Tetor 18, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

O Erion Veliaj o djale per se mbari, kërkoji të falur Sazan Qytetarit , mos u bej Rrote me pushtet K…… !.

O Erion Veliaj o djale per se mbari, kërkoji të falur Sazan  Qytetarit , mos u bej Rrote me pushtet K……  !.

KMA NEWS

Nga Arian Galdini

“Të hënë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i ftuar ishte Erion Veliaj. Ai ishte Kryetari privat. Sazani ishte qytetari publik. Duhej të ishte ndryshe në fakt. Nga një Kryetar Bashkie kërkohet që të flasë e sillet si një përfaqësues publik. Nga një qytetar pritet thjeshtësisht të guxojë. “

Çka ndodhi atë natë, përmbysi gjithçka. Kryetari i Bashkisë guxoi, ndërsa qytetari Sazan Guri foli e u soll si përfaqësues publik. Erion Veliaj guxoi shumë e pacipësisht, kur në atë studio shkoi jo për të folur me shoqërinë, me qytetin që e ka votuar, por për të mposhtur qytetarin Sazan Guri. Guxoi të hynte në një debat publik me çizmet private të një pushteti publik. Si çdo çizmengrehur që pushtetet e publikut i përdor si atribute e fuqi personale, për shkaqe, emocione, arsye e interesa private, Erion Veliaj ngriti kamzhikun e ‘Çifligarit’ dhe bëri gjithë sa mundi për të ‘rrahur’ e poshtëruar mu në mes të Opinionit, qytetarin Sazan Guri. Ishte një sjellje nga ato për të cilat ne shqiptarët duhet të reflektojmë thellë. Ngase ky njeri që prej 3 vitesh është bërë pushtetar në Republikën tonë, fillimisht si Ministër e tashmë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk mund të lejohet që vitet e ardhshme të pushtetërimit të tij ti ndërtojë mbi ‘rrahjen’ dhe poshtërimin publik të qytetarëve apo edhe të kundërshtarëve. I humbëm 25 vite me të tillë Pushtetarë që u shndërruan në Udhëheqës të pagabueshëm, si Zotër të jetëve dhe fateve tona, pikërisht bazuar në dhunën dhe frikën e mbjellë dhe ushtruar mbi ne qytetarët. Nuk e kemi luksin që të lëmë të na kalojë edhe ky Çifligari i ri nëpër të njëjtat shtigje si gjithë të tjeret para tij e mbi të, e të na humbasë edhe 25 vite të tjera. Ndaj sot, këtu, pa asnjë mëdyshje, Erion Veliaj duhet të vendoset përpara përgjegjësisë dhe detyrimit publik që ti kërkojë të falur Sazan Gurit.

