Tetor 18, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Shkrimtari i madh: vjen, lëshon dy-tri batuta dhe . . . na le shëndenë!

Shkrimtari i madh: vjen, lëshon dy-tri batuta                        dhe . . . na le shëndenë!

KMA NEWS

Nga  Gjon  BRUÇI

Duke lexuar thirrjen drejtuar intelektualëve të vendit nga pedagogu i ri Arian Galdini, botuar në gazetën “SOT” të datës 15 maj 2016, mendja njëherësh më shkoj tek kryeintelektuali i vendit tim, shkrimtari i mirënjohur, Isamil Kadare. Kjo ndodhi ndoshta për faktin se jo më larg se një ditë më parë, shkrimtari në fjalë, që nga Gjirokastra, ku ndodhej për një vizitë të shkurtër pune e pushimi, lëshoi një deklaratë të shkurtër e cila rezonon me shqetësimin e pedagogut Galdini. Ose më saktë, ky i fundit, me thirrjen e tij kërkonte të rezononte me deklaratën e Kadaresë, por për arsye etike kishte shmangur cilësimin.
Shqetësimi i intelektualit dhe pedagogut Arian Galdini, për gjëndjen aktuale në të cilën ndodhet vendi ynë është shqetësim i të gjithë intelektualëve të vërtetë. “Shqipëria dhe shqiptarët, – shkruan ai, – kanë nevojë që ne t’jua japim shpresën. Po nuk ua dhamë ne shpresën, shqiptarëve ose do t’jua vrasë politika e derisotme shpresën, ose do të na e zbrazin fare nga shqiptarët Shqipërinë e pashpresë”. Po, si intelelektualët, këta “zejtarë të mendimit”, siç i quan pedagogu në fjalë, po e materializojnë këtë angazhim të tyre në situatat aktuale kur midis qytetarëve tanë shpresa për një shtet ligjor e të drejtë, për një shtet të organizuar që vihet jo kundër, por në shërbim të qytetarëve, po shkon drejt shuarjes?
Shqipëria nuk është më në vitet tridhjetë kur intelektualët numëroheshin me gishta, e kur vetëm një dyzinë prej tyre arrinin të mbaronin shkolla të fisme në Europën e atyre viteve. Intelektrualët shqiptarë të shkolluar e të specializuar në epokën e Socializmit, por edhe në vitet e së ashtuquajturës “demokraci borgjeze”, përbëjnë sot një armatë të tërë. Brenda kësaj “armate”, gjenden me dhjetra e qindra intelektualë, të cilët në fushat përkatëse rreshtohen pa frikë krahas kolegëve të tyre perendimorë. Këta individë, nëse do të angazhoheshin me potencialet e tyre intelektuale e teknike, jo vetëm do të ngjallnin shpresën gati në shuarje të shqiptarëve, por edhe do të bëheshin realizuas të kësaj shprese dhe të dëshirës së tyre, që nuk është asgjë më tepër se jetesa me dinjitet në tokën ku kanë trashëguar prej të parëve. Sigurisht kjo “armatë intelektualësh” e don një “komandant” armate, ndryshe ajo do të të çthurej, ashtu siç dhe ka ndodhur në të vërtetë.
Siç po duket sheshit, politika dhe politikanët aktualë, së bashku me partitë e tyre klanore nuk mund të jenë kurrsesi “Komanda” të vërteta të armatës së intelektualëve. Mbase shumë shpejt do të vijë dita që partitë politike, sidomos këto të llojit “pluripartiak”, të dalin nga skena politike dhe situatën ta marrin në dorë struktura të tjera shoqërore. Dhe, a nuk është armata e intelektualëve “struktura” më e përshtatshme, për drejtimin e shoqërisë?! Po, kush mund të jetë në krye e në komandë të kësaj armate? Pa diskutim, duhet të vihen kryeintelektualët. Dhe kandidatura për këtë “post” Shqipëria ka jo pak. Por për fat të keq, një pjesë e këtyre kryeintelektualëve, në vend që të gjenden në ballë të “armatës”, janë strukur në domenin e tyre, duke iu shmangur ballafqimit dhe ndeshjes me intelektualin mediokër, i cili ka dalë në krye të “oxhakut” për të na ngritur një shtet mediokër dhe lapanjoz. Për më keq, disa prej këtyre kryeintelektualëve, jo vetëm i janë shmangur “frontit” të luftës së përditshme për të bërë demokracinë, shtetin dhe Shqipërinë, por nuk mungojnë të lëshojnë edhe deklarata e sofizma sureale, të cilat janë “fine” për median dhe auditoret e aristrokacisë, por krejt “fule” për qytetarin e thjeshtë, që pret prej “zejtarit të mendjes”, diçka konkrete për jetën e tij shpresëhumbur.
