Gusht 20, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Rama:Progres-raporti i KE vlerësim reformave. Gati për avancimin e reformave integruese

Rama:Progres-raporti i KE vlerësim reformave. Gati për avancimin e reformave integruese

KMA NEWS/ Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ambasadores së Delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, pas dorëzimit të Progres-raportit për Shqipërinë:

Pata kënaqësinë të takoj ambasadoren e Bashkimit Europian, e cila më dorëzoi Progres-raportin e sivjetshëm të Komisionit Europian për Shqipërinë, që vlerëson reformat e kryera përgjatë një viti, por sipas metodologjie të re vlerësimi që aplikohet për herë të parë këtë herë, edhe në terma të gatishmërisë së vendeve dhe në këtë rast të vendit tonë, për anëtarësim.

Në një këndvështrim sintetik do të doja të nënvizoja se në kriterin politik vlerësohet shprehja e vullnetit dhe vazhdimi i përpjekjeve për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.

Për ne është e qartë dhe ky Progres-raport e konfirmon se rruga për hapjen e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi, e cila mbetet sot, sfida më e madhe jo vetëm e kësaj shumice qeverisëse, por e shoqërisë shqiptare dhe e shtetit tonë në rrugën drejt anëtarësimit drejt Bashkimit Europian.

Ndaj mendoj se për rëndësinë, sa dhe për kompleksitetin e saj meriton të adresohet së pari, si një konstatim mbi prioritetin dy, ku vlerësohet ecuria e mirë në përgatitjen e reformës në drejtësi dhe angazhimi për të siguruar një reformë gjithëpërfshirëse dhe të thellë. E nënvizova këtë për të gjithë ata, të cilët synojnë të thonë të kundërtën dhe në fakt mungojnë në këtë thirrje kombëtare, për të realizuar këtë reformë me rëndësi historike dhe kombëtare për vendin tonë.

Progres-raporti rekomandon në mënyrë prioritare përfundimin në kohë të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, që do të thotë, në këndvështrimin tim, nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë, rruga jonë për negociatat është e hapur.

Nga ana tjetër, në Progres-raport është e qartë se kjo lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve, ku theks të veçantë kanë hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet, pra, i gjithë zinxhiri i pushtetit gjyqësor në Shqipëri.

Për sa na takon, as këtë reformë dhe asnjë nga reformat që kemi ndërmarrë, ne nuk e shohim si detyrë që na e ka vënë Brukseli, por si detyrë e shtuar përpara nesh nga fëmijët tanë, nga gjenerata tjetër, të cilës nuk mund t’i trashëgojmë një pushtet të kalbur gjyqësor, kalbëzimi i të cilit ka pasoja në të gjithë sferën e jetës së vendit.

Përsa i përket prioriteteve të tjera, Komisioni ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra. Ne jemi të kënaqur për këtë fakt, por vëmendja jonë, vullneti ynë dhe vendosmëria jonë për t’i çuar përpara të gjitha këto reformat është zgjedhja jonë, nuk është imponim as i Brukselit dhe as i kujt tjetër.

Duke u kthyer tek prioriteti i parë, – e fillova me prioritetin e dytë, pasi aty nënvizohet kyçi i procesit që është reforma në drejtësi – ne konstatojmë se angazhimi ynë për të mbyllur një epokë në një administratë të diskretituar, jo profesionale, të stërpolitizuar dhe të stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate profesionale dhe të pavarur vlerësohet qartësisht në këtë raport, ku theksohet ecuria e mirë dhe reforma solide e administratës publike. Çka faktikisht e bën këtë prioritet, prioritetin me vlerësimin më të lartë dhe çka hedh poshtë të gjitha akuzat dhe shpifjet sistematike në këtë drejtim.

