Dhjetor 13, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Raporti i britanikëve: Kushtet që i vunë Enver Hoxhës që t’i njihinin qeverinë provizore

Raporti i britanikëve: Kushtet që i vunë Enver Hoxhës që t’i njihinin qeverinë provizore

KMA NEWS

NGA: Erald Kapri
Në përfundim të luftës në Shqipëri, për qeverinë e Enver Hoxhës ishin imediate disa çështje në rrugën për konsolidimin e pushtetit të tij. Ndërsa në raport me politikën e brendshme, Hoxha kishte si prioritet eliminimin fizik të çdo kundërshtari të mundshëm, në planin ndërkombëtar ai kërkonte njohjen e qeverisë së tij. Kjo njohje ndërkombëtare në fund të vitit 1944 dhe në vitin 1945, do të ishte një frymëmarrje në pushtetin e Enver Hoxhës në disa aspekte.

Dhe këtë Hoxha e kërkonte me ngulm. Ndërsa Sovjetikët dhe Jugosllavët e njohën menjëherë, aleatët perëndimorë ngurruan duke vënë së pari disa kushte parimore. Enver Hoxha do të kishte mundësi të kërkonte ndihma financiare dhe ndërkombëtare, të cilat filluan të ishin me shumicë pas lufte. Por mosnjohja e qeverisë së tij do e privonte nga këto ndihma.

Aleatët britanikë dhe amerikanë nuk e njohën Enver Hoxhën dhe qeverinë e ti,j edhe pse në Tiranë kishte misione ushtarake dhe gjysmë diplomatike të tyre dhe gjatë luftës, kishin dhënë ndihmë të konsiderueshme ushtarake për lëvizjen komuniste. Aleatët britanikë i vunë disa kushte Enver Hoxhës për njohjen e qeverisë së tij. Kushti i parë dhe thelbësor ishte mbështetja në popull e Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij. Nga kjo pikëpamje, kërkohej që të kishte një përfaqësim sa më të madh të shqiptarëve. Ndaj, britanikët i kërkuan shpjegime Enver Hoxhës për arrestimin e Gani Kryeziut, i cili kishte qenë një lider gueril me mjaft potencial kundër gjermanëve në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Po ashtu, u kërkua shpjegime nga Enver Hoxha për arrestimet e tjera, duke i vënë në dukje se kjo nuk ishte një politikë përfaqësuese.

Në dokumentet e sotme që publikohen për herë të parë, janë udhëzimet politike të Komandës Ushtarake të Aleatëve në Itali, së bashku me miratimin e Ministrisë së Jashtme Britanike për ushtarakun Alan Palmer, i cili u nis menjëherë në Shqipëri ,si kreu i misionit britanik për të takuar urgjentisht Enver Hoxhën. Por duket që zgjedhja e Letnant Kolonel Alan Palmerit për të takuar Enver Hoxhën, nuk ishte e rastësishme. Gjatë kohës së luftës, Palmer ishte i atashuar pranë shtabit ushtarak të Enver Hoxhës dhe ky i fundit e shprehte hapur simpatinë për këtë oficer britanik. Enver Hoxha akuzonte hapur oficerë të tjerë britanikë që punojnë kundër interesave të tij dhe me të vetmin që komunikonte, ishte Alan Palmer. Kjo kishte disa arsye. Alan Palmer ishte vetëm 27 vjeç dhe mjaft ambicioz. Shërbimi në Shqipëri e rriti në gradën ushtarake edhe për shkak se me mjeshtëri arriti të komunikonte lirshëm me Enver Hoxhën.
Ai vinte nga një familje e pasur angleze, kishte përfunduar studimet në Universitetin e Oksfordit dhe fliste rrjedhshëm frëngjisht, gjuhën me të cilën mund të komunikonte pa ndërmjetës me Enver Hoxhën. Por aleatët i ngarkuan një përgjegjësi të madhe Alan Palmerit, siç tregohet në dokumentet e mëposhtme. Në mesin e dhjetorin 1944, ai vjen urgjentisht në Tiranë dhe i bën të ditur Enver Hoxhës se njohja e qeverisë së tij nga britanikët dhe amerikanët duhet të kalojë disa kushte.

Me plotësimin e tyre, Enver Hoxha do të kishte mundësi të merrte edhe ndihma të tjera, veçanërisht ushqimore kur vendi të ndodhet në prag të urisë. Alan Palmer i tha Enver Hoxhës se nëse sillet si diktator, qeveria e tij nuk do të njihej. Po ashtu, Hoxhës iu bë e ditur se pas datës 31 dhjetor 1944, nuk do të kishte asnjë ndihmë dhe për forcat partizane shqiptare që luftonin, ndërkohë në Jugosllavi, për llogari të Marshallit Tito, nuk do të kishin asnjë ndihmë. Kjo do të varej vetëm nga Tito dhe nga shtabi britanik pranë tij. “Do të ngrini çështjen për burgosjen e Gani Kryeziut, por edhe shumë të tjerëve që kanë luftuar kundër gjermanëve dhe rishikimi i politikës së Frontit ndaj këtyre elementëve, do të bindte aleatët se ata janë vërtetë përfaqësues të gjerë në Shqipëri”, ishte një nga direktivat që iu ngarkua Palmerit t’i bënte të ditur Enver Hoxhës.

