Dhjetor 08, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Manaj e Hysi nxjerrin provat sekrete që u treguan prokurorët për Tahirin

Manaj e Hysi nxjerrin provat sekrete që u treguan prokurorët për Tahirin

Kreu i Komisionit të Ligjeve dhe Nënkryetarja e Kuvendit nxjerin në media detaje nga raportimi me dyer të mbyllura në Këshillin e Mandateve

Sapo dolën nga mbledhja me dyer të mbyllura në Kuvend, filluan të flasin për gazetarët. Edhe pse kanë nënshkruar nga një deklaratë për të heshtur, asnjë prej deputetëve socialistë të cilët janë pjesë e Këshillit të Mandateve, nuk e mbajti fjalën e dhënë. Asnjëri prej tyre nuk e respektoi të paktën me 24 orë betimin e dhënë se provat sekrete që do të shikonin nuk do ti nxirrnin dhe bënin publike. Ndoshta dhe mezi prisnin ti shikoni ato prova që ti nxirrnin në shesh. Të gjithë socialistë të Këshillit në vend që të ishin diskretë në atë që panë dhe dëgjuan, vepruan komplet të kundërtën. Sapo dolën nga mbledhja, filluan duke dërguar mesazhet drejt televizioneve apo medieve të tjera. Filluan të tregonin se kishin parë provat sekrete dhe ato nuk kishin ndonjë gjë të madhe. Më pas filluan të dalin nëpër studio televizive e të tregonin se prova sekrete që kishte sjellë prokuroria ishte dosja italiane prej 416 faqesh që është bërë publike, e se nuk kishte provë tjetër sekrete që mund të inkriminonte shokun e tyre, deputetin Saimir Tahirin. Në fakt kishte edhe nga ata deputetë apo deputetet që ishin habitur se si, dosjen e plotë e kishte edhe njëri prej deputetëve të PD-së, i cili e kishte printuar. Në fakt atë dosje e ka secila redaksi mediatike në vend e jo vetëm. Në fund, kishte apo jo prova sekrete, ajo që doli dhe u konfirmua ishte se asnjë prej deputetë socialistë që ishin pjesë e atij Këshilli Mandatesh nuk e mbajti dot fjalën e dhënë as për 1 orë e jo më shumë.

Ulsi Manja

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja ishte njëri prej atyre që qëndroi brenda mbledhjes me dyer të mbyllura në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, ku kërkohet heqja e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Manja zbuloi disa detaje të provave sekrete që prokurorët paraqitën sot në këtë mbledhje. Manja tha se është për tu habitur, por prokurorët s’kishin asnjë provë më shumë se disa materiale që i dispononte edhe demokrati Gent Strazimiri. “Pasi mbaroi seanca publike kujtova se në seancën me dyer të mbyllura do na vënë në dispozicion prova. Jam befasuar kur prova që ata kishin ishte një material nga ato 416 faqet e bëra publike në media dhe portale që çuditërisht me firmë e kishte Gent Strazimiri, pra një pjesë të këtij materiali e dispononte deputeti i PD”,- tha Manja.

Vasilika Hysi

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, njëherësh edhe anëtare e Këshillit të Mandateve, deklaron se organi i akuzës nuk paraqiti prova të reja as në seancën me dyer të mbyllura. “Bazuar në kërkesën e depozituar nga prokuroria rezultonte që nuk kishte dokumenta shoqërues, prova që kërkon kodi për të autorizuar heqjen e lirisë ose arrestimin.U kërkua seancë e mbyllur për tu njohur me prova por faktikisht ne u njohëm me veprimet hetimore, që janë mjetet e kërkimit të provës, por jo me prova. Nga ana tjetër në respekt të asaj që kemi thënë dhe ne jemi realisht të angazhuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, çka do të thotë se beteja e organit të prokurorisë duhet të jenë të mirëmbështetur me prova:- u shpreh dje në një intervistë për Ora News, Vasilika Hysi, duke shtuar se organi i akuzës ka nisur procedim ndaj deputetit Saimir Tahiri vetëm bazuar në përgjimet e prokurorisë italiane që u transmetuan në media.

