Dhjetor 19, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Ngjarjet kryesore politike 2017: Bilanci i një viti fitoresh dhe humbjesh të mëdha

Ngjarjet kryesore politike 2017: Bilanci i një viti fitoresh dhe humbjesh të mëdha

KMA NEWS / Kanabis, marrëveshje dhe zgjedhje që përshtjelluan jetën politike përgjatë 12 muajve

Nga Herion Mesi

Viti 2017 ishte një vit i begatë. Do të niste vrullshëm, ku kanabizimi do të shënonte “prerje kokash”, ku “viktima” e parë do të ishte ministri i Drejtësisë, që do të “kruhej” vetë duke kërkuar ndërhyrje ushtarake në të gjithë territorin. Por kundërpërgjigjja e shefit të tij në krye të qeverisë jo vetëm që do të ishte refuzuese, por do të kthehej në ekzekutim, duke e shkarkuar për “prishje” të etikës së komunikimit publik të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Por, të mbijetuarit e kësaj ngjarjeje do ta shfrytëzonin këtë rast, për të hapur një çadër në mes të bulevardit, por që shiu i “Republikës së Re” do të kthehej si një parashikim horoskopi, ku “armiqtë” që shpëtuan nga shpuarja e gomave dhe thyerja e xhamave të zyrave të tyre, do të tejkalonin veten duke “qepalluar” duart natën e errët të 17 majit në të gdhirë të 18-ës. Të frymëzuar nga “muzika e re”, me çitjane dhe dy gishtat lart, duke kërkuar tepsinë dhe timonin, dy liderët do ti ftonin shqiptarët në tallavanë e zgjedhjeve të 25 qershorit. Dhe mes këtyre momenteve festive e gëzimi, dynjaja i’a besoi fatet për 4 vitet e ardhshme timonierit Rama, tashmë i vetëm dhe i çliruar nga “armiqtë” e koalicioneve, duke shënuar një fitore që as vetë ai nuk e kishte parë në ëndrrat më të bukura për pushtet, duke shkuar në parlamentin e ri jo me 71 sa ç’kërkoi në fushatë, por me plot 74 deputetë. E ndërsa Rama me shokët e tij festonte dhe i binte tepsisë në ritmet e tallavasë, vallen do ta merrte Lulzim Basha, i cili tashmë kishte shpëtuar nga pesha e kundërshtarëve në parti, duke e reduktuar edhe më shumë numrin e deputetëve të djathtë, dhe duke nisur një tjetër tallava, atë të konsolidimit të PD-së duke refuzuar të japë shpjegime për rezultatin disfatist që prodhoi gara e 25 qershorit. E vetmja “magji” që prodhoi “Republika e Re” ishte ndryshimi qoftë dhe për pak javë i ngjyrave të selisë blu. E ndërsa dy të mëdhenjtë festonin sipas mënyrave të tyre, e vetmja fituese e humbësve ishte LSI, e cila edhe pse me koston e daljes në opozitë, shënoi rritje të kënaqshme të përfaqësimit të saj parlamentar. E teksa Basha kërcënonte se Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj nuk do futeshin në zyrat e tyre pa kaluar në trupat e demokratëve, dikush e tradhtoi Bashën duke i votuar ish-komunistët dhe duke ia rrëzuar nismën anti-komuniste të Lulit. Por kryedemokrati sërish tregoi vullnet, duke mos dhënë asnjë shpjegim për “tradhtinë”. Pasi në shënjestrën e opozitës do të vihej ish-ministri Saimir Tahiri, i cili në muajt pasues ngjante si fatkeqi i denoncimeve, ku pas vendimit për të mos e përfshirë në qeveri nga kryetari Rama, ai nisi përpjekjet për “pastrimin” e figurës së tij, që tashmë ishte gjendur papritur përkrah kushërinjve, Habilaj, i përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. E sa herë u përpoq të bënte ndonjë “pastrim” të tij para publikut, sërish do të ndodhte diçka më e dyshimtë, si ngjarja e Elbasanit kur një biznesmen u arrestua teksa udhëtonte me makinën e tij, por me patentat e ish-ministrit. Por sërish për këtë do të mendonte kryetari Rama që të mos ia dorëzonte Prokurorisë së Krimeve të Rënda beniaminin e tij të betejës 4-vjeçare qeveritare antikanabis. Por ndërkohë, Basha nuk e vlerësoi këtë si një moment që duhej protestuar, por i la gjërat të rridhnin vetë, qetësisht. E vetmja pakënaqësi që shkaktoi rebelimin e vjeshtës ishte nisma e mazhorancës për të shkarkuar dhe zëvendësuar Prokurorin e Përgjithshëm. Basha thirri protestë në mesin e këtij muaji, një protestë që u shpëtua nga LSI, e cila i mori frenat e situatës duke u përballur me qeverinë brenda në Kuvend, dhe me policinë jashtë tij. E në këtë përplasje, nuk do mungonin sharjet, fyerjet, akuzat e kundërakuzat të cilat do të ktheheshin në përplasje fizike, duke detyruar edhe heqje këpucësh dhe sulme me flakadanë ndaj kryeministrit Edi Rama. E në mesin e këtyre ngjarjeve, i vetmi ngushëllim është shpëtimi nga tymi dhe flaka që do të shkaktonte djegia e mandateve të deputetëve të opozitës.

Për të gjitha këto, politikanët janë të vetëdijshëm, ashtu siç janë të vetëdijëshëm që performanca e tyre në parlament i ka lodhur shumë shqiptarët, jo vetëm të enjteve kur mbahen seancat plenare. Ndaj për 2018-n, ata “premtojnë” të sillen më mirë, të zbatojnë reformën në drejtësi, të çelin negociatat e anëtarësimit me BE-në, dhe madje të pastrojnë dhe parlamentin nga të inkriminuarit, për të cilët kanë akuzuar aq shumë njëri-tjetrin vitet e fundit. Për 2018-ën, socialistët “premtojnë” se do ta shmangin sherri politik, i cili duhet të zëvendësohet me një përballje argumentash dhe kundër-argumentash politikë. Ndërkaq, opozita shprehet se vendi nuk ka më nevojë për të paguar fatura për konfliktet politike, dhe propozon që këtë betejë ta zgjidhin vetë qytetarët shqiptarë përmes revoltave dhe protestave, por jo duke grisur mandatet e deputetëve në Kuvend. Demokratët e shikojnë të keqen në kupolën drejtuese të qeverisë, të cilën e cilësojnë si ters për të gjithë shqiptarët. Dhe e vetmja mënyrë për të larguar këtë “tersllëk”, duhet hequr ai tersi lart në krye të qeverisë.

Por çfarë ndodhi në vitin që po lëmë pas? “Koha Jonë” sjell sot për lexuesit ngjarjet “e mëdha” politike që u shënuan në vitin 2017.