Megjithatë, ne jemi larg së qeni të kënaqur me mënyrën si funksionon sot, administrata publike dhe ambicia jonë është që këtë administratë ta përgatisim duke e rritur cilësisht, qoftë për të përballuar me sukses nevojën parësore të qytetarëve shqiptarë për të pasur një shërbim të denjë nga administrata publike e këtij shtetit, qoftë për të përballuar me sukses, procesin aspak të lehtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në prioritetin e tretë vlerësohet ecuria e deritanishme e masave antikorrupsion. Por ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se në kuadër të zbatimit të politikave antikorrupsion dhe të jetësimit të reformave dhe të masave kundër korrupsionit kërkohen rezultate që kanë të bëjnë edhe një herë, me hetimin, me gjykimin dhe me dënimin në të gjitha nivelet, gjë që na kthen prapë tek fjala kyç që lidhet për së pari, me reformën në drejtësi.

Realizimi i reformës në drejtësi do të çeli një fazë tërësisht të re, duke krijuar kushtet për të pasur hetime të besueshme dhe cilësore, gjykime të drejta dhe dënime të merituara në të gjitha nivelet dhe posaçërisht në nivelin e zyrtarëve të lartë.

Në prioritetin e katërt ka një vlerësim që dua ta nënvizoj, pasi edhe këtu shoh një përgjigje të qartë dhe kuptimplotë për të gjitha akuzuat dhe shpifjet sistematike ndaj Policisë së Shtetit dhe ndaj arritjeve në goditjen e krimit të organizuar dhe siç nënvizon Raporti, veçanërisht në goditjen e trafikut të drogës. Por edhe këtu, me të drejtë kërkohet të shkohet më tej, për të pasur rezultate të qëndrueshme në hetim, në gjykim dhe në dënim. Pra, përsëri kthehemi tek fjala kyç, reforma në drejtësi, si parakushti për të siguruar qëndrueshmëri dhe progres në të gjithë aspektet e shtetndërtimit dhe e konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Në prioritetin e pestë vlerësohet standardi legjislativ për mbrojtjen e të drejtave themelore si gjerësisht në përputhje me standardet europiane, por nënvizohet për të kush e di se satin herë, në të kush e di se satin vit, domosdoshmëria për të adresuar çështjen e pronës. Një çështje që kjo qeveri ka krenarinë që të jetë e para që e adreson, njësoj siç kemi adresuar të gjitha problematikat e trashëguara në çdo sektor, me vizion, me vendosmëri dhe me drejtësi.

Reforma e pronës është në parlament. Përfundimi i saj në kohë do të realizojë një ndarje të prerë nga e kaluara, që na ka lënë në kurriz male të tëra me dosje për gjykim në Gjykatën e Strasburgut, prej ku prej vitesh vazhdojnë të vijnë fatura të kripura, që janë kosto që taksapaguesit shqiptarë duhet t’ua paguajnë politikave dritëshkurtra dhe qeverive pa vizion, pa vullnet dhe pa asnjë sens drejtësie, që kemi pasur deri në qershorin e 2013-s.

Në fushën e lirisë së shprehjes vijon në mënyrë të njëtrajtshme një ecuri pozitive e vitit të shkuar, por me të drejtë kërkohet më shumë vëmendje, për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik. Një transmetues publik apo një kanal i informacionit publik, i cili është peng i të shkuarës dhe inercinë e kësaj të shkuare, që ne e kemi pranuar në emër të kërkesës për konsensus, e shohim sot si një pengesë reale dhe nuk kemi sot, gojë të flasim për gjendjen skandaloze të RTSH. Do të veprojmë menjëherë dhe do të veprojmë ashtu siç dimë të veprojmë ne.

Nuk po zgjatem me politikën tonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, që vazhdojnë të jenë të vlerësuara lart, si në të njëjtën linjë me ato të Bashkimit Europian. Faktikisht, këtë e shohim si një unifikim me BE, në një kornizës vlerash dhe standardesh, me të cilat Shqipëria është identifikuar prej kohësh. Roli ynë në bashkëpunimin rajonal është një pikë e rëndësishme reference dhe partneriteti me Bashkimin Europian.

Shohim me kënaqësi se në raport ka një vlerësim pozitiv të gjendjes së vendit në aspektin e qëndrueshmërisë makroekonomike, si dhe në veçanti për operacionin kundër informalitetit dhe për reformimin e sistemit të tatimeve, që janë dy aspekte shumë të rëndësishme të punës së madhe, këmbëngulëse, ende të pambaruar, që ne kemi bërë.

