Shtator 17, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

“Bajraktarin, mjer kush e ka armik, dhe mjer kush e ka mik”!

“Bajraktarin, mjer kush e ka armik, dhe mjer kush e ka mik”!

KMA NEWS

Nga Gjon BRUÇI

“Bajraktarin, mjer kush e ka armik, dhe mjer kush e ka mik”!

Në tetë vjetorin e ngjarjes së Gërdecit, një pjesë e mirë e shtypit të ditës nuk mungoi të na risillte në kujtesë gjëmën e asaj dite. Disa prej tyre krahas retrospektivës, na sollën edhe fakte të reja “vjelur” nga kabllogramet e ambasadës amerikane, apo nga paraqitja sintetike që gazetari Guy Lawson i ka bërë kësaj ngjarje në revistën amerikane “Roling”. I gjithë ky diskurs i gazetave nuk kishte qëllim të na informonte për çka ndodhi atë ditë të zezë të 15 marsit 2008, sepse shqiptarët ngjarjen në fjalë e kanë “përtypur” çdo ditë përgjatë këtyre viteve, pa mundur ta kapërcejnë në stomak. Gazetarët, opinionistët dhe komentatorët të shtyrë nga ndërgjegja profesionale, (disa dhe nga politika të cilës i janë përkushtuar), tentuan të gërmonin e të nxirrnin në dritë “urët” e mbuluara të zjarrit gërdecian që përvëloi jetën e njëzet e gjashtë qytetarëve, pa vënë në hesap qindra të plagosur e dhjetra shtëpi të hedhura në erë. Por më kot. Asnjë investigim, asnjë diskurs, asnjë fakt i rizbuluar nuk mund t’i lëvizë “urët”, të cilat janë mbuluar jo me hirin natyror, por me hirin e krimit e korrupsionit individual, qeveritar e madje edhe ndërkombëtar.
Duke medituar për atë ditë të kobshme, më erdhi në mendje një shprehje që e kanë përdorur mirditorët në të kaluarën. “Bajraktarin, – thoshin ata, – mjer kush e ka armik, dhe mjer kush e ka mik”. Të kishe armik Bajraktarin, apo Kapidanin, do të thoshte të kishe çdo ditë rrezikun mbi kokë. Se Bajraktari apo Kapidani ishte fuqi e madhe e mund të të qiste fare, nëse i kundërviheshe apo e kundërshtoje. Por edhe po ta kishe mik, ishte me rrezik. Se të përdorte për interesat e tij, interesa të cilat shpesh të shpinin drejkt rrezikut.
Po kush është Bajraktari i sotëm që ne shqiptarët, për t’i shpëtuar rrezikut prej tij e kemi bërë mik, duke mbetur përsëri në vorbullën e rrezikut?! Në rastin tonë, “Bajraktari”, apo “Kapidani” është SHBA-ja, mikja jonë më e madhe dhe po aq edhe armike. Kjo e fundit në kuptimin e rrezikut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dikush i pati quajtur “xhandar ndërkombëtar”, por unë nuk po guxoj të arrij deri tek ai epitet i vrazhdë. Pavarësisht se këtë epitet ky mik me rreziqe e pranon edhe vetë. A nuk e quan SHBA-ja veten “ruajtës të rendit botëror”? Dhe ruajtësi i rendit në shumicën e gjuhëve quhet xhandar. Por le t’i lëmë sofizmat e të dalim tek çështja që na shqetëson, asaj që lidhet me Gërdecin, dhe jo vetëm me të.
Historikisht shqiptarët, duke qenë një popull e vend i vogël, por dhe i sulmuar pareshtur nga armiq, veçanërisht nga fqinjët lakmitarë, për të siguruar mbijetesën ka tentuar të sigurojë miq të fuqishëm. Gjografisht këta miq kanë qenë të largët, por distanca e largët është mbuluar me potencën e tyre njerëzore, ekonomike e ushtarake. Shembulli më i qartë i kësaj taktike të shqiptarëve janë aleancat e tij në shtatë dekadat e fundit. I kërcënuar e i rrezikuar nga shovinistët jugosllavë e ata grekë, udhëheqësi ynë i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e lidhi vendin në miqësi me Rusinë e madhe të Stalinit dhe pak më vonë dhe me Kinën milardëshe të Mao Ce Dunit. Me këto taktika e stratagema miqësie ai arriti të ruante me fanatizëm lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij. Këtë skemë miqësie e praktikuan edhe liderët tanë të demokracisë në fillim të shekullit të tanishëm. Madje miqësia e liderëve tanë të sotëm shkoj edhe më larg, përtej Atlantikut, tek më i fuqishmi i Botës, të cilin ai lideri i socializmit e pati quajtur “xhandar ndërkombëtar”.