Le të jem pak më konkret në ato që dua të them. Tre pyetje iu bënë nga gazetarët, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, kur këto ditë u ndodh në Gjirokastër, në shtëpinë e tij, tashmë të kthyer në muze. Tre pyetje që mblidheshin në një shqetësim të përbbashkët për gjendjen aktuale të vendit tonë, e cila tashmë dihet dhe ndjehet nga të gjithë që është në zgrip. Përgjigjet e kryeintelektualit ishin jo vetëm si përgjigjet e një ambasadori, apo vizitori të huaj, që thotë shumë e s’thotë asgjë, por për fat të keq kishte brenda dhe të pavërteta.
“Shqipëria, – tha midis të tjerave shkrimtari Kadare, – është kthyer nga Europa, është në kohën e tretë të saj. . . Në dy kohët e para, ajo shikonte e jetonte me lindjen, orientin. Një herë për shkak të pushtimit otoman dhe herën e dytë për shkak të komunizmit . . .”
E pavërteta qëndron në këtë të fundit. Nëse Shqipëria sot, megjithë zhgarravitjen njëzet e pesë vjeçare që i ka bërë e ashtuquajtura demokraci borgjeze, ka ende këllqe për të shkuar në Europë, kjo meritë i dedikohet periudhës gjysëm shekullore të socializmit. Argumenti më i saktë dhe më konkret është vetë shkrimtari ynë i madh, i cili, arritjet në krijimtari të periudhës socialiste, ai nuk po i kapërcen dot, edhe pse ka njëzet e pesë vjet që jeton në vilat moderne të Europës. Po, nga Europa kemi marrë e po marrim disa gjëra që nuk i patëm asnjëherë, as kur ishte pushtimi otoman, e as kur ishte “pushtimim komunist”. Martesën burrë me burrë apo grua me grua, që nuk arriti otomani të na e injektontë për 450 vjet, po na e proftas Europa në një të njëzetën e kësaj kohe. Nëse kryeintelektuali ynë, paradën e LGBT-së të inkurajuar nga ambasadori Donald Lu dhe Avokati i qytetarëve tanë Totozani e unifikon me “Kohën e Tretë të Shqipërisë”, atëherë unë do të preferoja të mos jetoja në këtë lloj kohe. Dhe besoj se në këtë harakiri kam shumë pasues.
Të pavërtetës së mësipërme shkrimtari i madh i shton dhe dy të tjera, kur i duhet të anashkalojë situatën aktuale në krizë të thellë politike e social-shoqërore që kalon vendi, si dhe të justifikojë faktin që edhe pas njëzet e pesë vitesh “liri e demokraci” shqiptarët nuk e kanë ndalur, madje e kanë shtuar emigrimin. Për të parën, për krizën që ka mbërthyer politikën, shoqërinë, vendin, mjaftohet me frazën ujem: “Kur shanset janë të mëdha, edhe problemet janë të mëdha”! Ndërsa për të dytën, për emigracionin në rritje që po e çon vendin drejt shpopullimit, këput dy kopaçe që nuk mund të përtypen as me dhallë: “Emigrimi – thotë kryeintelektuali ynë, – vijon për dy arsye: për faj të izolimit të gjatë komunist, por edhe sepse kjo gjë këto kohët e fundit është bërë modë”!