6 janar – Nishani jep alarmin: Tonelata me farë kanabisi janë futur në Shqipëri

Kreu i shtetit Bujar Nishani lëshoi një alarm që sipas tij vjen nga një raport që i ka bërë SHISH lidhur me përgatitjen e grupeve kriminale për kultivimin e ri të parcelave të kanabisit në vend. “SHISH më ka raportuar se kohët e fundit në Shqipëri janë futur disa tonelata farë të bimës së kanabisit për tu përdorur në sezonin e mbjelljes”- do shprehej kreu i Shtetit. Nishani e cilësoi këtë si një alarm kombëtar dhe që duhet të ngrejë në këmbë të gjitha institucionet ligjzbatuese sidomos policinë. Sipas Nishanit, këtë informacion e dispononte edhe Policia e Shtetit.

16 janar – Kuvendi nis punën, PD kushtëzon zgjedhjet

Në ditën e parë të punimeve të Kuvendit të vitit, opozita përcaktoi si çështje të saj parësore çështjen e zgjedhjeve, ku ajo parashtroi pesë kushtet e saj. Në takimin mes kryetarit të PD-së, Basha dhe aleatëve, do të konsolidohej qëndrimi për zgjedhjet, ku nënshkrua një memorandum për përcaktimin e standardeve në zgjedhje, i cili u firmos edhe nga kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule e ai i AK-së, Kreshnik Spahiu. 22 partitë e koalicionit opozitar, theksuan se votimi dhe numërimi elektronik është një kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme.

20 janar – Basha e Mediu ftohen në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë marrë ftesë zyrtare për të qenë pjesë e ceremonisë së inagurimit të Presidentit amerikan Donald Trump. Ceremonia do të zhvillohej në Uashington, ku  Donald Trump do të bënte betimin dhe do të merrte zyrtarisht detyrën e Presidentit të SHBA-së. Zgjedhjet në SHBA, tha Basha, janë një model frymëzimi edhe për Shqipërinë, për bashkimin e qytetarëve me besimin te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund të mposhtet nga asnjë aleance kundër interesit qytetar.

26 janar – SHBA refuzon vizat për disa gjyqtarë e prokurorë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë fund paralajmërimeve për zyrtarët e lartë shqiptarë, duke kaluar tashmë nga deklaratat në akte konkrete. Kjo pasi deklaratat e shpeshta të ambasadorit Donald Lu janë kthyer tashmë në vepra. Një e tillë u shënua pasditen e 26 janarit, ku Ambasada e SHBA njoftoi se kishte revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, pasi sipas saj, ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza. Në njoftim sqarohet se Ambasada e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vettingut.

27 janar – “Balili” kthehet në çështje të sigurisë kombëtare

Klement Balili, një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri, por jo vetëm, do të detyronte kreun e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta t’i kërkonte Presidentit Nishani që të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Meta do të shprehej se mos arrestimi i Balilit dëmton marrëdhëniet me SHBA dhe BE. Meta kërkoi që Këshilli të analizojë të gjitha veprimet apo mosveprimet e institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla. Ndërkohë që Presidenti i Republikës i është përgjigjur pozitivisht këtij shqetësimi.

28 janar – Shpërthen ministri i LSI: Kundërshtar kemi PS-në

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka shpërthyer në akuza ndaj PS-së së Durrësit teksa ka thënë se PS-ja e Durrësit lufton me LSI-në dhe jo me PD-në, dhe se policia atje ka ikur në drejtim të “paduhur”. Ai tha se Policia e Durrësit bashkëpunon me trafikantët dhe kultivuesit e kanabisit. Gjithashtu, Koka ka shigjetuar në një farë mënyrë edhe ministrin Tahiri për luftën ndaj drogës. Ai tha, ta quash të suksesshme luftën ndaj drogës është fyerje për qytetarët. Gjithashtu, Koka, ka thene se ne krye te Bashkise se Durresit, duhet te ishte Grida Duma dhe jo Vangjush Dako.

30 janar – Shkarkohet ministri i Drejtësisë Ylli Manjani

Kryeministri shkarkon nga detyra ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani,e në vend të tij u propozua Petrit Vasili. Ndërsa qeveria ju përmbajt një formulimi të përgjithshëm për motivet e vendimit, vetë Manjani hodhi një lumë akuzash ndaj qeverisë, duke folur për një hakmarrje të kryeministrit për shkak të qëndrimeve të tij publike ndaj fenomenit të kultivimit të marijuanës dhe faktin që duhet shpallur si emergjencë kombëtare ku të angazhohet edhe ushtria. Manjani zbuloi se partnerët e huaj kishin kërkuar shkarkimin e ministrit Tahiri, por ishte Rama ai që e mbron.

1 shkurt – Akuzat e Manjanit, Basha: Më 18 shkurt do jemi në shesh

Zhvillimet e njëpasnjëshme brenda koalicionit qeveritar, që kulmuan me deklaratat e forta të ministrit të shkarkuar të Drejtësisë Ylli Manjani, duket se kanë diktuar dhe vendimmarrjen politike të opozitës në ditët në vijim. Basha lëshoi një sërë akuzash ndaj Ramës, i cili, sipas tij, ka lidhje me krimin për të ndikuar në zgjedhjet e qershorit. Për këto arsye ai u bëri thirrje qytetarëve të zhvillojnë protesta për të vendosur vetë për fatin e tyre. Basha, deklaroi se opozita ka vendosur që në 18 shkurt të thërrasë qytetarët shqiptarë në një manifestim-proteste në Tiranë.

2 shkurt – Ambasadori Lu akuza përplaset me kryeprokurorin Llalla

Ka folur hapur, me emra konkretë ambasadori amerikan Doland Lu, ku ka shpërthyer kundër Kryeprokurorit Adriatik Llalla teksa tha se ai është shembulli më i qartë i asaj që po duket se si njerëz të fuqishëm po përpiqen të ruajnë kontrollin mbi gjykatat. Pak orë në vonë, do të vinte reagimi i Llallës, i cili i kujtoi sërish ambasadorit amerikan Donald Lu se nuk është Guvernator i Shqipërisë, dhe nuk mund të sillet si i tillë. Llalla deklaroi se hartimi i drafteve ligjore në kuadër të realizimit të reformës në drejtësi është bërë nga njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit.

16 shkurt – “Bomba” në Bruksel. Vlahutin “kryqëzohet” për vilën 1.6 milionë euro

Pas publikimit në mediat e Tiranës së një kontrate ku delegacioni i Bashkimit Europian ka blerë një vilë 1.6 milion euro në një zonë rezidenciale, shifër kjo e pretenduar dy herë më e lartë se çmimi aktual i pronave në atë zonë, zyrtarët e Brukselit kanë nisur të shqetësohen. Inberborg Graessle, kryetare e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Europian i ka kërkuar llogari shefes së Shërbimit të Jashtëm në BE, Frederica Mogherini, lidhur me këtë çështje. Letra e eurodeputetes është nisur në 15 shkurt dhe përmban një listë me 11 pyetje të detajuara.

18 shkurt – Opozita zbret në shesh, PD vendos çadrën para Kryeministrisë

Protesta e opozitës do të zgjasë më shumë se sa ishte paralajmëruar. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se orarin e përfundimit të saj e vendosin qytetarët, duke nënkuptuar se vazhdimi i saj do të ishte në afat të përcaktuar, për disa ditë me radhë. Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit do të drejtoheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qendra e protestës do të ishte sheshi përballë godinës së Kryeministrisë, ku pasdite do të miratohej ngritja e çadrës së famshme të protestës që për 3 muajt e ardhshëm do të ishte dhe kryefjalë e diskursit politik.