Skema, pothuaj është e njëjtë. Miqësi me më të largëtin, por dhe me më të fuqishmin. Si Rusi e Kinezi, edhe Amerikani ishin dhe mbeten Bajraktarë, jo të një zone si dikur në Mirditë, apo Dukagjin, por Bajraktarë e Kapidanë të Botës. Madje, ky i fundit, domethënë amerikani, Bajraktari e Kapidani më i fuqishëm i Globit. Por skema e ngjashme në formë midis asaj të liderit komunist Enver Hoxha dhe liderëve të sotëm të demokracisë borgjeze të sojit Berisha, Nano, Rama, Basha e kompani, ndryshon plotësisht në përmbajtje. Lideri Komunist, Enver Hoxha, ndonëse lidhi miqësi me më të mëdhenjtë e botës, të cilët kishin mundësi ta mbanin Shqipërinë e vogël si “veshkën në mes të dhjamit”, për asnjë moment nuk i hoqi armët nga brezi, veti kjo shekullore e shqiptarëve. Ndërsa liderët tanë të demokracisë, sapo u lidhën me mikun e madh amerikan, armatimin që e patën trashëguar nga i pari e këmbyen me euro e dollar, ose e bënë tym në flakët e gërdecëve të krimit e korrupsiont. Lideri komunist Enver Hoxha, në vitin 1955 e futi vendin në Traktatin e Varshavës, por gjithnjë me ushtrinë dhe armatimin e tij të cilat i modernizoi pa pushim. Ndryshe nga ai, liderët tanë të sotëm e futën Shqipërinë në NATO kur kishin djegur dhe fishekun e fundit në Gërdec dhe vijojnë të kapardisen në këtë Aleancë Ushtarake lakuriq me duar në xhepa! Lideri komunist Enver Hoxha, kur kryemiku i madh rus, me emrin Hrushov, deshi të kurdiste një “Gërdec” në Butrintin tonë të lashtë, i tha: “Ndalu beg se ka hendek”, dhe e përcolli duarbosh drejt stepave të tij siberiane. Përkundër kësaj, liderët tanë të sotëm, ndonëse e dinë fort mirë se në “veprën” e Gërdecit të para tetë viteve, kontributin kryesor e kishin shefat e Pentagonit dhe të diplomacisë amerikane në vendin tonë, mos o zot se guxojnë t’i përmendin në diskurset e tyre politike për këtë çështje. Në vitin 1960, kur “miku” rus kërkoi të bëjë ligjin në vendin tonë, lideri komunist Enver Hoxha i vuri kufirin tek thana. Nga zemërimi, ariu rus deshi të rrëmbente bazën ushtarake të Vlorës, por shqiponja shqiptare, mbasi i mbajti plot katër nëndetëse luftarake nga më modernet e kohës, e përcolli në det të hapur, nën shënjestrën e topave të ushtrisë shqiptare. Nëse miku amerikan, do të zemërohej me liderët e sotëm shqiptarë dhe të tërhiqej nga Shqipëria, tanët do të mbeteshin vetëm me të mbathura pa ushkur në prapanicë, çka nuk do të kishin mundësi të shkonin as për të kërkuar azil politik në ndonjë skutë të Globit. Në vitet shtatëdhjetë, edhe supermiku milardësh kinez, pasi hodhi hallin e pranimit në OKB, ku mbështetja e Shqipërisë ishte vendimtare, nisi ta dredhë muhabetin e miqësisë. Por propozimit të tij për tu lidhur me jugosllavët, si e vetmja mënyrë për tu mbrojtur nga rusët, lideri komunist i tregoi bërrylin. Dhe pa u vonuar mori masa për fortifikimin e vendit për të përballuar rrezikun e mundshëm. Në të tjera pozicione janë sot liderët tanë në politikë e në pushtet. Çfarëdo që të thotë e të veprojë Daj Sami i përtejatllantikut, ata do ta pranojnë pa hezitim. Përndryshe, që në sulmin e parë të fqinjëve, ata do të ndynin mbathjet tashmë të grisura nga superreformat njëzet e pesë vjeçare që u ka diktuar “bajraktari”, me të cilin kanë lidhur një miqësi jo të sinqertë, por interesash të pabarabarta.
