Gusht 21, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Zgjedhjet e Qershorit: Partia Komuniste e Shqipërisë thirrje Popullit Shqiptar

Zgjedhjet e Qershorit: Partia Komuniste e Shqipërisë thirrje Popullit Shqiptar

KMA NEWS

THIRRJE E PARTISË KOMUNISTE TE SHQIPERISE DREJTUAR POPULLIT SHQIPTAR
-për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-

POPULL SHQIPTAR !
Prej 27 vitesh Shqipëria po përjeton një sistem politik nga më ekstravagantët në formë, e nga më të egrit e djallëzorët në përmbajtje. Sistemi në fjalë, me emërtimin “Ekonomi e lirë e tregut”, nxori në “tregun e lirë”, më saktë në “pazar”, jo vetëm ekonominë dhe pasuritë natyrore të shqiptarëve, por edhe pasuritë shpirtërore të patjetërsueshme të tyre.

Pa diskutim, shkaktarët e kësaj situate në zgrip e në udhëkryq ku ndodhemi, janë liderët e partive politike, PD, LSI dhe PS që kanë dirigjuar jetën politike dhe shtetin. Këta gangsterë politikë, këta “Al Kapone” të shekulli të ri, pasi degjeneruan partitë e tyre, duke i kthyer në instrumente fasadë për mashtrimin e elektoratit, arritën të kriminalizonin edhe Kuvendin e Shqipërisë, alias Parlamentin, këtë tempull të Sovranit Popull dhe, nëpërmjet tij kriminalizuan e po kriminalizojnë shtetin, administratën dhe gjithë jetën e shoqërisë shqiptare. Vetëm veprimi më i fundit, siç ishte “Çadrizmi” 90 ditor i Partisë Demokratike, i përcjellur me kompromis-marëveshjen tragjikomike të “Rilindjes”, inkurajuar me sjelljen tinzare të LSI-së, dhe “përuruar” në seancën karnevaleske parlamentare të datës 22 maj 2017, mjafton për të argumentuar akuzën e Partisë Komuniste dhe të të gjithë shqiptarëve të ndershëm ndaj këtyre tri partive dhe bishtave që i kanë ndjekur e i ndjekin, në inkursionin e tyre antipopullor e antikombëtar.

Përballë kësaj situate, kur është vënë në rrezik ardhmëria e shqiptarëve dhe e vendit të tyre, çështjen duhet ta marrë në dorë Populli, i cili ka të drejtën legjitime dhe mundësinë reale të përmbysë këtë kastë të degjeneruar gjer në gen, dhe të vendosë vetë për fatin dhe të ardhmen e tij. Për t’ja arritur kësaj, Sovrani Popull duhet të “çlirojë” nga uzurpatorët Tempullin e tij, Kuvendin e Shqipërisë, që krerët e “TRIO-s partiake PD, PS, LSI dhe bishtat e tyre e kanë transformuar në një “Klub Mafiozësh”, ku shitet nderi, dinjiteti dhe identiteti i shqiptarit dhe i vendit të tij. Në këtë Tempull të lartë, prej 27 vjetësh nuk kanë ligjëruar përfaqësuesit e vërtetë të popullit, por hajdutët dhe mashtruesit e tij. Skotës e tyre të korruptuar, duhet t’u mbyllet dera e Kuvendit të shqiptarëve. Është rasti dhe mundësia që kjo punë të nisë në zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat me rezultatin e tyre, duhet të shënojnë një nisje të re në rrugën e vështirë të lirisë e të demokracisë popullore.

POPULL SHQIPTAR
Partia Komunste e Shqipërisë, është futur në betejën elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit, për t’u vënë në shërbim të popullit dhe së bashku me popullin, të realizojë jo thjeshtë rrotacionin e zakonshëm të politikanëve dhe pushtetarëve mafiozë, por ribërjen nga e para të tri pushteteve: Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit, të cilët kanë degraduar plotësisht dhe nuk mund të vihen në punë as me rrotacione, e as me inxheksione, por vetëm me transformime të thella demokratike.
Angazhimin dhe përkushtimin e komunistëve dhe të partisë së tyre në çështjen e popullit e të Atdheut e ka vertetuar historia.

Ishte Partia Komuniste Shqiptare, e udhëhequr nga Shqiptari i Madh Enver Hoxha, e cila ideoi, udhëhoqi dhe realizoi dy nga epokat më të lavdishme të Historisë së shqiptarëve, Epokën e LANÇ dhe atë të ndërtimit të Shqipërisë së Re e Moderne. Komunistët e sotëm, të organizuar në Partinë Komuniste Shqiptare kanë të njëjtin program politik, ideologjik dhe atdhetar, siç i patën hartuar themeluesit e saj, Enver Hoxha me shokë në 8 Nëntorin e zjarrtë të vitit 1941. Pikërisht nga ky pozicion, ne sot kemi të drejtën morale t’i drejtohemi popullit për mbështetje në zgjedhjet politike, vota e të cilit do të na japë mundësinë të angazhohemi e të kontribuojmë më sukses në realizimin e transformimeve që kërkohen për ndërtimin e shtetit të vërtetë ligjor, ku në themele të të cilit të jetë Demokracia Popullore.