20 shkurt – Brukseli i shqetësuar për protestën e opozitës

Situata më e fundit politike në vend duket se ka shqetësuar Brukselin, i cili dërgoi në Tiranë raportuesin për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, në një vizitë tre ditore, ku do të njihej nga afër me pretendimet e palëve, jo vetëm për ecurinë e reformës në drejtësi, por edhe mbi kërkesat e opozitës të parashtruara në protestën e saj. Edhe më parë, Fleckenstein ka qenë i angazhuar në situata krize të tilla politike në vendin tonë, dhe vizita e tij përkonte me zhvillimet e fundit, siç ishte edhe protesta e PD, ku pasdite eurodeputeti zhvilloi edhe një takim me Lulzim Bashën.

24 shkurt: Basha thirrje për dhunë

Në kohën kur mazhoranca ishte shprehur kundër qeverisë teknike, , kryeopozitari Basha humb durimin dhe bëri thirrje për dhunë. “Ta dijë mirë cdokush që godet qytetarët, që godet protestën që do vijë ora për ti marrë zvarrë nga ky shesh. Doni luftë, luftë do të ketë, populli do të fitojë! Shpojani gomat, thyeni dritare, nxirrni zvarrë nga zyrat atyre që ju shkelin të drejtat tuaja, ngrihuni, protestoni e luftoni. Populli ka duruar padrejtësitë në kurriz, durimi i popullit i ka arritur fundi, durimit tonë i ka ardhur fundi”- tha Basha, por që do të tërhiqej pak orë më pas.

3 mars – Shefja e diplomacisë evropiane mbërrin në Tiranë

Pas vizitave që ajo zhvilloi gjatë ditës në vendet e rajonit, pasdite do të mbërrinte në Tiranë, shefja e diplomacisë evropiane Frederica Mogherini. Fillimisht, nuk ishte parashikuar një takim i veçantë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, por Delegacioni i BE-së në Tiranë njoftoi se Mogherini do të takonte në mbrëmje edhe kreun e opozitës, një vizitë kjo e  detyruar për shkak të situatës së krijuar nga protesta e opozitës. BE e ka kritikuar vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin, gjë që bllokon zbatimin e Reformës në Drejtësi, dhe sidomos ligjin e vetting-ut, i mbështetur me forcë nga BE dhe SHBA.

8 mars – Opozita bojkot zgjedhjeve

Opozita do të shprehte sërish “vendosmërinë” për krijimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve parlamentare. Kështu, 6 parti që ishin regjistruar më herët në KQZ, do të dorëhiqeshin, për t’iu bashkuar kështu vendimit të partive opozitare, PD dhe aleatëve të saj. Një ditë pas vendimit të koalicionit opozitar dy aleatët kryesorë, Fatmir Mediu dhe Agron Duka tërhoqën kërkesat për regjistrimin e partive respektive në KQZ. Nga opozita, ishin edhe 6 parti që ishin regjistruar në KQZ, që do të dorëhiqeshin, për t’iu bashkuar kështu vendimit të partive opozitare.

11 mars – Rama largon Saimir Tahirin nga qeveria

Vetëm 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare kryeministri Edi Rama vendosi të bënte një ndryshim “të detyruar” në kabinetin që ai drejton. Në një kohë kur “ziente” lajmi për një dorëheqje të tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të zhvillonte një takim me Ramën, një takim ky i cili ka përforcuar zërat e sjella në qarqet mediatike dhe politike se Tahiri do të largohej nga posti i Ministrit të Brendshëm. Për disa orë situata ishte e paqartë dhe qeveria nuk e konfirmonte largimin e një prej ministrave me te rëndësishëm të kabinetit “Rama”.

21 mars – Majko në krah të Tahirit: Nëse duam, i blejmë votat

Socialistët e kishin nisur fushatën elektorale, pavarësisht kërcënimeve të PD-së, se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Saimir Tahiri dhe Pandeli Majko në një takim me strukturat e PS-së në Kombinat, ironizuan kërkesën e Bashës për qeveri teknike. “Nëse duan qeveri teknike, është tek komisioni i votave, atje është qeveria teknike e zgjedhjeve. Nëse dikush mendon se socialistët nuk do blekan vota nëse vjen qeveria teknike, me qenë se lekët i kemi ne, pse s’do i harxhonim? Apo do na kursejë ai që do vijë në krye të qeverisë teknike? E ka gabim”,- tha Majko.

23 mars – Mazhoranca voton ndryshimet e ministrave

Fatmir Xhafaj u bë ministri i ri i Brendshëm, Eduard Shalsi ministër i Çështjeve Vendore, Olta Xhaçka ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë. Kuvendi pas një sërë debatesh të zhvilluara gjatë ditëve të mëparshme në opinionin publik votoi dekretet e Presidentit për emërimin e katër ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga kryeministri Edi Rama 10 ditë më parë.  Krahas tyre, deputetët e maxhorancës votuan dhe dekretet e shkarkimit të katër ministrave që lënë detyrën.

27 mars – CDU letër Bashës: Futu në zgjedhje

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha do merrte një letër nga, Franz Josef Jung, shefi i politikës së jashtme në CDU, njëherësh dhe ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë. Në letrën e tij, funksionari i lartë partiak i CDU-CSU, thotë, është shumë e shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë falsifikim të madh si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera, por bojkotin ai e cilëson si rrugë të gabuar, përfshirë këtu edhe kërkesën për qeveri teknike. Ndër të tjera, Franz Josef Jung paralajmëron për pasojat e rënda për vendin dhe për vetë Partinë Demokratike.

29 mars – Basha në Kongresin e PPE: Zgjedhjet po tentohen të manipulohen

Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga Malta ku mori pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane do të fliste mbi protestën që po zhvillonte opozita prej 41 ditësh para Kryeministrisë, që siç tha ai, ka për synim zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Basha deklaroi se Shqipëria është vendi i parë në Europë për kultivimin dhe trafikimin e kanabis sativës. Sipas tij, në 75% të territorit janë kultivuar dhjetëra parcela droge. Kryedemokrati akuzoi qeverinë Rama se do të manipulojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

31 mars – Basha kërkon qeveri teknike

Në ditën e 42-të të protestës në sheshin para Kryeministrisë kreu i opozitës Lulëzim Basha ka prodhuar disa lajme të rëndësishme në fjalën e tij të mbajtur përpara një grupi profesorësh, të ftuar në Çadrën e protestës. Kryeopozitari dekonspiroi një plan të kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës, për një zgjidhje në minutë të fundit të krizës, në përpjekje për t’i hedhur hi syve opozitës dhe veçanërisht ndërkombëtarëve. Basha denoncoi, se Rama kërkon ta kalojë krizën që po egravon fuqishëm, duke përgatitur një tip qeverie teknike, por vetëm formalisht.