Ne jemi të vetëdijshëm dhe të angazhuar për të adresuar edhe çështjen e borxhit publik, si dhe për të vazhduar të përparojmë në fushën e energjisë. Në të dyja këto aspekte kemi ndërmarrë reforma të thella, të guximshme dhe fatmirësisht, të mbështetura nga publiku, megjithëse rëndom të anatemuara nga “kënetat mediatike” të atyre që kanë interesa të drejtpërdrejta dhe që preken drejtpërdrejtë në interesat e tyre nga këto reforma.

Para pak minutash, mbaroi konferenca e përbashkët me FMN-në. Nënshkrimi i marrëveshjes për të vazhduar programin me FMN është përgjigja më e qartë dhe kuptimplotë për të gjithë ata që njohin vetëm rrugën e përbaltjes, të shpifjesh dhe të akuzave, qoftë lidhur me të ardhurat, qoftë lidhur me taksat, qoftë lidhur me investimet, qoftë lidhur me borxhin, qoftë lidhur me rritjen ekonomike.

Sot, ne jemi në ditët e një jave, pra, nga mesjava e shkuar e deri më sot, shumë pozitive për ekonominë. Nga një anë kemi emetuar një eurobond nga ku kemi marrë një përgjigje përtej pritshmërive nga tregjet financiare ndërkombëtare, e cila vjen si rezultat i besimit që Shqipëria ka krijuar në këto tregje, me këto reforma.

Ky eurobond ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë pozicionin tonë, për të vazhduar me reformat. Nga ana tjetër kemi marrë një marrëveshje me FMN, – ndryshe nga çfarë shpifnin, akuzonin dhe përbaltnin për ditë të tëra, ata të “kënetave mediatike”, – pa rritje taksash, përkundrazi, me ulje taksash për një numër të caktuar biznesesh që janë në pjesën më të ulët të të gjithë piramidës së kontributorëve, pa ulje investimesh publike, pra, pa prekur llogarinë kapitale dhe duke vazhduar uljen graduale të borxhit, si dhe përmirësimin drastik të të dhënës, jo shumë të ndjeshme apo të prekshme për publikun, por shumë të rëndësishme për stabilitetin makroekonomik, të deficitit.

Ne nuk jemi një vend që negocion me Bashkimin Europian, por mjafton një vështrim mbi të gjithë Raportin e progresit mbi rajonin, për të parë një të dhënë shumë të thjeshtë, Shqipëria është në të njëjtin nivel. Pra, nuk është një vend që përkundër prioriteteve dhe të dhënave që jep ky Raport, të rezultojë siç mund të rezultonte, pasi është vetëm kandidat. Nëse të tjerët kanë hapur negociatat dhe po negociojnë për anëtarësim, nuk janë asnjë centimetër më përpara nesh, përkundrazi, jemi në të njëjtin nivel, me një dallim që është se ne, reformën në drejtësi e kemi në embrion. Na duhet ta çojmë përpara, na duhet ta kalojmë dhe pastaj nuk ka asnjë dyshim se i kemi hapur vetes, i kemi hapur fëmijëve tanë, rrugën e negociatave në Bashkimin Europian.

Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin:

Mirëdita! Pata kënaqësinë që ti dorëzoja zotit kryeministër raportin e vitit 2015 për Shqipërinë, i cili u miratua më herët, sot.

Komisioni Europian iu është shumë mirënjohës autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për kontributin që kanë dhënë ata për procesin. Unë dëshiroj tu falënderoj juve pasi ju e keni ndjekur këtë proces kaq mirë dhe po vazhdoni ta ndiqni atë.

Nëse do të duhej që ta përmblidhja raportin me një frazë, unë do të thosha diçka, që ju e keni dëgjuar nga komisioneri Hahn, – që është një progres shumë i qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria për prioritetet kyçe që do të çojnë në çeljen e negociatave për anëtarësim.

