Gusht 20, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Hoyt Yee në Shkup

Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Hoyt Yee në Shkup

KMA NEWS / Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee ndodhet në Shkup, ku po takohet me drejtuesit e partive shqiptare, ndërsa nesër do të bisedojë me ata të partive maqedonase dhe autoritetet tjera shtetërore.

Prokuroria publike e Maqedonisë ka ngritur aktakuzë për 15 persona të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet e së enjtes në parlament.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate ka identifikuar me emra disa prej sulmuesve, për të cilët thotë se janë të lidhur ngushtë me strukturat e partisë VMRO-DPMNE.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, vjen në Shkup në një situatë krize që mbahet mend mbase vetëm gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001. Zyrtari amerikan takohet me drejtuesit e partive kryesore politike: Nikolla Gruevskin, Zoran Zaevin, Ali Ahmetin Bilall Kasamin, Vesel Memetin në vend të Ziadin Selës, i cili vazhdon të trajtohet në spital nga lëndimet e sulmeve të së enjtes në parlament. Edhe Menduh Thaçi është në axhendën e takimeve të Hoyt Yee, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ambasada amerikane në Shkup bën të ditur se zoti Yee do të zhvillojë takime edhe me presidentin Gjorgje Ivanov si dhe me kryetarin e ri të parlamentit, Talat Xhaferin.

Bisedimet pritet t’i përkushtohen çështjes së formimit të qeverisë, realizimit të reformave dhe marrëdhënieve të dyanshme në mes SHBA dhe Maqedonisë, siç njofton Ambasada amerikane.

Hoyt Brian Yee do të përpiqet të ndihmojë në uljen e tensioneve të krijuara gjatë sulmeve të dhunshme në parlament para 3 ditësh, ndërkohë që partia VMRO-DPMNE vazhdon të mos e njohë Talat Xhaferin si kryetar parlamenti, ta vërë në dyshim legjitimitetin e tij dhe mënyrën e shpalljes së tij si krye-parlamentar.

Por, nga ana tjetër, Brukseli dhe Uashingtoni kanë lënë të kuptohet se do të bashkëpunojnë me kryetarin e ri të parlamentit të Maqedonisë për të mbështetur demokracinë dhe për të çuar përpara interesat e këtij vendi.

Prokuroria publike maqedonase ka njoftuar për ngritjen e fletë-arresteve ndaj 15 personave të dyshuar për sulmet e dhunshme në parlament. Një pjesë e mjeteve të informimit, në bazë të njoftimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, thotë se në mesin e të arrestuarve është dhe një shef i Shërbimit të kundërzbulimit dhe një deputet. Autoritetet e rendit as nuk e kanë përgënjeshtruar e as konfirmuar lajmin.

Lidhja Social Demokrate shprehet e habitur për numrin e vogël të të ndaluarve dhe për rikualifikimin e akuzës fillestare nga “përpjekje për vrasje” në “pjesëmarrje në turmë”.

Dhuna është regjistruar nga kamerat televizive dhe kamerat e sigurisë së parlamentit dhe aty duken qartë fytyrat e shumë prej sulmuesve që përgjakën dhe lënduan ligjvënësit, ndër ta dy kryetarë partish, ndërsa lëndime kanë marrë edhe punonjës të tjerë të parlamentit dhe disa pjesëtarë të medias.

Ali Ahmeti përfaqësuesit amerikan : Nuk ka kthim pas për Maqedoninë

Ali Ahmeti takohet me zyrtarin amerikan: Nuk ka kthim pas për Maqedoninë

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti gjatë takimit me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Evropën dhe EuroAzinë, Hoyt Brian Yee, tha se Maqedonia nuk do të bëjë kthim pas dhe stabiliteti është ajo që i duhet.

“Republikës së Maqedonisë në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, i duhet që institucionet të funksionojnë. Sigurisht që kthim pas nuk ka të gjitha këto zhvillime, nëse ne nuk vetëdijesohemi sigurisht që i dobësojmë të gjithë qytetarët e RM-së. Të pranohet ky realitet i ri, zgjedhja e kryetarit të parlamentit të mbështetet edhe nga to forca që kontestojnë zgjedhjen e zotit Xhaferi si kryetar të Parlamentit, sepse zgjedhja është bë në rrugë ligjore dhe legjitime”, deklaroi kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu tha se është në komunikim me VMRO-në sepse janë forca politike të një vendi. Ndërkohë i pyetur se nëse Veljanoski thërret vazhdimin e seancës, deputetët e BDI-së do të marrin pjesë apo jo, u shpreh i prerë se Veljanoski nuk ka të drejtë morale e as ligjore të thirrë seancë, sepse nuk ka shumicë parlamentare, dhe se duhet të pranoj realitetin se tanimë Talat Xhaferi është kryetar i ri i Kuvendit.

About The Author

Related posts