3 prill – Ilir Meta propozon “Qeveri Besimi”

Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta do të propozonte formimin e një qeverie besimi që do të krijonte kushtet për zgjidhjen e krizës politike që kishte përfshirë vendin prej 2 muajsh. Propozimi në fjalë, edhe pse u pa fillimisht me hije dyshimi, do të merrte mbështetjen e kreut të mazhorancës Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilët u shprehën të gatshëm për çeljen e një serie diskutimesh, në ditët në vijim. “Vendi ka nevojë për dialog e përgjegjshmëri për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”- do të deklaronte Meta.

11 prill – PE, Kukan: Bëni marrëveshje

Eurodeputeti Eduard Kukan u ka bërë thirrje forcave politike në Shqipëri që të arrijnë një marrëveshje politike për të organizuar zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme në vend. Gjatë një interviste për “RTSH”-në, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan tha se mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri.

12 prill – Ruçi letër Metës: Nis procedurat për Presidentin e ri

Në një kohë kur mandati i kreut të shtetit, Bujar Nishanit mbaronte më 24 korrik, PS është vënë në lëvizje për nisjen e procedurave për përzgjedhjen e presidentit të ri. Ndaj, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i dërgoi një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta mbi përcaktimin e kalendarit për zgjedhjen e presidentit të ri. Në letrën e tij Ruçi ndër të tjera i ka kërkuar kryeparlamentarit Meta që për këtë çështje të mbledhë dhe Konferencën e Kryetarëve. Ruçi propozon që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të jetë më 19 prill.

17 prill – Gjermania “shuplakë” Bashës

Ministri i Jashtëm gjerman ka qenë i ashpër në deklaratat e tij ndaj bojkotit të opozitës, duke deklaruar se kjo për qeverinë federale gjermane dhe Bashkimin Europian është e papranueshme. Ministri Gjerman Sigmar Gabriel do të ritheksonte nevojën e zhvillimeve normale politike në Shqipëri. Ai përsëritur mesazhin që opozita të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për të votuar reformën në drejtësi. Ai nënvizoi se, qeveria ku ai bën pjesë është e gatshme të ofrojë ndihmë, por kjo duhet të diskutohet në Parlament dhe jo në çadër.

25 prill – S’ka marrëveshje! Dështojnë negociatat e McAllister

Dy negociatorët, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, morën përsipër për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik që kishte mbërthyer vendin prej gati 66 ditësh, që në nisje të protestës së opozitës. Pasditja ka qenë e ngjeshur për të dërguarit e Brukselit, të cilët takuan veçmas aktorët politikë. Më pas, në orët e para të mbrëmjes, ata u takuan me Ramën, Bashën dhe Metën për të gjetur dakordësi mes tyre, dhe të diskutonin propozimet jo në një tryezë të përbashkët, pasi palët edhe pse gjendeshin në Pallatin e Kongreseve, kanë qëndruar të ndarë respektivisht: Basha ka biseduar me zyrtarin e PPE-ve McAllister, ndërsa Rama e Meta kanë qëndruar në bisedime me eurodeputetin e majtë Fleckeinstein. I pari që la ambientet e Pallatit të Kongreseve, ishte kryedemokrati Lulzim Basha. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Meta nuk dhanë asnjë koment për mediat, duke lënë të kuptohet se edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, palët politike nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’u ulur në tryezën e dialogut, dhe për t’i dhënë kështu fund krizës politike. Të fundit që dolën nga takimi, ishin dy negociatorët, McAllister dhe Fleckenstein, të cilët nuk preferuan të ndajnë detaje me median. Por pavarësisht këtyre, negociatat kanë “ngecur” pikërisht në një kërkesë të opozitës të papërfshirë në draft, ajo për qeveri teknike. E me sa duket kjo ka qenë edhe arsyeja që ka shkaktuar pakënaqësi tek kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili brenda pak minutave është larguar nga takimi me zyrtarin e PPE, David McAllister.

27 prill – PS mbështet unanimisht Ilir Metën për President

Pas djegies së 3 raundeve të para, dhe rrezikut për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, , për të shuar të gjitha kureshtjet e publikut dhe mediat, mendoi Taulant Balla që theksoi se do të mbahej raundi i 4 përzgjedhjet e Presidentit. Sipas Ballës, është diskutuar për negociata dhe diskutime me aleatët. Ai theksoi se LSI-ja propozoi si kandidat Ilir Metën dhe Petrit Vasilin, dhe nisur nga këti propozime, Balla deklaroi se Kryesia e PS-së vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës për postin e Kryetarit të Shtetit.

28 prill – Ilir Meta zgjidhet President

Ilir Meta u zgjodh Presidenti i ri i Shqipërisë. Ai u votua në raundin e katërt dhe të parafundit nga 88 deputetë të mazhorancës pasi opozita e bojkotoi prej 2 muajsh parlamentin. Tashmë Meta do të jetë presidenti i 7-të që pas shpalljes së pluralizmit. I pari që e ka përshëndetur për detyrën e re ka qenë Presidenti i Republikës në detyrë Bujar Nishani, i cili përmes një telefonate ka uruar për zgjedhjen në postin e Presidentit të ri të Republikës, zotin Ilir Meta. Nishani uroi gjithashtu Presidentin e zgjedhur për përmbushjen me sukses të detyrës së lartë të Kreut të Shtetit.

29 prill – PS zbulon emrat e kandidatëve për 12 qarqe të vendit

Partia Socialiste miratoi listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e qershorit, të cilët iu përcollën KQZ-së, brenda afatit zyrtar të dorëzimit të listave të kandidatëve. Në krye të listave janë drejtuesit politikë të PS-së që kanë ndjekur nga afër organizimin elektoral të saj për këto zgjedhje, ra në sy moskandidimi i një numri të madh deputetësh nga lista aktuale e grupit parlamentar socialist. Drejtuesit politikë të qarqeve kanë pasur lirshmëri në evidentimin e emrave të rinj të kandidatëve, njerëzve me kontribute dhe personalitete të spikatura në fusha të caktuara.

1 maj – Bregu e Topalli kundër Bashës: PD të hyjë në zgjedhje

Në kohën kur opozita ka hyrë në muajin e tretë të protestës së saj para Kryeministrisë, reagimi i parë kundër nismës së kryedemokratit për të mos marrë pjesë në zgjedhje ka ardhur nga deputetja demokrate Majlinda Bregu, e cila kërkoi që PD të marrë pjesë në zgjedhje, duke kujtuar edhe negociatat me ndërkombëtarët. Pas saj, ka reaguar dhe deputetjeta tjetër e PD-së Jozefina Topalli, e cila ashtu si Bregu, kërkon që të mblidhet grupi parlamentar për të diskutuar për situatën e krijuar dhe për të diskutuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kostot e bojkotit.

3 maj – Rama e Basha takohen te Nishani

Nuk ka marrëveshje, por ka bisedime. Nga oxhaku i Presidencës nuk doli as tym i bardhë e as i zi. Dhe ashtu siç pritej, kjo ditë shënoi bisedime aspak të lehta për kreun e mazhorancës dhe kreun e opozitës për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët të ngërçit politik që ka përfshirë vendin prej afro 3 muajsh. Por ndryshe nga 10 ditë më parë, nuk ka negociatorë ndërkombëtarë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, gjithçka është diskutuar në prani të Presidentit në detyrë Bujar Nishani, i cili është dhe nismëtari i tryezës mes dy krerëve.