Nga këto kushte, që në dukje ishin të pranueshme, Enver Hoxha nuk lëvizi nga vendi, ndonëse britanikëve ai ua pranoi ato. Ai nuk liroi nga burgjet shqiptarë të pafajshëm dhe shtypi me gjak çdo revoltë në veri të vendit. Po ashtu, Enver Hoxha nuk u dha liri lëvizje misioneve britanike dhe amerikane duke i detyruar që të mos lëvizin nga Tirana. Në këto kushte, britanikët dhe amerikanët nuk pranuan të japin ndihma shtesë për Shqipërinë dhe vendi humbi ndihma të vyera në atë kohë, për shkak se Enver Hoxha kishte arsye të parë konsolidimin e pushtetit të tij.
Faksimile-e-dokumentit-per-
Kjo politikë e tij e shkëputjes nga aleatët bëri që Shqipëria të largohet pak më vonë edhe nga ndihmat e Planit Marshall amerikan që rindërtoi Europën. Shqipëria pothuaj nuk e mori vetën pas lufte dhe siç njoftojnë britanikët, ushqimet filluan të jepen me listë deri në mesin e viteve 50, kur lufta kishte mbi 10 vjet që kishte përfunduar. Në dhjetor 1945, Enver Hoxha zhvilloi zgjedhjet kombëtare, të cilat i fitoi me mbi 90 %, por aleatët nuk i njohën ato duke i cilësuar si të manipuluara.
Edhe ata pak deputetë që u zgjodhën se preferonin një demokraci në Shqipëri, u arrestuan pak më vonë dhe një pjesë edhe u pushkatuan. Në fundin e vitit 1946, britanikët dhe amerikanët u larguan përfundimisht nga Shqipëria.

DOKUMENTI I PLOTË
Top Sekret
13 dhjetor 1944
Ref:F/399/156/G
Direktivë për Letnant Koloner Alan Palmer
1- Do të ktheheni që nesër në Shqipëri në Shtabin e Ushtrisë Nacionale Çlirimtare me një aeroplan, sapo kushtet e motit ta lejojnë.
2- Në bisedimet me Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën, ju duhet t’i bëni të ditur dhe ta informoni se Qeveria Britanike mbetet e shqetësuar në lidhjen me njohjen e qeverisë provizore dhe e gjitha do të varet nga aftësia për të treguar kontrollin mbi vendin, si dhe për mënyrën e administrimit të duhur të vendit.
Me shumë rëndësi do të jetë nëse Enver Hoxha do të ketë mbështetjen e popullit shqiptar, sepse kjo ka rëndësi për opinionin botëror. Ju duhet të theksoni në takim, elementë të tillë si, trajtimi aspak i kënaqshëm që u bëhet misioneve aleate në Shqipëri, mungesa e bashkëpunimit me këto misione si dhe keqtrajtimin e robërve gjermanë të luftës, dhe këto konsiderohen si pika kryesore që duhen realizuar para se në të shtrojmë çështjen e njohjes së qeverisë së Enver Hoxhës. Në lidhje me këtë temë, do të përmendni në takim edhe çështjen e pikëpamjeve politike bazike që ka Fronti Nacional Çlirimtar, në mënyrë që ato të jenë sa më përfaqësuese në Shqipëri dhe kjo ka shumë rëndësi të shihet si e tillë.
Do të ngrini çështjen për burgosjen e Gani Kryeziut, por edhe shumë të tjerëve që kanë luftuar kundër gjermanëve dhe rishikimi i politikës së Frontit ndaj këtyre elementëve do të bindte aleatët se ata janë vërtet përfaqësues të gjerë në Shqipëri.
3- Do të informoni Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën se, me largimin e gjermanëve nga Shqipëria, do të ishte e përshtatshme nga ne që nuk do të dërgojmë më ndihma ushtarake në Shqipëri pas datës 31 dhjetor 1944. Duhet t’ia bëni shumë të qartë se tashmë që gjermanët janë tërhequr nga Shqipëria, misionet tona, që kanë ardhur për këtë qëllim, do të vijnë duke u tërhequr, dhe të gjitha misionet operacionale që janë në Shqipëri, do të tërhiqen.
4- Nëse Enver Hoxha do të kërkojë ndihma ushtarake për të mbështetur formacionet ushtarake të Frontit Nacional Çlirimtar, që janë duke luftuar në Jugosllavi në mbështetje të Titos për të luftuar gjermanët, duhet ta informosh se kjo është një çështje që ai duhet ta zgjidhë me Marshallin Tito. Për këtë do të jepet këshillat e misioneve tona pranë Marshallit Tito dhe nuk ke asnjë autorizim për të dhënë ndihma përtej territorit të vitit 1939.
Dokumenti nr 2
13 dhjetor 1944
Direktivë për Letnajt Koloner Alan Palmer
1- Zyra ka vendosur që një pjesë ndihmash do të shkojnë në Shqipëri dhe ato do të menaxhohen nga misionin ynë ushtarak atje. Kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve tuaja. Gjithsesi, kjo do të jetë një çështje që do të adresohet me Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën për të pasur një marrëveshje për përdorjen e ndihmave si dhe për mënyrën se si do të paraqiten përfaqësuesit shqiptarë në Portin e Durrësit.
2- Ndaj, për këtë çështje duhet të ketë një propozim nga ata, në mënyrë që autoritetet lokale të kenë për të bërë të gjitha rregullimet që duhen.
3- Për të pasur miratimin e Enver Hoxhës, do të duhet t’i bësh të qartë për natyrën e ndihmave që do të vijnë, por edhe për të gjitha kushtet që do të vendosen nga ne, por duhet patur kujdes, që të mos bësh asnjë premtim përtej këtyre ndihmave. Për të pasur të gjithë informacionin e duhur, misioni ynë në Shqipëri ka përgatitur një memorandum, ku ka përcaktuar më së miri të gjitha rrethanat dhe kushtet e ndihmave dhe arsyet për dorëzimin e tyre. Po ashtu, do të keni edhe kushtet dhe instruksionet për të cilat do të jesh i autorizuar për të biseduar me Enver Hoxhën./panorama

About The Author

Related posts