Tetor 21, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Skenari me vezë: Pas studentëve, opozita ka gjasa të sulmoj me vezë në Kuvend

Skenari me vezë: Pas studentëve, opozita ka gjasa të sulmoj me vezë në Kuvend

KMA NEWS/ Një aktivitet rutinë i kryeministrit Edi Rama në Fakultetin e Shkencave Sociale u kthye në lajmin e ditës. Teksa kryeministri përfundoi takimin me përfaqësues të biznesit të vogël, në dalje të universitetit u sulmua me vezë nga një grup studentësh. Sulmi me vezë u krye në momentin kur ai po hynte në makinën e tij. Asnjë nga vezët nuk e goditi, por shenjat e sulmit u dukën në makinën e tij. Më pas, situata precipitoi në mënyrë të menjëhershme. Policia ndërhyri duke larguar turmën e studentëve protestues, si dhe shoqëroi me dhunë në ambientet e policisë tetë prej studentëve që e sulmuan kryeministrin. Studentët thanë se u përkasin organizatave studentore “Lëvizja për Universitetin” dhe “Klubi Politik i Kosovës”. Mes tetë të rinjve që u shoqëruan nga policia dhe u lanë të lirë rreth orës 19:30, ishin edhe tre studentë nga Kosova. Mësohet se protagoniste e incidentit ka qenë studentja Klodi Hoxha, një nga aktivistet protestuese të studentëve kundër ligjit të ri për arsimin e lartë. 23-vjeçarja Hoxha ka qenë ajo që ka qëlluar e para me vezë në drejtim të kryeministrit. Ndërsa pas shoqërimit në komisariat, gjatë gjithë ditës studentët e tjerë kanë protestuar para Drejtorisë së Policisë në Tiranë duke kërkuar lirimin e tyre. Ndërkohë që studentët pretendojnë se janë dhunuar nga policia gjatë momentit të shoqërimit pwrfaqësues të Avokatit të Popullit thanë se janë ndaluar që të verifikonin gjendjen shëndetësore të studentëve të shoqëruar nga policia. Ata gjithashtu pretendojnë se sulmi ndaj kryeministrit nuk është bërë nga asnjë nxitje politike, por ka ardhur si reagim ndaj miratimit të ligjit “Për Arsimin e lartë” pak ditë më parë. Situata e krijuar bëri që edhe reagimet të jenë të shumta.
Nga një sulm aktivistësh studentorë ngjarja mori ngjyra politike. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “revolta e qytetarëve nisi” dhe bëri thirrje për të mbështetur studentët. Kreu i PD-së, Lulzim Basha mbështeti protestën, por siguroi se Partia Demokratike nuk ka lidhje me këtë sulm. Deputetë të tjerë të PD-së bënë thirrje për lirimin e studentëve duke e akuzuar kryeministrin për dhunë. Ndërkohë, pjesë e reagimeve dje u bë dhe lëvizja “Vetëvendosje” në Prishtinë, pasi fillimisht u raportua se studentët që qëlluan Kryeministrin ishin anëtarë të saj. Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të komentonte sulmin ndaj tij. Insistimit të mediave dje Rama i është përgjigjur vetëm me buzëqeshje. Ndërkohë që opozita e ka cilësuar ngjarjen si nisjen e një stine protestash ndaj qeverisë aktuale.
Akti i tetë studentëve duket si një nismë e disa të rinjve që kundërshtojnë reformën në arsimin e lartë, por që nga dje “veza” ka marrë simbolin e goditjes së parë ndaj reformave të mazhorancës aktuale. Gjatë 2 viteve e gjysmë qeverisje ka pasur dhjetëra protesta, por gjithmonë kanë qenë të orientuara nga PD-ja dhe misioni i tyre dihej. Protesta e djeshme është një sinjal i ri reagimit qytetar. Nëse politika, përfshi dhe linjën zyrtare të PD-së ishte e rezervuar në qëndrime, reagimi online i qytetarëve dhe i disa organizatave të tjera civile ishte masiv dhe mosaprovues me sjelljen e policisë ndaj qytetarëve. Sulmi ndaj kryeministrit, edhe pse ishte me vezë, mund të jetë i dënueshëm, por po kaq e dënueshme dhe e papranueshme ishte edhe dhuna e policisë ndaj studentëve, sipas njoftimeve se janë dhunuar. Protesta të tilla janë diçka thuajse normale në vendet e tjera, por mënyra sesi reagojnë qeveritarët dhe institucionet ndaj sulmeve të tilla tregon dhe cila është masa e pranimit të protestave të tilla. Rama reagoi me qetësi dhe studentët u liruan në mbrëmje.
Sulmi ndaj kryeministrit është një gjest që shkon përtej simbolikës së “vezës”. Sulmi është një shenjë pakënaqësie ndaj reformave të qeverisë. Është një mënyrë për të shprehur mosaprovimin e shumë prej nismave që qeveria i ka cilësuar si të suksesshme. Nisma që mund të jenë të nevojshme, por kostoja e tyre ka prekur shtresat më të ndjeshme, siç janë studentët, por edhe plot reforma të tjera të cilat cënojnë jetesën normale të popullsisë. E tha edhe lideri i opozitës Lulzim Basha se politika e qeverisë është antipopullore e se jetesa është vështirësuar nga taksat e tarifat e larta. Ndaj, sinjali i djeshëm duhet të merret seriozisht në konsideratë, pasi në këtë vend protestat kanë nisur dikur dhe me presh në duar e më pas kaluan në dhunë.
“Me presh në shesh” ka qenë diku në janar 1997 titulli i “Koha Jone” me kryeredaktor Ben Blushin që shënoi fillimin e “revolucionit demokratik” kundër Berishës. Më pas dihet si shkuan ngjarjet! Ndaj Qeveria ka nevojë të jetë më afër popullit dhe të mos ndërmarrë reforma kaq drastike të cilat cënojnë shumicën e popullsisë.
Nëse fillojnë me vezë përditë apo me “ presh në shesh” nuk ndalohet më rinia e cila do një jetë më të mirë e të sigurtë. Brezi i sotëm mblidhen me një thirrje në rrjetet sociale e nuk kanë nevojë më si dikur për tituj gazete. Edhe kryeministri ka nevojë të degjojë me shumë, jo nga keshilltarët e tij apo nga deputetët “ supërministra”, por direkt nga populli. Nga sot ka filluar stina e vezëve mbi qeverinë dhe ka informacione se të enjten deputetët e opozitës do të hyjnë me xhepat plot me vezë në sallën e Parlamentit për të qëlluar qeverinë. Garda ka marrë urdhër për kontroll para se të futen deputetët e PD-së, ndonëse nuk dihet se nga do mbijnë vezët në sallë, porse ato do fluturojnë mbi kokat e ministrave. Kjo është e sigurtë.
Filloi stina e “vezëve”! KJ

About The Author

Related posts