Deputetja e PS-së në Këshillin e Mandateve: Deputeti i PD kishte një provë që ne s’e kishim

Deputetja e PS-së, Klotilda Ferhati që është edhe pjesë e Këshillit të Mandatave deklaroi dje në Report Tv se njëri nga kolegët e PD-së gjatë seancës me dyer të mbyllura për Saimir Tahirin kishte një provë, që shumica nuk e kishte. Pas ngritjes së shqetësimit nga deputetët e PS në mbledhjen me dyer të mbyllura sesi ka rënë në dorë të opozitës ky dokument, ajo u shpreh se ata u justifikuan se ka dalë në media. “Kam 17 vite përvojë por ajo që kam parë sot, i kanë vënë në një pozitë të vështirë prokurorët. Mund të kenë pasur edhe presion, por gjatë seancës ne u surprizuam nga një nga kolegët e PD, pasi u referua në një faqe nga provat që ai e kishte në dispozicion dhe asnjë nga ne nuk e kishte. Në dorë të opozitës kishte një provë që ne nuk e kishim. U justifikua se kishte dalë në media, por si mundet që një anëtar i opozitës ka një provë dhe ne nuk e kishim” deklaroi deputetja e re e PS-së, duke e nisur në këtë mënyrë karrierën parlamentare me thyerjen e betimit për ruajtjen e raportit konfidencial të prokurorisë.

Kërkesa për arrestimin e ish-ministrit, për Ramën është: Muhabet pazari, presim provat

Pas mbylljes së seancës së pyetjeve në Këshillin e Mandateve, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon autorizim për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do të reagonte për herë të parë kryeministri Edi Rama. Sipas Ramës, deri tani është dëgjuar muhabet pazari nga çorba në kazanet e krimit, politikës, medias. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë le të kuptohet se është shprehet skeptik për dosjen e Prokurorisë, ndërsa shton se ende pret provat që fajësojnë ish-ministrin e Brendshëm në trafik droge me Habilajt. “Deri këtu muhabet pazari nga 72orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi Provat#Derinëfund”- shkruan Rama në reagimin e tij. Por të menjëhershme kanë qenë reagimet nga ana e qytetarëve në faqen zyrtare të Kryeministrit. Një qytetar i shkruan se Tahiri nuk kishte kërkuar mbrojtjen e qeverisë apo të kryeministrit. “Tahirit tha: Nuk kërkoj të më mbrojë as partia, as qeveria, as kryeministri…ata e dinë vetë, unë kam prova për të gjithë këta”- i shkruan qytetari. Por kaq ka mjaftuar që të shkaktonte nervozizmin e kreut të qeverisë i cili shpërtheu në akuza ndaj vetë qytetarëve duke i hakërryar atyre në lidhje me tronditjen që ka shkaktuar zbardhja e përgjimeve italiane të bandës italo-shqiptare të drejtuar nga Habilajt, që njihen si kushërinj të Saimir Tahirit. “E para këtë të dytën e thua ti nuk e tha ai. E dyta shumë mirë e ka thënë sepse as partia, as qeveria, as kryeministri, nuk janë avokatët e askujt që duhet të provojë të vërtetën e tij. Dhe e treta, deri tani, në këtë moment, vetëm syleshët dhe veshëgjatët që ngopen me kazanët e politikës e të medias, mund të mos jenë dakord me mua: Muhabete pazari pa as edhe një provë! Zero prova. Prandaj zotrote mos u ngut, bëj durim, të presim PROVAT, se gazetat e portalet ka plot që i lexojnë e i besojnë, po unë përshembull as nuk marr mundimin t’i lexoj dhe jo më t’i marr për PROVE”- u përgjigj plot nerv Rama.

About The Author

Related posts