Tetor 14, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Deputetët e PD i kërkojnë Bashës të miratojë reformën (debatet)

Deputetët e PD i kërkojnë Bashës të miratojë reformën (debatet)

KMA NEWS / Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha u përball me deputetët demokratë që i bënë të qartë se PD po merr një faturë të pamerituar, për kundërvënien ndaj ambasadës amerikane. Eduart Selami dhe Majlinda Bregu ishin më të qartë në kërkesën e tyre. Sipas Lulzim Bashës është e qartë se loja politike e mazhorancës synon t’ia lërë Partisë Demokratike faturën e reformës në drejtësi, për ta përdorur në zgjedhjet e ardhshme. Por Basha theksoi se PD është po ashtu e qartë se duhet konsumuar çdo rrugë për të arritur tek konsensusi.

DEBATI NË GRUPIN E PD

Lulzim Basha: Dua t’ju informoj se jemi shumë pranë arritjes së një konsensusi me të gjitha forcat politike për të miratuar me konsensus Reformën në Drejtësi. Këtë konsensus, negociatorët tanë e kanë arritur dy ditë më parë në komision, por ka qenë një propozim i beftë dhe i pakuptimtë i ardhur nga përfaqësuesi i BE-së në këto negociata që ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e konsensusit. Por jam besimplotë që kjo sakrificë nuk do të bëhet pengesë dhe ne si forcë politike do të bëjmë gjithçka për ta kaluar reformën.

Arben Imami: Dua të kërkoj një gjë të përsëritur nga Partia Demokratike. A mund të kemi një qëndrim më të fortë politik ndaj ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin? Duhet të ishim artikuluar më parë, por edhe tani që flasim nuk është vonë nëse e themi të vërtetën ashtu siç është. Është një ambasadore e angazhuar publikisht dhe politikisht në përkrahje të qeverisë. Teknicieni që EURALIUS ka në tryezën e negociatave, sigurisht ka ndryshuar qëndrim vetëm përmes mesazheve që vijnë nga ambasadorja e BE-së në Tiranë për ta kundërshtuar konsensusin që u arrit. Mbështes atë që tha Z.Basha se ka një plan për t’ia faturuar opozitës këtë çështjen e reformës, që më pas të përdoren në fushatë.

Sali Berisha: Propozimi i fundit i bërë nga ai eksperti i EURALIUS ishte realisht i papranueshëm për ne. Është një propozim stalinist, është oruellian. Më mirë të thonë hajde miratojmë listën e Ramës dhe të jemi të qartë, sesa Rama thotë këtë dhe këtë s’e do opinioni.

Igli Cara: Kemi 1 vit e gjysmë që nga koha kur është mandatuar z.Halimi dhe jeni mandatuar edhe ju për të udhëhequr negociatat për Reformën në Drejtësi me maxhorancën. Që nga ajo periudhë janë bërë ndryshime shumë pozitive, të cilat janë meritë e Partisë Demokratike. Siç na keni bërë me dije, sot dhe mbrëmë Edi Rama nuk lëshon dy elementë teknikë, të cilat parimisht normalisht janë principale, parimore. Tani është anormale që Kryeministri të na fusë në kurthin e tij, duke na bërë që për këto dy elementë të mos mbajmë qëndrim për Reformën në Drejtësi. Nuk mund të lejojmë që dy elementë teknikë të rrëzojnë 99% të punës që kemi bërë. S’mund të mbajmë ne faturën për reformën, kur përgjatë gjithë procesit pengesa ka qenë Edi Rama. Nga ju personalisht, por edhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike duhet gjetur mundësia teknike që Ramës t’i zhvishet ky argument dhe kjo çështje teknike. Për sa i takon çështjes së votimit, të gjithë ne votojmë në të njëjtën linjë dhe sipas vendimit politik të Grupit Parlamentar të PD-së.

Lulzim Basha: Jam plotësisht dakord me të gjitha ato që the dhe pikërisht mbi këtë gjë jemi duke punuar.

