Gusht 14, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Zyrtare: 129 të vdekur dhe 352 të plagosur nga sulmi terrorist në Paris

Zyrtare: 129 të vdekur dhe 352 të plagosur nga sulmi terrorist në Paris

KMA NEWS/ Prokurori i Përgjithshëm i Parisit, Francois Molins mbajti një konferencë për mediat mbrëmjen e së shtunës. Ai tha se numri i të vdekurve ka arritur në 129 persona ndërsa 352 kanë mbetur të plagosur. 99 prej tyre janë në gjendje serioze për jëtën. Sipas tij 8 terroristët janë vrarë nga policia franceze. Ai pranoi se përgjegjësinë për sulmet në Paris e ka marrë i ashtuquajturi Shteti Islamik. Z. Molins bëri edhe një kronologji të sulmeve terroriste të së premtes. Sipas tij ato nisën me shpërthimet kamikaze në afërsi të stadiumit “Stad de France” të kryeqytetit francez për tu mbyllur te pengmarrja në një koncert në teatrin Bataclan.

Ai tha se hetimet rreth ngjarjeve të tmerrshme sapo kanë nisur, por nga verifikimi i elementeve të parë, janë indentifikuar disa gëzhoja nga vendet e sulmeve, që provojnë se janë përdorur armë e tipit kallashnikov. Kryeprokurori i Parisit, tha gjithashtu se disa prej pamjeve te sekuestruara nga kamerat e sigurisë, zbuluan edhe njërën prej makinave me targa belge, të përdorura nga terroristët, një Seat i zi, që ishte marrë me qera.

Zoti Molins saktësoi se janë tre celula terroriste që mendohet se janë koordinuar me njëra-tjetrën për këto sulme. Ndërkohë, prokurori francez, përmendi edhe 3 shtetasit belgë, të dyshuar si pjese e këtij rrjeti, te cilët u arrestuan pasditen e së shtunës në një lagje të Brukselit.

Kryeprokurori Francois Molins tha se njëri prej terroristeve që sulmoi “Bataclan” ishte 30 vjeç dhe njihej si radikal islamik, ndërkohë njëri prej kamikazeve të Parisit, ishte i lindur në Siri dhe ishte vetëm 16 vjeç.

Francois Molins, ka shpalosur në detaje se si ka rrjedhur ngjarja tragjike në Paris.

Më poshtë ngjarja, minutë pas minute.

Në ora 21:20: Është vrarë një njeri kur ndodhi shpërthimi i parë në Saint Denis afër stadiumit Stade de France, gjatë ndeshjes futbollistike në mes Francës dhe Gjermanisë. Trupi i terroristit kamikaz u gjet me një rrip vetëvrasës mbushur me eksploziv në vendin e ngjarjes.

Në orën 21:25: 15 njerëz u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në kafenenë La Carillon dhe në restorantin Petit Cambodge në Rue Alibert në distriktin 10 të Parisit. Terroristët, të armatosur me kallashnikovë janë parë duke dalë nga një veturë e tipit Seat, para se të hapnin zjarr.

Në Ora 21:30: Ndodh shpërthimi i dytë jashtë Stade de France. Trupi i sulmuesit tjetër me bombë vetëvrasëse u zbulua në vendngjarje me eksploziv të njëjtë sikur i pari.

Në orën 21:32: Pesë njerëz vdesin dhe tetë të tjerë lëndohen në të shtëna me armë jashtë kafenesë La Bonne Biere në distriktin 11 të Parisit. Terroristët ishin edhe këtu me të njëjtat armë dhe erdhën me veturën e tipit të njëjtë.

Në orën 21:36: 19 njerëz vriten dhe nëntë të tjerë lëndohen në restorantin Rue de Charonne në distriktin e 11 po ashtu. Edhe këtu është parë një veturë e zezë Seat dhe terroristët të armatosur me kallashnikovë.

Në orën 21:40: Një person është lënduar rëndë kur një sulm me eksploziv i ngjashëm me dy të lartcekurit u aktivizua brenda restorantit Voltaire në bulevardin Voltaire në distriktin 11.

Po ashtu në orën 21:40: 89 persona janë qëlluar për vdekje dhe shumë të tjerë janë lënduar kur tre njerëz të armatosur kanë marrë pengje dhe kanë hapur zjarr në një turmë njerëzish gjatë një rok koncerti në “La Bataclan”. Sulmuesit janë dëgjuar të përmendin Sirinë dhe Irakun gjatë masakrës. Ata kishin arritur në vendin e krimit me një veturë të zezë Polo.

Në ora 21:53: Ka ndodhur eksplodimi i tretë në Rue de la Coquerie, afër Stade de France. Trupi i pajetë i kamikazit është gjetur në vendin e ngjarjes.

Në ora 00:20: Vriten tre terroristët në Le Bataclan. Njëri u qëllua nga një polic francez. Dy të tjerët hodhën vetën në ajër.

About The Author

Related posts