin e 25 të renies se komunizmit shkrimtari dhe një nga themeluesit e opozitës së parë Besnik Mustafaj ka tentuar të bëjë nje radiografi të brezit të tij në këto vite. Në një interviste per Shekulli ai shkruan: “Demokratizimi i jetës në vend do të ishte natyrshëm një objektiv prioritar i demokratëve, të cilët u shndërruan në një forcë të fuqishme parlamentare vetëm tre muaj pas themelimit të partisë së tyre. Por dekomunistizimi ishte nevojë jetike e të gjithë shoqërisë, në mënyrë që kjo shoqëri të shkëputej nga e kaluara, për të përqafuar mentalitetin e ri që sjell era e lirisë. Si i tillë, dekomunistizimi do të duhej të ishte objektiv prioritar edhe për të majtën ish-komuniste, e cila tashmë ishte konvertuar në socialiste dhe paraqitej në parlament me një program përgjithësisht social-demokrat. Ne demokratët kishim një pasqyrim lidhur me dekomunistizimin, që nuk përputhej me pasqyrimin që kishin socialistët. Por ekzistonin premisat programore që ne të merreshim vesh me kundërshtarët tanë për të përcaktuar termat përpara se të ndërmerrnim ndryshimin. Kjo marrëveshje, e cila do të kishte shënuar lindjen e një terminologjie në shqip, pra, një zhvillimi të ri të gjuhës tonë, nuk u arrit kurrë. Madje, as nuk u bë ndonjë përpjekje sado e vogël nga njëra palë e as nga tjetra për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Unë kam qenë pjesë e parlamentit qysh në zgjedhjet e para të lira, kur edhe do të duhej të arrihej kjo marrëveshje. Nuk më duket me vend të gjykoj në këtë përvjetor se çfarë nuk bënë kundërshtarët tanë politikë, edhe pse tendenca për ta zbukuruar të kaluarën është si një fantazmë në dollapin e secilit prej nesh që luajtëm një rol në atë kthesë të historisë, siç thotë Adam Michnik. Ne ishim de facto lokomotiva e procesit dhe ne nuk bëmë atë, që duhej dhe që pa dyshim mundeshim. Përgjegjësia kryesore na mbetet ne; pse vazhduan të dy palët të kemi pasqyrime krejt të papajtueshme lidhur me dekomunistizimin. Rrjedhimisht, ky imperativ nuk u shndërrua kurrë në një debat të vërtetë publik. Kjo ndodhi se ne zbuluam shijen e pushtetit përpara se të zbulonim shijen e vërtetë të lirisë. Nevoja jetike që kishte vendi për dekomunistizim u manipulua për t’u përdorur në shërbim të mbajtjes ose marrjes së pushtetit. Në vend që të paraprinte dhe të udhëhiqte lindjen e mentalitetit të ri, gjuha iu përshtat qëllimit të ngushtë të elitës politike. Më saktë, gjuha politike e trashëguar nga e kaluara ishte e mjaftueshme për një qëllim të tillë. Lufta për pushtet shoqërohet pashmangshëm nga një tension i madh dhe permanent, tension ky që shprehet përmes gjuhës. Madje do theksuar se, në sajë të lirisë, ky tension shprehet vetëm përmes gjuhës. Drejtuesit politikë, fatmirësisht, nuk zotërojnë më mjete të dhunshme. Por e pëson rëndë gjuha, mbi të cilën shkaktohet një dhunë shpesh ekstreme. Kundërshtari politik, apo edhe cilido që ka një mendim ndryshe, emërtohet me zë të lartë si armik. Nëse ka një tipar të përbashkët për t’i karakterizuar elitat politike shqiptare të këtyre njëzet e pesë vjetëve, është pikërisht dhuna verbale, me të cilën i janë drejtuar e vazhdojnë t’i drejtohen si njëri-tjetrit edhe opinionit publik. Kjo është gjuha, me të cilën regjimi komunist e ka shprehur thelbin e vet. Nuk dua të them me këtë se ne sot kemi në funksionimin e institucioneve reminishenca të metodave komuniste. Ky do të ishte një këndvështrim tjetër për të gjykuar mbi pjekurinë e elitave tona politike pas një çerek shekulli demokraci. Në këtë rast unë vetëm po tërheq vëmendjen te fakti se riciklimi i gjuhës së vjetër në një debat që do të duhej të ishte cilësisht i ri, siç është debati për dekomunistizimin, në të vërtetë përjashtoi mundësinë që ky debat të mbetej i lidhur me kujtesën për të ndikuar kështu mbi të sotmen me mësimet e hidhura të historisë. Ky debat, pra, mbetet për t’u zhvilluar. Por atë nuk mund ta zhvillojë brezi im. Ne dështuam si elitë. Atë mund dhe duhet ta zhvillojë një brez i ri, i cili të fillojë me shpikjen e gjuhës së përshtatshme”.

About The Author

Related posts