5 maj – PS tërhiqet nga zgjedhjet në Kavajë

Përmes një konference të jashtëzakonshme për shtyp kryeministri i vendit, Edi Rama ka njoftuar vendimin e Partisë Socialiste për të tërhequr kandidatin e saj për zgjedhjet e pjesshme në Kavajë. Rama do të deklaronte se vendimi ishte i detyruar, pasi sipas tij, kishte një plan për destabilizimin e vendit dhe për këtë arsye i ka kërkuar kandidatit të PS-së të tërhiqet nga zgjedhjet e pjesshme vendore në Kavajë. Ndërsa, kryedemokrati Lulzim Basha do të deklaronte nga “Çadra” se me tërheqjen e kandidatit të PS në Kavajë, Republika e Re shënoi fitoren e parë

6 maj – PD njofton protestë masive në Tiranë më 13 maj

Menjëherë pas fjalës së tij në çadër, kreu i PD-së Lulzim Basha do të mblidhte krerët e degëve dhe funksionarët e lartë të PD-së në bazë. Në takim që u mbajt pa praninë e medieve në selinë blu u diskutua për orgazimin e protestës së 13 majit. Mësohet se ndërsa anuloi protestën në Kavajë për shkak të anulimit të zgjedhjeve për kryetar bashkie pas tërheqjes së kandidatit të PS-së, opozita njoftoi mbajtjen e një tjetër proteste në Tiranë. Protesta do të zhvillohej të shtunën e 13 majit në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

11 maj – Komisioneri i BE-së Johannes Hahn letër shqiptarëve

Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn do t’iu drejtohej shqiptarëve me një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, për krizën politike në vend dhe zgjedhjet e 18 qershorit. Hahn tha se janë bërë përpjekje të mëdha për të nxitur dialogun mes palëve politike nga përfaqësues të BE dhe partner të tjerë ndërkombëtarë, por që për fat të keq nuk kanë pasur sukses. Më tej Komisioneri për Zgjerimin, tha se zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, pasi sipas tij ishte zgjedhja e kësaj të fundit për të mos u bërë pjesë e garës.

15 maj – “Buldozieri” amerikan rikthen paketën “McAllister”

Në mungesë të një propozimi konkret nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, i dërguari i Uashnigtonit Brian Hoyt Yee u paraqit në zyrat e Ramës dhe Bashës me të vetmen ofertë, atë të 4 javëve më parë të Brukselit, që iu propozua nga zëvendëspresidenti i PPE-ve, David McAllister. Dhe për këtë, i dërguari i fundit i Uashingtonit u “detyrua” ta kthejë vizitën e tij të falënderimit në dërgatën e fundit ndërmjetësuese ndërkombëtare, për të bërë gjithçka që opozita ta ketë të pamundur vendimin e bojkotit të zgjedhjeve, në mënyrë që gara e ardhshme parlamentare të mos bëhet pa opozitën.

16 maj – Basha pranon paketën “McAllister plus”

“Paketa McAllister” ishte një dokument rreth një faqe e gjysmë format, dhe do pranohej nga Basha. “ Votimi i Vetingut; Marrja e një zv.kryeministri dhe disa posteve në qeveri me miratimin e opozitës; Data e zgjedhjeve të jetë 3 ose 10 shtatori; Identifikim dhe votim biometrik të zgjedhësve; Kreu i KQZ-së i takon opozitës, por shumicën ta ketë mazhoranca”- ishin propozimet e pranuara nga kryedemokrati Lulzim Basha si pjesë e zgjidhjes së ngërçit politik dhe që do të mundësonte futjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

17-18 maj – Rama e Basha firmosin paktin, mblidhet çadra në mes të natës

Teksa shfrytëzuan një takim të iniciuar nga kreu i PAA-së Agron Duka dhe kreu i PR-së Fatmir Mediu dhe që u mbajt në mbrëmjen e 17 majit në Kryesinë e Kuvendit, ku të pranishëm ishin krerët e partive parlamentare, si një përpjekje për të gjetur dakortësinë, kreu i PS-së Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha vendosën që ti “nxirrnin” organizatorët jashtë ambienteve të Kryesisë, për të nisur një bisedë që do të zgjaste më shumë se 3 orë dhe cila do të përmbyllej rreth orë 2:00 të 18 majit me një pakt të fshehtë mes dy krerëve të partive të mëdha, pakt që do ti jepte zgjidhje përfundimtare të krizës politike. Në marrëveshjen e arritur pas takimeve maratonë të dy ditëve mes Ramës dhe Bashës, opozita do të merrte postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme. Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. Arritja dhe hedhja në letër e marrëveshjes Rama-Basha i ka dhënë fund protestës së opozitës duke i hapur rrugë nisjes së fushatës zgjedhore për garën e 25 qershorit. Në të njëjtën orë dhe pas 3 muajsh qëndrese në sheshin para Kryeministrisë, Lulzim Basha shpalli në orën 22:00 të mbrëmjes mbledhjen e çadrës dhe lirimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë, Pakti Rama-Basha përtej zgjidhje së ngërçit mes palëve, do të shkaktonte reagime të forta nga të gjitha partitë e vogla, të cilët e panë bashkëqeverisjen PS-PD një muaj para zgjedhjeve si kërcënim që dy të mëdhatë po i bënin atyre në prag të çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale. Për Lëvizjen Socialiste për Intregrim pakti i fshehtë Rama-Basha nuk ishte asgjë më shumë se sa një Pazar mes dy të mëdhenjve që do të dëmtonte të vegjlit.

22 maj – Kuvendi miraton emrat e ministrave teknikë dhe kreut të KQZ-së

Pak orë pas mësimit të emrave të opozitës për ministrat teknikë që do të mundësonin organizimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 25 qershorit, Kryeministri Edi Rama pranoi të gjitha propozimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për 7 emrat e rinj të qeverisë së tij, duke i dërguar më pas për dekretim në Presidencë. Ndërkohë, Presidenti Nishani ka ndryshuar datën e zgjedhjeve si rrjedhojë këtij pakti. Po ashtu, Kuvendi do të miratonte edhe Klement Zgurin si kryetar të KQZ-së, pjesë e paktit të fshehtë të 4 ditëve më parë.

26 maj – Basha harton listën e kandidatëve, “fshin të vjetrit”

Që herët në mëngjes Lulzim Basha nisi të takimet me aleatët për të ndarë marrëveshjen për zgjedhjet e 25 qershorit. Marrëveshja u arrit në orët e vona të mbrëmjes me 5 aleatë, duke lënë Kreshnik Spahiun e AK-së jashtë, i cili u tërhoq edhe nga politika. Gjithashtu, në listën “Basha”, mungonin emrat e “xhaketa të vjetra” në selinë blu, si: Jozefina Topalli, Arben Imami, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Genc Ruli, Eduard Selami, Myqerem Tafaj, Keltis Kruja, etj. Ndërkohë, Basha përfshiu në listat e PD edhe ish-deputetin e PDIU-së, Dashamir Tahiri.

