Prill 26, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Blushi dhunohet. Pse hesht PS-ja?

Blushi dhunohet. Pse hesht PS-ja?

KMA NEWS

Nga Nikoll Lesi

Ajo çka ndodhi pardje në Elbasan kërkon urgjent të ketë reagim shtetror. Reagim nga policia dhe nga prokuroria. Nëse policia nuk i ndalon personat që janë në video të filmuar falë celularëve të disa personave të cilët qëlluan prezent në momentin e ngjarjes, atëhere kemi të bëjmë me një krim shtetror ndaj deputetit Blushi.

Nuk besohet se ministri Tahiri është i përzier në këtë skenar ndaj Blushit, pasi janë miq, porse heshtja e gjatë bie edhe mbi Saimir Tahirin se është ministër i Brendshëm. Edhe që kryeministri Rama të ulet kaq poshtë sa të organizojë këtë dhunim, nuk më besohet, sepse do të ishte tragjike edhe për atë, edhe për Shqipërinë.

Por fakti që deputeti Blushi ka denoncuar publikisht dhunën, presionin dhe fyerjet ndaj tij nga ky grup personash do të mjaftonte që policia e shtetit t’i kishte ndaluar dhunuesit. Nëse vazhdon heshtja nga shteti atëhere gishti tregues shkon tek Rama dhe Tahiri.

Sipas deputetit Ben Blushi , i intervistuar nga “Koha Jone”, emrat janë: Aurel Mehja drejtor i zjarrfikesve në Bashkinë e Elbasanit (dhendrri i kryetarit të Bashkisë), Andri Mehja inspektor tatim-taksave (vëllai i dhendrit), Irland Sina, drejtor i sherbimeve në Bashki, Xhevahir Budani, kryetar Rajoni në Bashki, Lel Kaja, drejtor i INUV, Besnik Molloholli inspektor mjedisi, Xhevahir Kapllani, inspektor tek INUV, Artan Gashi, kryetar rajoni në Bashki, Tasha Gura, inspektor tatim-taksa në Bashki,  Let Gjana mesues në gjimnaz, Hektor Çiftja pergjegjes mediave në PS, Bardh Qaja, polic bashkiak.

Të gjithë dhunesit kanë funksione shtetrore në bashkinë Elbasan apo në detyra të tjera zyrtare. Sikur të ishin persona militantë partie pa detyra shtetrore edhe mund të pranohej se e kanë bërë nga zelli partiak e jo si sherbim. Por dhunuesit janë persona shtetrorë. Kjo është e pafalshme për ministrin Tahiri nëse nuk vepron sipas ligjit.

Kur sulmohet një deputet hapur e dhunshëm,aq me tepër në sallën e një partie politike, ku ndodhet dhe kryeministri, nga persona që paguhen në shtet, merret me mend se si veprojnë kjo kategori ndaj njërëzve të thjeshtë. Gjithsesi dje u munduam të kishim reagimin e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini apo të personave të denoncuar nga Blushi, por asnjë reagim.

Nëse do të duan e kanë të hapur gazetën për të dëgjuar edhe palën e tyre, ndonëse videot dhe Blushi nuk lenë të hamëndësosh. Ata më mirë të pyeten në prokurori.

faqe

Kryeministri Rama ka nevojë të flasë me vepra konkrete duke urdheruar policinë e Shtetit t’i ndalojë  dhe për t’ia kaluar prokurorisë hetimin e ngjarjes. Dhe të merret edhe deshmia e deputetit të dhunuar Blushi. Hetimi do sqaronte të vertetën.

Çdo minutë që ikën shkon në kahun e akuzave të Ben Blushit se në PS dhe në administratën shtetrore kanë hyrë kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Edi Rama ka shansin të tregojë se nuk është në krah tyre, por në anën e ligjit.

Nuk humbet asnjë pikë kryeministri Rama,nëse tregohet i rreptë me këdo, edhe me ata që i mbushën sallën pardje në Elbasan. Edi Rama nëse vepron shpejt tregon se mbetet mbi të gjitha njeri larg klaneve apo grupimeve me prapavijë antiligj. Dhe dua të besoj se është jo në anën e dhunuesve, ndonëse heshtja rëndon çdo minutë mbi kryeministrin.