E bindur se PD, PS e LSI, falë “bëmave” të liderëve të tyre kanë dalë nga shinat e demokracisë dhe janë kthyer në parti antipopullore dhe antikombëtare, Partia Komuniste ka vendosur të hyjë në zgjedhje si subjekt politik më vehte, duke mos pranuar koalicione numnrash, por vetëm koalicionin e madh me popullin.
Nisur nga kjo PKSH u drejtohet Veteranëve të LANÇ; pjesëtarëve e të afërmve të familjeve të Dëshmorëve, punëtorëve, fermerëve dhe qytetarëve të papunë; ushtarakëve të liruar e në rezervë; intelektualëve popullorë; studentëve e nxënësve të shkollave, vajzave e grave të qytetit e të fshatit, me thirrjen: ME DATËN 25 QERSHOR, VOTONI DEPUTETËT E PARTISË KOMUNISTE!

-Deputetët komunistë në Kuvend do të jenë, SYRI JUAJ VIGJILENT, ZËRI JUAJ I VËRTETË, AKUZA JUAJ E DREJTPËRDREJTË, për të zbuluar e demaskuar lojën mafioze të politikanëve e pushtetarëve të shitur dhe së bashku me ju, DO T”I THONË NDAL REVANSHIT ANTIPOPULLOR E ANTIKOMBËTAR, që kërkon të na degjenerojë e deformojë jetën dhe traditat tona të mrekullueshme,

NGA TRIBUNA E KUVENDIT, DEPUTETËT KOMUNISTË: do t’i tregojmë popullit dhe veçanërisht brezit të ri të vërtetat e ndritura të Epokës Enveriane, epokë e cila ndryshon si gëzimi me hidhërimin, si drita me errësirën, si jeta me vdekjen me gjendjen e mjerueshme politike, morale, shpirtërore, dhe social-ekonomike të ditëve të sotme. Do të demaskojmë tradhëtinë e pashembult që ju bë shqiptarëve në fundvitet nëntëdhjetë, duke e kthyer vendin e tyre nga një vend e popull krenar e me dinjitet në brigjet e Adriatikut, në një liman hajdutësh, kontrabandistësh e mafiozësh, në një liman ku kryqëzohen e ndërthuren aferat më të ndyra të politikës antishqiptare në rajon e më gjerë.

NGA TRIBUNA E KUVENDIT, DEPUTETËT KOMUNISTË do të demaskojnë dhe nuk do të votojnë asnjë ligj që bie ndesh me interesat e qytetarëve dhe veçanërisht me interesat kombëtare. Duke përdorur votën me guxim dhe zgjuarësi, do të ndërmarrin nisma ligjore për mbrojtjen e punëtorëve, fshatarëve, ish ushtarakëve, mësuesit, rininë dhe sidomos shtresat e margjinalizuara që sot jetojnë nën kufirin e varfërisë. Për çështje që lidhen me fatet e vendit e të kombit, deputetët komunistë, jo vetëm do të kundërshtojnë vendimet e Kuvendit, por edhe do ta braktisin atë, duke dalë në rrugë për të organizuar e drejtuar popullin në protesta.

QYTETARË TË SHQIPËRISË!
Prania e deputetëve të Partisë Komuniste në Kuvend, aty ku “gatuhen” e marrin udhë ligjet që administrojnë shoqërinë e organizuar në një shtet të së drejtës, në një shtet ligjor e në shërbim të qytetarëve, do të siguronte:
-TRIBUNËN E VËRTETË TË FJALËS SË LIRË,
-TRIBUNËN E MBROJTJES SË INTERESAVE TË VETERANIT, PUNËTORIT, FERMERIT, INTELEKTUALIT DHE GJITHË SHTRESAVE TË VARFËRA TË QYTETIT E TË FSHATIT,
-TRIBUNËN E LUFTËS PËR LIRI, PAVARËSI E DEMOKRACI POPULLORE
-TRIBUNËN E PËRPJEKJEVE PËR ZHVILLIM, MIRËQENIE E PROSPERITET KOMBËTAR.

Është në dorën tuaj ta realizoni këtë TRIBUNË kaq shumë të domosdoshme për ju, për ne, për të gjithë brezat e sotshëm e të ardhshëm. Mjafton të ktheni kokën dhe zemrën nga PARTIA KOMUNISTE, duke i dhënë votën, me besim të plotë se ajo nuk do t’ju zhgënjejë në misionin e saj historik në shërbim të popullit e të Atdheut.
VOTONI PËR PARTINË KOMUNISTE TË SHQIPËRISË – FORCA POLITIKE QË PËRFAQËSON E MBRON VENDOSMËRISHT INTERESAT TUAJA JETIKE !

PARTIA KOMUNISTE E SHQIPËRISË

About The Author

Related posts