27 maj – Jashtë liste, shpërthejnë të përjashtuarit, Bregu e Patozi

Shumë nga drejtuesit e PD-së mbetën jashtë listës së kandidatëve për deputetë, aq sa u krijua përshtypja se kryetari Lulzim Basha, kishte vendosur të “lante hesapet” me disa prej kundërshtarëve në parti dhe me të gjithë gardën e vjetër të partisë, duke ua ndërprerë karrierën politike. Shumica e grupit parlamentar demokrat nuk do të ishte më pjesë e zgjedhjeve, por nuk kanë qëndruar të heshtur Majlinda Bregu e Astrit Patozi, përkundrejt këtij “ndëshkimi radikal’ që iu bë karrierës së tyre politike, duke fajësuar Bashën dhe Berishën për “kokëprerjen” e tyre.

3 qershor – LSI kallëzim penal për ministrat e PD-së dhe PS-së

Lëvizja Socialiste për Integrim, do kallëzonte penalisht për shpërdorim detyre, Ministren e Ekonomisë Milva Ekonomi, Ministrin e Drejtësisë Gazmend Bardhi, Ministren e Çështjeve Sociale, Xhuljeta Kërtusha, dhe Zëvendës Kryeministren. Ledina Mandia. Objekti i kallëzimit, ishte shkelje e ligjit dhe shantazh ndaj administratës publike. Përmes nënkryetares Kejdi Mehmetaj, LSI-ja deklaroi se këto masa represive dhe pa asnjë bazë ligjore në administratë ishin pjesë e marrëveshjes së pisët të 18 majit mes kryesocialistit Rama dhe kryedemokratit Basha.

10 qershor – Topalli: Basha opozitë e rremë, fushata si një muaj turizmi

Jozefina Topalli, nënkryetare e Partisë Demokratike për 16 vjet me radhë flet prapë, e shqetësuar se ku ka përfunduar Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës. Ajo e cilëson opozitën e Bashës fasadë dhe mburojë të pazareve të dyshes Rama – Basha. Ish-kryeparlamentarja që nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë, do të shprehej se pas pazarit të 17 majit mes Ramës dhe Bashës shoqëria shqiptare është në gjendje shoku duke mos kuptuar kush është tashmë opozita e kush pushteti, sepse, tha ajo, PS dhe PD janë shkrirë në një të dyja partitë respektive.

14 qershor –Basha takon Trump në kulmin e fushatës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha do të udhëtonte me urgjencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takohej me Presidentin Donald Trump. Këtë e bëri të ditur vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha me një postim në faqen e tij në “Facebook”. “Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”, shkruan Basha, ku publikoi edhe fotografi nga takimi.

25 qershor – Shqipëria voton

Panorama e votimeve të djeshme ishte e qartë, shqiptarët kanë zgjedhur të mos dalin e të votojnë, duke shënuar përqindjen më të ulët historike të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Si asnjëherë më parë, brenda 1 ore, Rama do të bënte një sëri mesazhesh publike në faqet e tij në rrjetet sociale, me thirrje të qartë, për të dalë e për të votuar. Të njëjtën strategji ndoqën edhe krerët e partive të tjera, ndërsa u vendos që votimi të shtyhej me 1 orë, për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

26 qershor – Rama merr i vetëm timonin e qeverisë

Zgjedhjet e nëntat parlamentare në Shqipëri që prej vitit 1991, janë fituar nga Partia Socialiste, e cila ka siguruar mbi 71 mandate deputetësh, që synonte në fushatë Rama, çka i dha atij mundësinë të krijojë i vetëm qeverinë. Nga ndarja e mandateve në rang vendit, Partia Socialiste ka siguruar 74 mandate, PD 43 mandate, më pak se në zgjedhjet e vitit 2013. LSI ka siguruar 19 mandate, PDIU 3 mandate dhe PSD-ja e Skënder Gjinushit ka siguruar 1 mandat, duke u rikthyer në Parlament pas së paku dy legjislatura. Ngushëllimi i vetëm i PD-së ishte “rimarrja” e Kavajës.

27 qershor – Revoltë brenda PD-së kundër Bashës

Pas humbjes së thellë që arriti në zgjedhje, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar do të plaste lufta brenda Partisë Demokratike, pasi fillimisht 19 anëtarë të Kryesisë së PD-së, por më pas edhe të gjithë të përjashtuarit kërkojnë ‘kokën’ e Lulzim Bashës. Mes 89 demokratëve që kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës është edhe dhëndri i ish- kryeministrit Sali Berisha. Ata fajësojnë Bashën si përgjegjës kryesor për humbjen e thellë, ndërsa shtojnë se vendosi listën në shkelje të normave statutore duke hequr përdhunshëm simbolet e PD dhe mbjellë përçarje.

28 qershor – Eduard Selami zyrtarisht kandidat, “ngrin” Basha

Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht garën për kryetarin e saj, ku kandidati që do të ngjallte shumë kontestime brenda demokratëve, ishte Eduard Selami. Vendimi është marrë nga dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Në vendimin që mban datën 28 qershor 2017, thuhet se në këtë proces do të marrë pjesë e gjithë anëtarësia e Partisë Demokratike deri në ditën e shpalljes së këtij vendimi. Sipas vendimit, zgjedhjet do të mbahen më 22 korrik 2017, ndërsa deri në mbajtjen e tyre, Basha vendosi të “ngrijë” funksionet e tij në krye të PD-së.

3 korrik – Rama mbledh deputetët e rinj të PS

Ashtu siç dhe ishte lajmëruar më herët Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me 73 deputetët e rinj socialistë të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se marrja e mandatit përbën një përgjegjësi për PS-në, e cila do të mund të qeverisë e vetme. Në fjalimin para skuadrës fituese të zgjedhjeve të 25 Qershorit, Rama u kujdes të bëjë një falënderim për ish-bashkëkryetarin në koalicionin qeverisës, Ilir Meta. Rama tha se një falënderim i shkon Ilir Metës për sa kohë kontribuoi për reformat, por jo për deklaratat gjatë fushatës.

23 korrik – Lulzim Basha rizgjidhet kryetar i PD-së me 91.3 % të votave

Kreu i PD-së Lulzim Basha është rikonfirmuar për një mandat të dytë 4-vjeçar në krye të PD-së pasi ka mundur në zgjedhjet e së shtunës për kreun e partisë sfidantin Eduard Selami. 12 vjet e gjysmë pasi iu bashkua Partisë Demokratike si një nga figurat e reja të saj, Lulzim Basha hyri të martën në këtë seli si kryetar i Partisë Demokratike, sërish në opozitë. Si përqindje të totalit Basha ka marrë 91.3 % të votave, kundrejt 8.7 % të rivalit Eduard Selami, i cili u kontestua dhe u pa me dyshim, pasi u cilësua si njeriu që po shpëtonte karrierën politike të Lulzim Bashës.

