Dhjetor 08, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Dosja Shullazi: Personat që do pyeten në Prokurori

Dosja Shullazi: Personat që do pyeten në Prokurori

KMA NEWS / Prokuroria për Krime të Rënda ka bërë gati fletë- thirrjet për shumë biznesmenë, zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, noterë, gjyqtarë e profesorë të universiteteve, që do të merren në pyetje për dosjen e Emiljano Shullazit.
AbcNews raportoi sot se prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë bërë gati listën e personave që do të thirren me cilësinë e të dëmtuarve apo personave që kanë dijeni për çështjen, ku përfshihet emri i Shullazit dhe “banda” e tij.
Burimet thonë se në mesin e emrave që do të thirren, janë biznesmenë të ndryshëm dhe të njohur në Shqipëri, disa prej të cilëve janë “gjobitur” nga Shullazi dhe pjesa tjetër janë persona që kanë ndërmjetësuar tek biznesmenët për të paguar shuma të caktuara parash. Në mesin e këtyre personave me rolin e ndëmjetësve mes Shullazit dhe biznesmenëve të ndryshëm për të ulur “gjobat” e vendosura, janë përfshirë edhe prokurorë, gjyqtarë apo edhe zyrtarë të lartë të administratës shtetërore.
Burimet thonë se përveç këtyre, grupi hetimor do të marrë në pyetje edhe zyrtarë të lartë të Hipotekës në Tiranë dhe Durrës, si dhe punonjës të tjerë, të cilët kanë kryer veprime konkrete për pronën e ish hotel Vollgës apo pronave të tjera në kryeqytet.
Në pyetje, sipas bruimeve të AbcNews, do të merren edhe drejtorë të ndryshëm të institucioneve dhe persona që rezultojnë se kanë komunikuar me Shullazin apo bashkëpunëtorët e tyre.
Por listës së hetimit të prokurorisë, nuk do t’i shpëtojë as kandidatja për rektore, Klodeta Dibra, në emër të së cilës dyshohet se “banda” e Emiljano Shullazit ka kërcënuar profesorët Mynir Koni dhe Dhori Kule. Kjo për shkak se burimet thonë se Dibra, përveç se i kishte në lagje të fortët e rrugës së Kavajës, dyshohet se ka komunikuar me ta pas një përplasje që ajo ka patur me profesor Konin në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Për llogari të kësaj dosje, prokuroria thotë se do të pyetën edhe disa noterë në Tiranë dhe Durrës, të cilët kanë përpiluar disa kontrata, që dyshohet se janë të falsifikuara. Po ashtu, pyetjeve do t’u nënshtrohen edhe gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit dhe Tiranës, të cilët janë shprehur në favor të Shullazit dhe bandës së tij, me vendime që bien ndesh me ato të Gjykatës Lartë dhe Kushtetuese.
Këto vendime, dyshohet se janë dhënë nga frika e presionit dhe kërcënimeve të vazhdueshme duke regjistruar edhe prona të caktuara, si ish hotel Vollga në Durrës apo prona të tjera në Tiranë.

About The Author

Related posts