Gusht 21, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Spitali i Traumës nuk ka as antibiotikë, Ilir Beqja: Do vijnë pas ca ditësh!

Spitali i Traumës nuk ka as antibiotikë, Ilir Beqja: Do vijnë pas ca ditësh!

KMA NEWS / Prej disa ditësh në Spitalin Universitar të Traumës nuk ka antibiotikë. Në fakt, mungesat janë të të gjitha llojeve, por mjekët shpjegojnë se antibiotikët janë nga më të nevojshmet në spital.

“Antibiotikët janë ilaçe që nevojiten për traumat, nga më të lehtat tek më të rëndat. Kemi parasysh këtu edhe traumat e këmbës, krahut, barkut apo gjoksit. Pra janë të domosdoshëm për çdo lloj plage”, kanë thënë bluzat e bardha për “Gazeta Shqiptare”.

Sipas protokolleve mjekësore, në një spital universitar duhet të ketë minimalisht 2 lloje antibiotikësh që kombinojnë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të garantohet shëndeti i të sëmurëve. Nga ana tjetër, mjekët theksuan se po detyrojnë familjarët e pacientëve t’i blejnë vetë këto ilaçe, ndërkohë që për shkak të kësaj situate, në disa raste ka pasur edhe konfrontime.

“Kemi filluar të lëshojmë receta për t’i blerë antibiotikët nëpër farmacitë jashtë spitalit. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Patjetër, që kjo situatë është pasuar edhe me përplasje mes familjarëve dhe kryesisht infermierëve, që janë në kontakt më të vazhdueshëm me ta, pasi akuzojnë spitalin për mungesat e krijuara”, u shprehën mjekët. Një tjetër denoncim vjen edhe për medikamentet që përdoren për të bërë anestezinë. Sipas mjekëve ato janë drejt përfundimit, çka do të thotë se janë në ‘rrezik’ ndërhyrjet kirurgjikale. “Ne kemi vetëm për pak ditë ilaçe si Prozerina, që përdoren nga anestezistët për ndërhyrjet kirurgjikale. Sigurisht që pa to është e pamundur të kryhen operacionet”, u shprehën mjekët.

Ndërkohë, të kontaktuar nga “GSH” përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se mungesat për antibiotikë janë krijuar si pasojë e vonesës së nënshkrimit të kontratave, pas procedurës së prokurimit të ilaçeve. “Shkak i mungesës së këtyre ilaçeve është bërë nënshkrimi i kontratave, por besojmë se brenda pak ditësh do të bëhet furnizimi i plotë”, u shprehën përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

About The Author

Related posts