Nuk ka pasur pauzë, nuk ka pasur kthim prapa në përpjekjet që janë bërë për të zbatuar axhendën e reformave për BE dhe ne ju përgëzojmë për këtë angazhim.

U ndërmorën një sërë reformash, të cilat janë ende duke vazhduar. Ky është një proces shumë impenjativ dhe gjithëpërfshirës dhe ne kemi ende disa sfida shumë serioze përpara.

Përsa i përket zhvillimeve pozitive dëshiroj që të përmend disa prej tyre, si p.sh. progresi apo përparimi që është bërë në administratën publike, miratimi i ndarjes së re territoriale administrative, strategjia e decentralizmit, miratimi i kuadrit strategjik dhe planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimi i mirë ndërkombëtar për luftën kundër drogës dhe trafikimit të lëndëve narkotike, reforma për menaxhimin financiar publik, rregullimi i tregut të energjisë, veprimet e ndërmarra kundër informalitetit.

Raporti njeh qartë përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria në aspektin rajonal, për arsimin, transportin, dhe infrastrukturën e energjisë. Po ashtu progres është parë edhe në përmirësimin e stabilitetin makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Inflacioni ka mbetur i ulët.

Dëshiroj të theksoj faktin që ne vlerësojmë shumë mbështetjen e qëndrueshme të Shqipërisë dhe përafrimin e Shqipërisë me BE, përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE. Ne e shikojmë Shqipërinë si një partner të fortë për ne.

Ky raport e tregon fare qartë, gjëja më e rëndësishme është reforma në gjyqësor. Në rast se lexohet me kujdes lista e sfidave, ajo që ka të bëjë me prioritetet kyçe është e qartë që shumicë e tyre ka të bëjë me shtetin e së drejtës, me funksionimin ligjit dhe të sistemit gjyqësor. Një rëndësi e veçantë i jepet nevojës për të pasur një historik të besueshëm që do të thotë hetime, ndjekje penale dhe natyrisht dënimi i atyre që merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet.

Prioritetet për sa i përket të ardhmes janë identifikuar qartë. Siç e përmenda është miratimi i suksesshëm i të gjithë paketës së reformës në gjyqësor dhe kjo do të jetë kyçe për një opinion pozitiv për çeljen e negociatave në të ardhmen, natyrisht duke patur edhe një historik të qëndrueshëm. Se dyti ,është zbatimi i plotë i legjislacionit të shërbimit civil dhe natyrisht menaxhimi i fuqizuar i financave publike. Së treti, një qasje më sistematike për mbrojtjen e të drejtave thelbësore, sidomos ato që anë të bëjnë me dhunën në familje, me sistemin penal me mbrojtjen e fëmijëve të komunitetit rom dhe me rendësi të veçantë është rregullimi i të drejtave të pronësisë.

Përveç 5 prioriteteve kyçe, është shumë e rëndësishme të përfundohet miratimi i legjislacionit që ka të bëjë me integritetin e personave apo individëve që kërkojnë të kenë një post publik dhe të siguroheni që ju do ti ndiqni të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Përsa i përket qeverisjes ekonomike duket bërë punë me e madhe për konsolidimin fiskal për mjedisin biznesit dhe ekonominë informale. Si e e thashë ne i kemi parë të gjithë gjërat që keni bërë dhe ju mbështesim në këtë drejtim.

Po ashtu në mënyrë që të përmirësohet konkurrueshmëria e Shqipërisë, duhet të bëhen investime shumë të rëndësishme për kapitalin njerëzor dhe fizik, Nuk jeni të vetëm këtë . Duhet ta dini që BE ka fonde IPA të konsiderueshme për t’ju ndihmuar.

Ne shpresojmë që ky raport do të shërbejnë si një mjet i dobishëm për të matur ecurinë, progresin, përparimin që duhet në rrugëtimin në rrugën drejt BE-së. Kjo është një punë që do të vazhdojë të bëhet, por synimi përfundimtar është i qartë, objektivi është që duhet të ketë standarde europiane për qytetarët shqiptarë dhe për të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian. Për këtë do të duhen disa vendime të rëndësishme dhe të vështira në të ardhmen, por edhe përgjegjësi shumë e madhe nga të gjithë ata që marrin pjesë në procesin vendimmarrës.

