Tetor 18, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Pse hesht Rama kur flet Blushi

Pse hesht Rama kur flet Blushi

KMA NEWS

Nga Armand SHKULLAKU

Mund të ketë shumë pikëpyetje sot për të ardhmen politike të Ben Blushit, por një gjë është e sigurtë. Ai po e rrënon në një mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë imazhin e Edi Ramës dhe po e nxjerr gjithnjë e më zbuluar qeverisjen e tij në sytë e shqiptarëve. Dje, ndërsa Blushi denoncoi një mesazh kërcënues ndaj tij për të përgjithësuar atë që ai e quajti llumi që Rama ka marrë përsipër ta përfaqësojë, në ekrane u lexua pastër kapitullimi i kryeministrit dhe fytyra e tij e prerë nga pafuqia për të reaguar.
Kjo pafuqi shkëlqeu edhe më shumë kur kryeministri u ngrit në foltoren e Parlamentit dhe foli gjatë, shumë gjatë, por nuk tha asnjë fjalë për denoncimin që Blushi i bëri jo thjesht një mesazhi kërcënues ndaj tij, por fenomenit që ai e cilësoi si llumi i ngritur në piedestal nga Edi Rama. As e mohoi dhe as kërkoi ndjesë.

Në të gjithë fjalën e tij, kryeministri u mor me Sali Berishën. Shkoi tek kumbullat e kuqe, kaloi nga reforma në drejtësi, doli tek diga e Liqenit, i ra Presidentit dhe mbërriti tek Pandeli Majko, por për akuzat e Blushit nuk shqiptoi asnjë gërmë. Në fakt, Rama përballë Blushit e ka të vështirë të thotë diçka. Në një farë mënyre ndihet i dorëzuar.

Ky kapitullim ishte dje më i dukshëm se kurrë. Përveçse u detyrua të përdorë barkën e vjetër të shpëtimit, Berishën, Ramës i mungoi edhe oratoria e spikatur që shpesh e shpërfaq në Kuvend. Batutat ishin pa ngjyrë dhe përsëritjet të lodhura. Thirri në ndihmë K. Th. Spirin dhe qytetarin dixhital nga Vlora për t’i dhënë pak shije retorikës, por mbeti përsëri tek gjella bajate e krahasimit me Berishën. Ndoshta e ka ndjerë edhe vetë dje lëshimin e forcave dhe pas deja vu-së në foltore, u largua nga Kuvendi.

Rama ishte i pafuqishëm për t’iu kundërvënë Blushit për faktin e thjeshtë se ky e përball me të tashmen dhe të ardhmen, për të cilat ai ka përgjegjësinë direkte. Nëse me Berishën mund të thërrasë në ndihmë të shkuarën, me Blushin ndihet i çarmatosur. Nëse akuzat me tepri të Berishës përpiqet t’i relativizojë, faktet konkrete të Blushit e ka të pamundur t’i mohojë. Nëse çdo gjë që vjen nga opozita e cilëson me lehtësi baltë, baltën e qeverisjes së tij, që Blushi ia tregon me gisht, nuk mundet ta zbardhë duke nxirë të tjerët. Nëse për Berishën e ka lehtë të gjejë argumenta, për Blushin lëshon Taulant Ballën si atentator të argumentit.

Të vërtetat e Blushit nuk kapërdihen me “fajin e ka Saliun”, prandaj Rama e ka të vështirë të flasë jashtë tekstit që reciton prej tri vitesh. Berishës mund t’i kujtojë 21 janarin, drejtorin e tatimeve apo të krahasojë Shukriun me Pangon, po Blushit çfarë mund t’i thotë për kërcënimet në Elbasan apo mesazhet e Elvis Roshit?

Në këtë këndvështrim, opozita e Blushit e bën të pafuqishëm Edi Ramën. I heq të vetmen mbrojtje që ka, krahasimin me të shkuarën. Ose duke perifrazuar vetë Blushin, i heq penelin me të cilin ngjyros gërmadhat e Berishës. Nga “funerali i Rilindjes” e deri tek kërcënimi i Elvis Roshit, në harkun kohor të një viti, Blushi i ka bërë socialistët të ulin kokën përpara shqiptarëve më shumë se në çdo ballafaqim të tyrin me opinionin publik.
Të shumtë janë mbështetësit e Ramës që në vend të përballjes me argumentat e Blushit, zgjedhin të merren personalisht me të apo të bëjnë llogaritë e tij. Më të zjarrtit e akuzojnë për mllef apo inat meqë nuk u bë ministër, disa përpiqen ta rreshtojnë me opozitën. Të tjerët, më të moderuar, flasin për mosqëndrueshmërinë e tij apo kalkulojnë se rrezikon të dështojë nëse del më vete në zgjedhjet e ardhshme. Por në thelb evitojnë të shprehen për ato që thotë Blushi.

Sigurisht që deputeti i PS mund të ketë arsyet e tij që e motivojnë në këtë betejë. Mund të ketë plane për parti të re apo për kompromis të ri. Për këto, nesër do të gjykohet Blushi. Por për ato që po thotë sot, duhet gjykuar Edi Rama dhe qeveria e tij. Heshtja e kryeministrit është shenjë e qartë se gjykimi i opinionit nuk është në favor të tij. E nesërmja e Blushit mund të jetë një pikëpyetje, por dëmi që ai po i shkakton sot qeverisjes së Ramës është i dukshëm. Ai u pa si në fytyrën ashtu dhe në fjalën e kryeministrit dje në Kuvend. Përveç Saliut, Edi Rama, fatkeqësisht nuk ka më asgjë për të na thënë. /mapo/

About The Author

Related posts