sazani_0

Të mos harrojmë se Erion Veliaj dhe Sazan Guri kanë qenë konkurentë në garën për Kryetar Bashkie në qershorin e shkuar. E nëse Veliaj është fituesi i asaj gare, Sazan Guri është nderuesi i asaj gare. Veliaj kandidoi si përfaqësues i një makinerie të madhe politike, financiare dhe mediatike. Sazan Guri kandidoi si një qytetar, mes qytetarëve. Fituesi i denjë, nuk mbart zemëratë, as mllefe pas garës. Përkundërazi, fituesi i denjë e bën fitoren si një fitore tejpersonales dhe plotësisht të publikut, në mënyrën sesi trajton ish konkurentët e tij. Fituesi që rend për tia plasur me ‘grusht’ turinjve të gjithë fuqinë e pushteteve që ka marë, ish konkurentëve të tij, është një fitues i padenjë që vepron, flet e mendon si entitet privat. Kryetari Veliaj u shpalos në plotësi atë natë në Opinion, si Kryetari privat që i shprazi pa mëshirë emocionet e tij personale të mveshura me pushtetet e publikut, ish konkurentit të tij Sazan Guri. Kryetari privat i Bashkisë së Kryeqytetit tonë, është një turp i të gjithë neve nëse e lejojmë të na ndodhë a të vazhdojë të na ndodhë.
Atë natë Kryetari i Bashkisë ishte me të gjithë fuqinë e Partisë së tij në pushtet dhe të Kryeministrit që e mbështet. Sazan Guri ishte krejt i vetëm. Erion Veliaj iu gafurr Sazanit me furinë pushteteve dhe këtë e beri si Kryetar Privat, sepse gjithçka ai thoshte nuk buronte nga legjitimiteti i Përfaqësuesit Publik, por nga gjendja, mendimet dhe shijet e tij personale. Foli si Çifligari i Qytetit që do të bëjë çtë dojë me Parkun e Liqenit. As e mori në konsideratë se qyteti duhet pyetur dhe i vetmi që kishte në studio si pyetje nga qyteti ishte Sazan Guri. Kryetari privat e keqtrajtoi aq barbarisht pyetjen e qytetit që kishte në studio, saqë të gjithë duhet të ndihemi të fyer. Sazan Guri ishte pyetja e qytetit, ishte pikërisht sprova, testi që Veliaj duhej të kalonte në atë përballje televizive, për të na dëshmuar të gjithëve se ai është realisht Kryetari i Bashkisë sonë. E ç’bëri Veliaj me të? E dhunoi me fjalë, gjeste, sjellje, shantazh dhe joshje. Sazan Guri ishte ne, në atë studio. Sazan Guri ishte qytetari që u bë ne. E kundërta duhej të ndodhte. Kryetari i Bashkisë duhej të ishte ne. Sazan Guri duhej të ishte thjeshtë një ndër ne, vetvetja. Duke tentuar rrugaçërisht, arbitrarisht, pushtetërisht, ligësisht, që të shkelë me çizmen e tij të pushteteve publike, qytetarin Sazan Guri, ky njeri që prej pak muajsh është Kryetar Bashkie, u përpoq të presë në rrënjë pemën e aktivizmit qytetar, njëlloj si kërkon të presë pemët tek Parku i Liqenit.
Duke prerë pemën e aktivizmit dhe guximit qytetar të përfaqësuar nga Sazan Guri, Kryetari privat Veliaj bëri gjithë sa mundi për të ndërtuar Parkun e Lojërave të tij personale të pushtetit. Këtu edhe përforcohet dyshimi i drejtë qytetar, mbi shkaqet dhe arsyet që e kanë shtirë Veliajn për të bërë betejë kaq të fortë politike për të ndërtuar Këndin e Lojërave tek Parku i Liqenit.
Një tjetër gjë që ne nuk duhet ta harrojmë është dallimi në moshë mes Veliajt dhe Gurit. Ajo mënyrë të foluri, ai agresivitet asgjësues, e tërë batërdia dehumanizuese, fyese dhe grinta shkatërruese ndaj Sazan Gurit, tejkaloi çdo masë e kod etike në komunikimin mes një djali të ri dhe një njeriu në moshë. Veliaj kur kandidoi për Kryetar Bashkie na tregoi për humbjen e babait të tij e për dhimbjen që i ka shkaktuar kjo humbje. Dhe unë e besoj e ndjej gjithë empatinë njerëzore për të. Por mosha e Sazan Gurit dhe mosha e Erion Veliajt, bëjnë që ata të dy të jenë simbolikisht si ati dhe i biri. Ajo gjuhë e ligë, përçmuese, linçuese që Erion Veliaj përdori ndaj Sazan Gurit, nuk i bën fare nder një djali të ri që flet me dikë në moshën e babait të tij. Është pak të thuash se trajtimi që Veliaj i bëri Gurit, ishte i turpshëm, arrogant, i pacipë.
Për të mos folur këtu për shantazhin e hapur që Veliaj i bëri Gurit ndërsa i përmendi të birin që punon në Bashki. Këtu ka dy elementë që përsëri e bëjnë me turp pafund Kryetarin Privat Veliaj. Së pari, Prokuroria duhet patjetër të nisë veprimet e saj hetimore ndaj Erion Veliaj për shantazh dhe për tentativë koruptimi, të kryera publikisht nga Kryetari i Bashkisë ndërsa i përmend, Sazan Gurit të birin që punon në Bashki dhe më tutje ndërsa përsëriste se do ta paguante Sazanin me shumë para.
Së dyti, të thuash me pathos se kush Proteston kundër ndërhyrjes në Parkun e Liqenit është kundër fëmijëve, e fill pas kësaj, të shantazhosh një baba me vendin e punës së te birit në Bashki, kjo është më e pakta lajthitje, më e shumta maskarallik. Se si ndjesi prej burri a pushtetari që kupton ç’është fëmija, nuk është fare. E nuk është argument kundër Sazan Gurit, fakti që i biri punon në Bashki, gjithësesi. Përkundërazi, është argument që dëshmon pastërtinë e qytetarit Sazan Guri, i cili ka dalë guximshëm përtej interesit të tij privat, duke Protestuar kundër Bashkisë, në të cilën punon i biri.
Dhe e fundit që doja të kujtoja këtu, është pikërisht anti-intelektualizmi që u manifestua nga Kryetari Privat Veliaj teksa shkelmonte e grushtonte tinëzisht e barbarisht me zulmën dhe vrullin e pushteteve, Profesorin Sazan Guri. Sazan Guri është studiues, lektor Universiteti, ka gradën shkencore Profesor, shkruan libra. Si mund ti flasë me atë gjuhë prej gagareli, një pushtetar i vockël një profesori të shquar? Po a mund të lejojmë ne që një pushtetaruc të na baltose e gufosë çdo intelektual që nuk ka as sërën, as sjelljen, as kulturën që ti përgjigjet me të njëjtën gjuhë?
Kurrësesi rrugaçëria e pushtetarucëve që nuk pyesin për moshë, nuk pyesin për vlera qytetare e as për vlerat intelektuale, nuk duhet lejuar që të kalojë pa u refuzuar fortësisht.
Erion Veliaj duhet ti kërkojë të falur Sazan Gurit, sepse Sazani jemi ne.
Duke shkelmosur Sazanin, Veliaj ka vënë mbi qytetin tonë çizmen e tij prej Çifligari të ri.
Kemi 75 vjet që e kemi të provuar se të tillë modele pushtetarucësh janë rrezik publik serioz.
Arian Galdini

About The Author

Related posts