24 korrik – Ilir Meta betohet si President i Republikës (50

Tre muaj pas zgjedhjes së tij nga Kuvendi, Ilir Meta është betuar zyrtarisht si Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në një seancë të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë trupi diplomatik i akredituar në vend, Prokurori i Përgjithshëm, etj., Meta ka bërë betimin me dorën në Kushtetutë. “Betohem”, ka thënë ai jo pa emocione, pasi drejtuesja e seancës Valentina Leskaj ka lexuar formulën. Meta do të jetë presidenti i shtatë në pluralizëm i Shqipërisë. Pak çaste se Meta të betohej, në sallën e parlamentit ka hyrë edhe kryeministri Edi Rama, duke mbajtur kështu premtimin.

28 gusht – Rama shpall qeverinë, gratë marrin gjysmën e posteve

Kryeministri kthen në ekzekutiv disa ministra të larguar, ndërsa surprizoi me emrin e zv/kryeministres. Mbetet jashtë kabinetit qeveritar Saimir Tahiri, pavarësisht rezultatit tejet pozitiv që PS-ja arriti në zgjedhjet në Tiranë. Edi Rama i dha fund përgatitjeve për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re, duke shpallur listën e ministrave, me të cilët do të nisë mandatin e dytë. Kryeministri Rama do të bënte me dije se qeveria e re do të ketë 11 ministri dhe 2 ministra shteti. Ndërsa përbërja e saj do të jenë 50 % burra dhe 50 % gra.

10 shtator – Presidenti Meta dekreton qeverinë e re “Rama2”

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar qeverinë e re “Rama 2”. Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, Kryeministri Edi Rama do të depozitonte në Presidencë propozimet për kabinetin e ri qeveritar. Dekreti ka ardhur një ditë pas dekretimit të Edi Ramës si kryeministër i qeverisë së Shqipërisë. Janë 14 emra përveç të kryeministrit që janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, ndërsa të hënën Rama ka paralajmëruar prezantimin në Kuvend të programit të qeverisë dhe emrave të kabinetit të ri, ndërsa në Kuvend do të prezantohej programi për 4 vitet e ardhshëm.

27 shtator – Ndërkombëtarët nxijnë zgjedhjet e 25 qershorit

Misioni i vëzhguesve zgjedhorë i OSBE/ODIHR-it publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet. Në raport thuhet se ditën e zgjedhjeve janë vërejtur parregullsi e mosveprime procedurale. Janë vërejtur votime në grup dhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë. Pakti i 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin. Politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

28 shtator – Basha “ndjesë” ndaj LSI, përqafon Monika Kryemadhin

Kreu i PD-së, Lulzim Basha duket se ka kërkuar ndjesë ndaj LSI-së. Siç edhe duket nga fotot e bëra gjatë seancës së parlamentit, kreu i PD-së është afruar pranë grupit parlamentar të LSI-së dhe është përqafuar përzemërsisht me kryetaren Monika Kryemadhi. Pas kësaj, ai ka takuar edhe Petrit Vasilin dhe deputetët e tjerë që ndodheshin në atë radhë. Bashkëpunimi në opozitë mes PD-së dhe LSI-së duket se ka marrë rrugë tashmë, duke parë edhe mënyrën dhe sjelljen e liderëve të dy partive kryesore që janë vendosur përballë qeverisë kundër çdo iniciative të saj.

2 tetor – Donald Lu flet me emra: 4 klane kriminale kontrollojnë vendin

Me tone të forta dhe mesazhe të qarta për qeverinë, prokurorinë, policinë dhe ministritë, ambasadori amerikan Donald Lu ka prekur në plagë situatën e krimit në vend. Në një fjalë që mbajti në 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, Lu foli me emra, duke u ndalur te Shullazi, Lul Berisha, Klement Balili, ai fajësoi drejtësinë dhe gjithë institucionet përgjegjëse për situatën në vend. “Katër klane kryesore drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare që dominojnë aktivitetet kriminale”- deklaroi diplomati amerikan.

3 tetor – Kritikët e Bashës shpallin Lëvizjen për Ringritjen e PD

Merr formë Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike. Kritikët e Lulzim Bashës kanë shpallur platformën për ringritjen e Partisë Demokratike. Pas një takimi prej më shumë se dy orësh, nismëtarët e platformës së Lëvizjes për ringritjen e Partisë Demokratike kanë dalë me një dokument me qëndrimet dhe synimet kryesore të saj. Mbi 65 firma mban platforma politike e kësaj lëvizjeje ku bien në sy emra të njohur si Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Gent Malko, Endira Bushati, Valbona Mezini, Ridvan Bode, Igli Cara, Keltis Kruja, Majlinda Bregu, etj.

16 tetor – Arrestimi i Moisi Habilajt në Itali trondit politikën shqiptare

Arrestimi në Itali i Moisi Habilajt ka shkaktuar reagime të forta në radhët e Partisë Demokratike, e cila prej vitesh pretendon se Moisiu është i afërt i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe po sipas demokratëve, trafikonte drogë me “Audin” e ministrit afro 3 vite më parë. Lidhur me këtë ngjarje, reagimi i parë nga selia blu do të vinte pikërisht nga kryetari Lulzim Basha. i cili theksoi se për 4 vite PD-ja e ka denoncuar lidhjen e qeverisë “Rama” me botën e krimit. O ashtu edhe LSI-ja e cilësoi provën e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

16 tetor – Arrestimi i Habilajt, reagon Saimir Tahiri

Arrestimi i një grupi të madh trafikantësh droge në Itali ka bërë që në Tiranë të shpërthejnë akuzat direkte ndaj politikës. Basha deklaroi se kjo është prova e qartë e bashkëpunimit të Tahirit me krimin. Basha tha se arrestimet në Itali implikojnë direkt edhe Edi Ramën. Pas këtyre qëndrimeve, do të vinte reagimi i ish-ministri i Brendshëm. Saimir Tahiri thotë se drejtësia duhet të veprojë njëlloj për të gjithë, përfshi dhe ata që Basha i quan si kushërinj të tij. “Drejtësi deri në fund e dënim maksimal. Për këdo, pa dallim e pa përjashtim”- do të deklaronte Saimir Tahiri.

17 tetor – Përgjimet e Habilajt, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me përmendjen e emrit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nga një person i ndaluar në Itali, për trafik droge. Në reagimin e tij, ai tha se është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve. Rama deklaroi se Saimir Tahirin e njeh prej vitesh dhe ka pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por ai tha se, Shqipëria dhe shqiptarët duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës.

18 tetor – “Tahiri-Habilaj” bashkon opozitën në Frontin Opozitar

Zbardhja dhe publikimi i përgjimeve të trafikantë të drogës së grupit të Habilajve, në të cilat implikohet edhe ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u ka “shërbyer” partive opozitare që të zyrtarizojnë krijimin e frontit të përbashkët opozitar kundër krimit. Përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të tjera parlamentare dhe joparlamentare aleate të PD-së zhvilluan një tryezë takimi pas të cilës dolën në një deklaratë të përbashkët, ku u kërkua largimi i Edi Ramës si kreu i qeverisë, krijimi i një qeverie antimafia.