Të jemi realistë dhe të drejtpërdrejtë: Një vend i vogël si Shqipëria jonë, e cila ndodhet në kryqëzim të interesave strategjikë të shumë shteteve, e ka të domosdoshme aleancën me shtete të fuqishme. Por kjo aleancë, kjo marëdhënie e kjo miqësi duhet ndërtuar mbi interesa reciproke të dyanshme, dhe asnjëherë duke i dorëzuar çelësat e shtëpisë mikut, sado i fuqishëm qoftë, e sado i dashur të paraqitet. Për fat të keq, proamerikanizmin e shqiptarëve, liderët tanë aktualë e kanë kthyer në një kolonializëm të shëmtuar. Për hir të kësaj miqësie jo fort të sinqertë dhe po ashtu jo të bërabartë, liderët tanë pranojnë të burgosurit e Guantenamos, muxhahedinët e Iranit etj., pranojnë bazat e huaja, duke e kthyer vendin në një plastdarm të mundshëm zbarkimesh e bombardimesh apo dërgojnë ushtarë mercenarë në fushatat luftarake të mikut, ndërkohë që marrin “hua” policë italiane për të mbrojtur kufirin nga “mësymja” e refugjatëve sirianë që gjenden në kufirin me Greqinë.
Le t’i rikthehemi shprehjes së vjetër të mirditorëve: “Bajraktarin (Kapidanin) mjer kush e ka armik, e mjer kush e ka mik”. Si e kishte zgjidhur mirditori këtë dilemë të kohës? Marëdhënieve me Bajraktarin (Kapidanin) nuk kishte se si tu shmangej. Ta konsideronte vetëm armik, për tu mbrojtur prej tij do t’i duhej të merrte arratinë e të bënte jetën e kaçakut. Ta pranonte si mik, duhej të merrte në sy hilet dhe dredhitë e tij, të cilat mund ta rrezikonin njëlloj si ta kishte armik. Atëherë, mirditori i thjeshtë, zgjodhi një rrugë të mesme: ta kishte edhe mik edhe armik. Ta kishte mik, për gjërat që ishin jashtë konakut të tij, dhe ta konsideronte armik, kur bajraktari (kapidani) kërkonte t’i ngacmonte “urët e zjarrit” në oxhak. Për realizimin e kësaj taktike, mirditori, ndërsa i jepte dorën dhe e njatjetonte bajraktarin (kapidanin), në brez mbante kurdoherë nagantin. Vetëm kështu ai mundi t’ja dalë bajraktarit që e kishte edhe armik, edhe mik!
Lideri komunist Enver Hoxha, siç duket e dinte këtë cilësi të mirditorëve, që ishte cilësi e gjithë shqiptarëve, ndaj e mori dhe pasi e përpunoi me elementë të rinj, e përdori me efikasitet në marëdhëniet me Bajraktarët e Kapidanët e Europës e më tej. Dhe ja doli me sukses.
Për fat të keq liderët tanë aktualë nuk mund ta kenë këtë sukses në marëdhëniet me të mëdhenjtë. Ata i kanë dorëzuar atij, jo vetëm çelësat e shtëpisë, por edhe çelësat e krenarisë së shqiptarit, duke u kthyer në disa vasalë të mjeruar të amerikanit dhe të gjithë atyre që u mbushin gavetën me makarona dhe xhepat me napolona! Është kjo arsyeja që edhe ata liderë që nuk kanë gisht në veprën e Gërdecit, nuk jua mban të trazojnë hirin për të nxjerrë në shesh urën e zjarrit që i vuri flakën Gërdecit më 15 mars të 2008-të. Dhe nëse shqiptarët nuk do t’i kthehen traditës së tyre shekullore, traditës së dinjitetit dhe integritetit përpara çdo të huaji, mik apo armik qoftë, traditë që e patën institucionalizuar në vitet e socializmit, “gërdecë” të tjerë më të hatashëm do t’i presin!

About The Author

Related posts