Igli Cara: Ajo që unë shoh si shqetësim dhe që dua të investohemi, është që fatura të mos i ngelet Partisë Demokratike. Një tjetër çështje që më ka bërë përshtypje këto ditët e fundit është se diskutimi për Reformën në Drejtësi është bërë trepolar, ndërkohë që më parë ishte dypolar. Në momentin që ky diskutim bëhet trepolar, nuk mund të lejojmë që në momentin e fundit dikush të na shpallet si babai i kombit.

Eduard Selami: Jemi futur në një rreth vicioz, apo në një spirale kur ndërkombëtarët na shohin si pengesë? Ju thatë se vetëm neni 88-të ishte pengesa. Partia Demokratike kurrsesi nuk mund të krijojë të tilla distancime sa u takon qëndrimeve që mban në raport me aleatët tanë të SHBA-ve e BE-së. Jemi një forcë politike që jemi krijuar si parti mbi frymën perëndimore dhe me mbështetjen amerikane. Nuk mundemi që me të tilla qëndrime të jemi kaq të ndryshëm, pikërisht me këta aleatë strategjikë. Është një peshë e madhe që Partia Demokratike nuk ka pse ta mbajë dhe nuk duhet ta mbajë për aq kohë sa e gjithë anëtarësia e saj kërkon që të miratohet kjo reformë. Z.Basha ju personalisht në mbledhje, në media, në dalje zyrtare keni dalë për javë, ndoshta edhe për muaj me radhë, nëse jam i saktë dhe keni thënë nëse maxhoranca pranon që të zbatojë rekomandimin e 88-të të Komisionit të Venecias, unë do të jem gati në atë moment të votoj me Grupin Parlamentar reformën. Sot ky rekomandim është tejkaluar sepse është pranuar prej kohësh, ndërkohë që kanë dalë çështje të tjera. Unë mendoj se duhet të jemi koherentë dhe më korrektë me qëndrimet që mbajmë, sidomos kur ato i japim përpara aleatëve tanë.

Lulzim Basha: Z.Selami, më fole më tepër në mënyrë të përgjithshme mbi parimet e Partisë Demokratike, të cilat i njoh shumë mirë, pavarësisht se nuk kam shumë kohë në krye të partisë. Ti nuk ke qenë prezent në të gjitha mbledhjet e grupeve parlamentare, por ne kemi ecur mbi këtë rrugë për të cilën unë fola dhe sqarova. Nëse je në brendësi të gjithë negociatave, do të kuptosh që kemi qenë gjithnjë koherentë me qëndrimet që kemi mbajtur, ndërkohë që jemi përballur me një palë që më shumë sesa për reformën kanë qenë të interesuar për t’i lënë një faturë opozitës, me të cilën të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme. Pikërisht për këtë arsye edhe ne kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi dashur që në çdo moment publiku të njihet mbi qëndrimet kontradiktore të shumicës. Rasti më i fundit ishte një ditë më parë, negociatori ynë, z.Bylykbashi, ka qenë prezent deri në orën 2 të mëngjesit kur edhe është arritur një dakordësi dhe në kohën kur është arritur marrëveshja, negociatori i tyre ka nxjerrë një tjetër arsyetim për ta rrëzuar konsensusin.

Majlinda Bregu: E thashë edhe në mbledhjen e një jave më parë dhe dua ta përsëris edhe sot. Partia Demokratike nuk duhet të mbajë një peshë shumë të madhe, që për më tepër edhe nuk i takon dhe që lidhet me mosvotimin e Reformës në Drejtësi. Ne nuk mund t’u dalim kundër ambasadorëve dhe jo më t’i shpallim “luftë” Ambasadës së SHBA-ve. Qëndrimi ynë si forcë politike duhet të jetë i qartë dhe unë mendoj se nga kjo mbledhje duhet të dalim me një vendim për të miratuar si Grup Parlamentar Reformën në Drejtësi. Nuk shoh se ka vend për të bërë diversion dhe përllogaritje në raport me forca të tjera politike. Edhe kjo çështja teknike e fundit që ka ngelur në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut besoj se duhet të marrë fund. Janë histori të vjetruara këto që kanë qarkulluar këto ditë dhe mbi bazën e të cilave janë zhvilluar diskutimet e fundit. Filmat me diversantë dhe desantë ajrorë i kemi lënë pas qëkur ishim fëmijë. Ndaj edhe vota e PD-së të mos lihet për në momentin e fundit, por të deklarohet hapur pro reformës në Kuvend. Sepse kam parë ditët e fundit se fillimisht është parë qëndrimi i Ilir Metës dhe LSI-së për reformën dhe më pas ka dalë me deklarata mbështetëse edhe PD-së. Po ne nuk kemi pse të jemi të varur me forca të tjera jashtë spektrit tonë politik dhe për më tepër me forca që nuk janë pjesë e koalicionit opozitar. Ne koalicionin e kemi me shqiptarët. Ata e duan reformën, ata na ndëshkojnë me votë nëse fatura e dështimit të kësaj reforme na ngelet ne.