Pyetja është kë mbron Partia Socialiste? Ben Blushi është sulmuar pardje, edhe fizikisht, në një sallë ku ishte vetë Edi Rama. Njërëzit që e sulmuan janë emra  të njohur në qytet. Disa prej tyre janë me precedentë penalë, shprehet deputeti Blushi, por PS-ja nuk është distancuar nga ata.

Dhe e çuditshme është se kur Rama ka qenë në të njëjtën pozitë ,ishte Ben Blushi që e mbrojti përballë Fatos Nanos në Kongresin e vitit 2003. PS-ja i dedikohet një ndjesë Blushit, ndërsa organet e rendit që kanë të gjitha provat filmike duhet të procedonin ata që e sulmuan, shumica e të cilëve janë me uniformë të nëpunësit të shtetit.

Po ashtu edhe qyteti i Elbasanit i detyrohet një ndjesë Ben Blushit për të treguar se nuk është palë me persona që e sulmuan si të ishte një bandit dhe jo një shkrimtar që kishte ardhur aty për të thënë fjalën e tij në një parti ku bën pjesë.

Po kush është Ben Blushi? Përveçse një gazetar dhe një shkrimtar ai rrjedh nga familjet më të njohura të Elbasanit, Kostandin Kristoforidhit, njeriu që bëri të parën abëtare në gjuhen shqipe. Ai ishte dajë i stergjyshit të Ben Blushit. Shtëpija e Kristoforidhit në lagjen Kala është po aq pronë e familjes se Ben Blushit sa ç’është pronë e qytetit që e ka braktisur.

Stërgjyshi i tij Simon Shuteriqi ishte delegat i Kongresit të Manastirit në vitin 1908 bashkë me Gjergj Fishtën dhe Mit’hat Frasherin. Ai themeloi Normalen e Elbasanit dhe ishte një nga drejtuesit e saj në vitin 1909 çka është sot krenaria  më e madhe e mesuesisë shqipe.

Gjyshi i tij Dhimiter Shuteriqi është themelues i Akademise së Shkencave, kryetar i Lidhjes së Shkrimtareve të Shqipërisë dhe një nga prozatorët e studiuesit e njohur të letersisë dhe kulturës kombëtare. Në Varrezat e Dëshmorëve të Elbasanit familja Shuteriqi, pinjoll i të cilës është Ben Blushi, ka një deshmor i cili u vra nga gjermanët në vitin 1943, Pirro Shuteriqin.

Në vitin 2013 Ben Blushi ishte i pari i listes së PS-së në Elbasan. Çështja shtrohet se me kë është PS-ja, me banditët apo me intelektualët? Po qyteti i Elbasanit me kë është? A e ka lluksin një qytet të trajtojë kështu njerin nga familjet më të njohura të qytetit? A ka luksin Elbasani të zbojë intelektualët dhe t’i zëvëndësojë me kriminelët dhe banditët që po bëjnë ligjin në Elbasan?

A ka kaq intelektualë PS-ja dhe deputetë me integritet kryeministri Rama sa t’i hedhë nga dritaret e selisë rozë dhe t’i mbushë me dhunues elbasanas? A ka interes vetë Edi Rama të prodhojë një armik si Ben Blushi, i cili ka fuqi intelektuale dhe talent si njeri i kulturës, pa harruar edhe mbështetje mediatike?

Mendoj se Edi Rama duhet të bëjë aktin më të njërëzishëm: t’i kërkojë falje Blushit për Elbasanin dhe nëse e bën duhet që edhe Blushi të jetë njeriu që fal, si pinjoll nga Shuteriqët.

Në histori kanë ndodhur që armiqësitë e mëdha prodhojnë edhe miqësi të forta, por duhet që ai i cili ndodhet në “majë të kalasë” të kërkojë falje e ndjesë e natyrisht të zbatojë ligjin ndaj dhunuesve.

Ndjesa, natyrisht kur e ndjen, është tipar i liderëve. A është lider Rama? Të shohim, këtu jemi !

About The Author

Related posts