Në përmbledhje, ky është një raport i mirë, shumë është bërë, ende shumë mbetet për të bërë, kështu që le të ecim tani përpara dhe të kalojmë tek faza tjetër.

E nderuara ambasadore Vlahutin, a do të trajtohet Shqipëria njësoj si Serbia në lidhje me hapat që do të ndërmerren drejt negociatave për anëtarësim?

Sigurisht që Shqipëria do të trajtohet si çdo vend tjetër, përpara dhe pas procesit të negocimit. Është shumë e qartë, ne kemi një reformë, e cila duhet përfunduar në shumë forma në gjyqësor. Në rast se kjo bëhet në mënyrën e duhur dhe në rast se ka fakte për të gjitha shtetet anëtare që kjo reformë është bërë ashtu siç duhet, ju mund ta imagjinoni vetë se cili do të jetë hapi tjetër.

Zoti Kryeministër, a e dëmton “asfaltin e rrugës drejt çeljes së negociatave”, siç e quani ju, përmbushjen e reformës në drejtësi, ndryshimi i emrit të ministrit të Drejtësisë dhe pas impulsit Manjani, a do të ketë qeveria impulse të reja dhe nëse po, do të vijnë nga LSI sërish, apo do të jenë impulse që do të vijnë nga PS?

Reforma në drejtësi është një reformë madhore, e shumë zvarritur për shumë vite. Mungesa e vizionit, mungesa e kurajos, mungesa e vendosmërisë, por edhe le ta themi copë, dëshira për të bashkëjetuar në mëkat e qeverisë së mëparshme me gjykatësit e korruptuar, sot kërkon një përgjigje të qartë popullore, kombëtare dhe shtetërore. Pra, madhësia dhe kompleksiteti i reformës në drejtësi s’ka sesi të lidhet me një emër të përveçëm, qoftë ky edhe emri im.

Progres-raporti i BE-së për Shqipërinë ishte një shuplakë e fortë për sistemin e drejtësisë. Ju zoti Kryeministër keni deklaruar se në vjeshtë do të niste një tronditje nga themelet në sistemin e drejtësisë. A ka nisur kjo tronditje dhe ne nuk e ndiejmë?

Kur ta ndieni ju, tërmeti do të ketë mbaruar dhe në fakt një herë tjetër mund t’ju shpjegoj se përse e thashë këtë gjë, por ndërkohë ajo që unë kam thënë, ka qenë se në vjeshtë, ne do të kemi gati paketën që është instrumenti ligjor për të shkundur, tronditur, shembur nga themelet një sistem aq të korruptuar, aq të kalbur dhe aq kundër interesave të çdo qytetari dhe të vendit tonë si një i tërë, sa që nuk mbeti njeri që di anglisht pa na e përplasur këtë përpara fytyrës.

Paketa është gati. Siç e kemi thënë kjo reformë nuk mund të jetë reforma e një pale, është një reformë që kërkon një qasje radikale, të cilën mund ta garantojë në këndvështrimin tonë, vetëm një strukturë e përbashkët ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas dhe një vulë e Komisionit të Venecias, për t’ia vënë pastaj në dispozicion palëve dhe politikës në tërësi që të shprehin vullnetin e tyre, duan apo nuk duan të bëjnë një reformë reale në drejtësi. Ne presim Komisionin e Venecias, opinioni i të cilit, në këndvështrimin tonë, qysh ditën e parë ka qenë pika për të gjetur konsensus mes palëve dhe bazuar në opinionin dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias do të ecim më tutje. Pra, ne e kemi kryer pjesën e parë dhe përgjigja lidhur me vjeshtën është po. Siç e shikoni jemi në fillim të vjeshtës dhe ne presim që Komisioni i Venecias të shprehet sa më parë, për të na dhënë mundësi të gjykojmë mbi përmbajtjen e opinionit dhe për të na dhënë mundësi që të shkojmë më tutje.