Lulzim Basha: Jam plotësisht dakord! Për këtë çështje po negociojmë. Ne si forcë politike edhe publikisht e kemi deklaruar se jemi që Reforma në Drejtësi të kalojë, por të kalojë përmes konsensusit.

Majlinda Bregu: Thatë se ka pasur një tërheqje nga maxhoranca pas negociatave që kanë zgjatur deri në orën 02:00 të mëngjesit. Unë propozoj që të kërkohet që të zbardhen procesverbalet e asaj mbledhjeje dhe opozita t’i bëjë publike ato në media. E kam thënë edhe vazhdoj ta përsëris, duhet të investohemi që kjo faturë, kjo përgjegjësi për reformën të mos bie mbi ne.

Lulzim Basha: Patjetër, edhe kjo mund të jetë një formë. T’i marrim ato procesverbale t’jua vëmë në dispozicion juve si deputetë, por edhe medias.

Astrit Patozi: Përtej faktit që PD-ja është në një pozicion të panatyrshëm si në konflikt me Perëndimin, kam edhe një shqetësim tjetër. Tani nuk ka më kohë për të shpjeguar detajet, ku kemi ngecur, edhe sikur ne të kemi të drejtë. Tani duhet marrë një vendim i qartë politik, sepse retorika nuk ka me asnjë vlerë, sepse të gjithë janë të lodhur nga gati dy vjet debate. Në këtë forum ne duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe duhet ta themi se nuk është më çështje parimesh, por pragmatizmi politik. Sepse vetëm për parime nuk mund të flitet më në politikën shqiptare. Dhe duhet ta pranojmë se edhe ne nuk jemi të larë në këtë histori, se kemi edhe ne njollat tona të errëta në këto vite apo në këtë proces, pavarësisht se kundërshtari mund të ketë bërë më shumë gjynahe. Shembulli më tipik ishte kur dikush mbrëmë tha se unë nuk jam ai që isha dje dhe ju e dini për kë e kam fjalën. Pra, vetëm pragmatizmi ngelet të merret në konsideratë. Dhe pyetja ime është nëse i kemi ne votat për ta ndalur atë që sipas nesh është e pavotueshme? Sepse do të ishte dyfish e rënde që reforma të kalojë dhe ne të votojmë kundër. Unë sërish këmbëngul që konsensusi është i mundur dhe ne duhet ta kërkojmë. Por edhe në rast se nuk e arrijmë, ne nuk duhet të votojmë kundër një reforme që mund të kalojë edhe pa ne.

Genc Ruli: Kam lexuar në lidhje me kushtet që do të duhet të pranoj një person që do të punojë në Prokurorinë Speciale. Dhe të jem i sinqertë, nuk e konceptoj se si njeri me vullnet të pranojë të jetë i përgjuar përgjatë gjithë kohës. Për më tepër, të përgjohet jo vetëm ai, por edhe familjarë të tij. Unë besoj se asnjë njeri i ndershëm nuk do të pranonte të ishte i përgjuar dhe i survejuar gjatë gjithë kohës, t’i përgjohej bashkëshortja, t’i përgjohej vajza etj./Panorama

About The Author

Related posts