Konkluzionit të gabuar të shkrimtarit, unë do ti vë përballë fjalën e një të reje shqiptare, e cila në një takim të organizuar me të rinjtë shqiptarë në kuadër të “Javës Europiane”, me shumë emocion dhe lot në sy iu drejtua ambasadores së BE, Romana Vlahutin, duke i thënë: “Nuk kam dëgjuar një politikan të flasë të vërtetën për vendin tim. Nuk kam dëgjuar një politikan në 25 vjet të flasë diçka të mirë për njerëzit e mi. Në 25 vjet politikanët shqiptarë janë ankuar për 45 vitet e komunizmit. Kujt dreqin i nevojitet kjo? Ja pse drejtësia nuk funksionon. Se në një vend si ky, në Parlament, ne nuk na lejohet të themi të vërtetën. Ju ambasadorët po bëni punën tuaj këtu, dhe po e bëni shumë mirë, por asnjë nuk do t’ju dëgjojë se vendi im nuk ka ndërgjegje. Pyeti këta të rinj, a duan të rrinë këtu? Më vonë, ata do të thonë të vërtetën”!
Dhe kjo vajzë, që nuk është e vetmja në vendin tonë, është lindur e rritur jo në kohën e “komunizmit” por në këtë të “demokracisë”. Nga ana tjetër, mendimet dhe revolta e saj dhe e shoqeve të saj nuk kanë të bëjnë fare me “modën”, përkundrazi është një revoltë ndaj realitetit të sotëm sterrë. Revolta dhe guximi i tyre duhet të mbështetet e të udhëhiqet, pikërisht nga intelektualët, të cilët për fat të keq dhe në shumicë, ashtu siç kontaton pedagog Galdini, e kanë vendosur dijen, përgatitjen dhe ndriçimin e mendjes për shtëpitë e tyre me ajër të kondicionuar, me vila me hapësira të bollshme e në vende ekzotike, duke mos menduar aspak për të tjerët dhe për vendin e tyre që i lindi, i rriti e i çoi në nivelet e “zejtarëve të mendjes”.
Në një shkrim modest të botuar në gazetën “Shekulli” të fillim shkurtit të këtij viti, autori i këtyre radhëve iu drejtua me një apel qytetar dy kolosëve të sotëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes. “Të dy këta personalitete, – thuhej në atë apel të thjeshtë, – falë meritave dhe kontributeve në fushën e letrave shqipe me permasa kombëtare e ndërkombëtare, janë propozuar e nominuar për “Nobelin” e madh. Marrja e këtij çmimi, do të ishte një arritje dhe sukses i shënuar për çdo shqiptar. Ndaj dhe unë dëshiroj e uroj që kjo të realizohet. Por nëse ata do të merrnin përsipër të inicionin e të realizonin një Lidhje të re të Shqiptarëve, si ajo e vitit 1878 në Prizren, apo si ajo e vitit 1942 në Pezë, atëherë çmimi i famshëm “Nobel”, do të dukej liliput përpara çmimit të madh të Kombit, i cili pret prej elitës së tij ta rinxjerrë nga tuneli i errët ku elita bastarde politike e ka futur në këto dy dekada e gjysëm”.
Apelin në fjalë personalitetet e mësipërme mund të mos e kenë lexuar. Por ama situatën në krizë të vendit tonë, ata e shohin dhe e njohin. Nisur nga ky fakt dhe falë statusit të veçantë që me të drejtë ata dhe shumë të tjerë kanë fituar në shoqëri, e kanë më të mundshme të dalin në ballë të armatës intelektuale dhe të ndalojnë mediokritetin, i cili ka përmbysur vlerat e vërteta duke i zëvendësuar me antivlerat. E në mos mundshin ta bëjnë këtë gjë; e në mos mundshin të imitojnë Abdyl Frashërat, Luigj Gurakuqët, Shtjefën Gjeçovët e plot intelektualë të kohës, të cilët shkrinë për vatanin jo vetëm dijet dhe pasuritë, por edhe jetën, të paktën të mos lëshojnë batuta pa përgjegjësi që, jo vetëm nuk ngjallin shpresën, por e shuajnë atë. Siç ndodhi me shkrimtarin tonë këto ditë në Gjirokastër, i cili pas dy tre batutave “varak” për sistemin që po aplikojmë, na la shëndenë, duke u kthyer tek kulla e tij e “fildishtë” atje në Paris, ku rreket të marrë “Nobelin”, në vend që të luftojë për të marrë medaljen e shqiptarit të vërtetë mëmëdhetar!

 

About The Author

Related posts