Zonja ambasadore, një nga shqetësimet e shprehura në Progres-raport ka të bëjë edhe me mediat dhe konkretisht, me presionet e ushtruara ndaj gazetarëve. Në disa raste në raport flitet edhe për kërcënime. Si përfaqësuese e BE-së në Shqipëri, ju çfarë mendoni kur dy herë radhazi dëgjuat Kryeministrin e vendit t’i referohet mediave me terma këneta mediatike.

Zoti Rama, është folur pas dorëheqjes së zotit Naço ditën e djeshme, është folur për një presion që lideri i LSI, aleati juaj ka ushtruar ndaj jush si drejtues i qeverisë. Madje ka pasur edhe disa deklarata politike, sipas të cilave me lëvizjen e djeshme, Kryeministri i vërtetë është zoti Meta dhe jo ju. Nëse doni të komentoni?

Kryeministri Rama: Çfarë të komentoj! Këto janë lajme nga këneta, s’kam çfarë të komentoj.

E dyta, kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për mediat në përgjithësi, por flas për “kënetat mediatike” në hapësirën ku operon media shqiptare. Dhe ashtu sikundër media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mos më prek, në kuptimin e fjalëve. Sepse në kuptimin e veprave, unë nuk di asnjë rast dhe ju ftoj që të ma bëni ju me dije, të një kërcënimi, të një presioni apo të një sulmi të organizuar apo të mbështetur nga qeveria ndaj mediave. Nëse ju quani sulme, të vërtetat që unë kam për ju, këto të vërteta përgatituni t’i dëgjoni sa kohë që unë do të jem i gjallë në këtë vend, jo vetëm si kryeministër, por edhe si një njeri që ka kontribuar për median e lirë, për lirinë e fjalës dhe që nuk ndien asnjë lloj kompleksi dhe aq më pak pastaj, diference profesionale nga ata të cilët e përdorin median për interesin e tyre, e përdorin median edhe për të bërë shantazh, e përdorin median për të vënë gjoba, e përdorin median për të çuar mesazhe, pasi bëjnë kërkesa, të cilat janë të paplotësueshme. Ta harrojë çdo pronar mediash në Shqipëri se do të marrë nga kjo qeveri një gjë të paligjshme, se ka në dorë një top me të cilin gjuan me baltë mbi qeverinë, apo mbi këdo tjetër që i shërben këtij vendi aq sa mundet, ashtu si di dhe gjykimin për të cilin, ne e presim nga vota e popullit.

Ambasadorja Vlahutin: Më lejoni që t’iu përgjigjem. Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një nga vlerat thelbësore të BE dhe ne e ndjekim atë nga afër. Në Raportin tonë ne kemi treguar fakte. Ne flasim me fakte dhe ato fakte për ato dy gazetarë nuk kemi qenë të qartë për arsyet, por, sido që të jetë puna, ne do të bëjmë të pamundurën, çdo gjë që kuadri legjislativ dhe atmosfera në vend të jetë e tillë që të jepet pikërisht liria e medias, që duhet të jetë edhe përgjegjësi e medias. Ndaj ne mbështetemi tek ju, që të jeni sa më të lirë që mund të jeni, por edhe të përgjegjshëm.

Kryeministri Rama: Ju thatë ka pasur deklarata politike, ndërkohë deklaratat janë ato që ju i sajoni vetë, i jepni vetë si lajme, i komentoni vetë, i ktheni në të vërteta dhe pastaj i pretendoni si prova, për të cilat, të tjerët janë nën akuzë. Mendoj që në rrugën e integrimit europian duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta. Ne kemi shumë për të bërë, qeveria ka absolutisht shumë për të korrigjuar, e kemi thënë, unë të paktën e përsëris gjithmonë, jemi larg së qenit të përsosur, jemi larg së qenit të pagabueshëm, jemi larg së qenit të pakritikueshëm, por në të njëjtën kohë besoj, se po aq larg, të paktën, për të mos thënë edhe më shumë, jeni edhe ju. Kështu që në këtë pikë jemi, po të doni ju, bashkëvuajtës, por jo bashkëfajtorë.

About The Author

Related posts