21 tetor – Rama nuk e lëshon Tahirin

Ashtu siç dhe pritej socialistët kanë dalë hapur në mbrojtje të ish-ministrit të Brendshëm duke mos e miratuar kërkesën e organit të akuzës. Ndërsa opozita është shprehur pro vënies para drejtësisë së ish-ministrit Tahiri. Nisur nga ky dyzim, Këshilli i Mandateve i paraqiti Kuvendit dy raporte paralele në seancën e radhës parlamentare, ku socialistët kërkojnë rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë, si të pabazuar në prova, si dhe ajo kërkon një shumicë të thjeshtë në Kuvend prej 71 votash, vota të cilat PS-ja e drejtuar nga Kryeministri Rama i ka.

24 tetor – Saimir Tahiri i shpëton burgut

Në Kuvendin e Shqipërisë 75 kartona pro u ngritën që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të hetohej i lirë dhe 60 të tillë që ai të hetohej me pranga në duar. Pas këtij vendimi, tashmë me forcën e ligjit, Saimir Tahiri s’mund të arrestohet edhe pse Prokuroria thotë se ka prova që e implikojnë ish-ministrin e Brendshëm me bandën e vëllezërve Habilaj. Mazhorancës iu bashkuan edhe tre vota të PDIU-së, ndërsa opozitës i munguan dy vota të LSI-së. Në seancë votimi u bë me elektronikë dhe ishte i hapur, duke bërë të lexueshme çdo votë të secilit prej deputetëve.

7 nëntor – Lu: Le ta hamë peshkun e madh

Gjatë prezantimit të rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit”, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu foli qartë dhe tha se krimi luftohet vetëm duke u shkëputur lidhjet e politikanëve me grupet kriminale. Ai gjithashtu tha se ka ardhur koha që të kapen sa më parë peshqit e mëdhenj dhe se rezultatet duhet të shihen që në fillim të 2018-ës. Ndërsa në mbyllje të fjalës së tij, diplomati amerikane do të bënte një tjetër deklaratë të fortë, duke thënë se tashmë ka ardhur koha që të hahen peshqit e mëdhenj.

21 nëntor – SHBA-BE: Largoni Llallën, zgjidhni kryeprokuror të përkohshëm

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla nuk mund të qëndrojë në detyrë përtej datës 7 dhjetor, datë kur i përfundon mandati. Pas datës 3 dhjetor kur mbaron mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla, Kuvendi duhet të zgjedhë një kryeprokuror të Përkohshëm deri në zgjedhjen e Këshillit të Prokurorisë. Këtë interpretim ligjor e kanë bërë ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, duke theksuar se nuk ka organ në vend që mund të zgjasë mandatin e kryeprokurorit. Sipas ekspertëve, këtë prokuror të përkohshëm e zgjedh parlamenti me shumicë të thjeshtë, pra mjaftojnë 36 vota.

23 nëntor – Basha: S’do lejojmë Ramën të emërojë kryeprokurorin

Në kulmin e debatit për mandatin e kreut të akuzës, Lulzim Basha, deklaroi se PD-ja nuk do të lejojë që Edi Rama, të emërojë Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Një kryeprokuror  i emëruar nga mazhoranca, sipas Bashës,  do të thotë fundi i hetimeve për atë që ai e quan kupolë kriminale në pushtet. Ai deklaroi se nuk do të lejojë dhe as do të pranojë një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur nga Rama në këto kushte. Basha tha se me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe.

4 dhjetor – PS: Llalla ikën, vjen Kryeprokurori i ri i përkohshëm

“Duke qenë se KLP nuk është konstituuar, ligjvënësi ka parashikuar një Prokuror të përkohshëm”. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili do të sqaronte se mandati i Adriatik Llallës, sipas përcaktimeve kushtetuese përfundon në datën 7 dhjetor 2017. Përsa kohë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni që do propozojë Kryeprokurorin, nuk është konstituuar, Balla tha se ligji për Prokurorinë ka parashikuar zgjedhjen e një Prokurori të përkohshëm nga radhët e Prokurorisë me 15 vite eksperiencë pune dhe gradë shkencore.

7 dhjetor – “Kryeprokurori”, Rama-Bashës: I kemi votat

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur disa herë radhazi ftesën për kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha  lidhur me uljen në tryezë për një pakt kombëtar për Europën dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për Prokurorin e Përgjithshëm. Në një prononcim për median Rama nënvizoi se mazhoranca ka mundësinë kushtetuese të zgjedhjes me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, por pavarësisht kësaj ai u shpreh se ka për borxh të ftojë opozitën në negociata. Nisur nga kjo deklaratë, Basha do të deklaronte pak minuta më vonë refuzimin e kërkesës së radhës për dialog.

16 dhjetor – Zgjedhja e kryeprokurorit, PD lajmëron protestë në 18 dhjetor

PD lajmëroi se do të organizojë në 18 dhjetor një protestë  kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm dhe mësohet se  protesta do të fillojë në orën 09:30 në kryeqytet. Kujtojmë që mazhoranca është për një prokuror të ri për të zgjedhur me 71 vota dhe pritet që të hënën  të votohet për Prokuror të Përkohshëm. Zgjedhja e tij ka shkaktuar debate mes kampeve politike. Madje edhe Basha nga Londra në takim me shqiptarët theksoi se Rama është edhe xhelat edhe gjyqtar në këtë çështje.

18 dhjetor – Kuvendi voton Arta Markun kryeprokurore të përkohshme

Kuvendi i Shqipërisë mes tensioneve dhe tymuesve zgjodhi kryeprokuroren e përgjithshme të përkohshme, Arta Markun. Kryeprokurorja u zgjodh me 69 vota pro 2 vota kundër dhe 2 abstenim. Ndërkohë që gjatë betimit deputetët e Partisë Demokratike janë afruar pranë podiumit për ta penguar. Arta Marku, 41 vjeçarja nga qyteti i Pukës, ka punuar më parë si prokurore pranë organit të akuzës në Shkodër. Kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme, Marku ka një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë fushë.

21 dhjetor – Kuvendi përjashton me 10 ditë 7 deputetët e opozitës

Byroja e Kuvendit pranoi  kërkesën e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të PS-së për të përjashtuar deputetët: Monika Kryemadhi, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Ervin Salianji, Endri Hasa, Flamur Noka dhe Bardh Spahia. Byroja e Kuvendit vendosi ti përjashtojë me 10 ditë 7 deputetët e opozitës. Kjo kërkesë e socialistëve lidhet me situatën e krijuar në seancën plenare të datës 18 dhjetor, ku u votua Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Ndërkohë Prokuroria e Tiranes ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj 10 deputetëve. Ata akuzohen për prishje të rendit publik dhe kundërshtim të policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit, në seancën e votimit të kryeprokurores së përkohshme.

21 dhjetor – Shqipëria voton në OKB kundër SHBA dhe pro Erdogan

Shqipëria ka votuar pro rezolutës së paraqitur nga Turqia dhe Jemeni në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që dënonte njohjen e Jerusalemit nga SHBA si kryeqytet të Israelit. Pra praktikisht Tirana zyrtare ka votuar kundër SHBA, aleatit më të madh strategjik të Shqipërisë. Votimi ka qenë një test i SHBA për aleatët e saj në botë. Para votimit SHBA dhe ambasadorja e saj në OKB deklaruan se Amerika do të mbante shënim këdo vend që do të dilte kundër qëndrimit të saj për Izraelin. Vota e qeverisë do të shkaktonte reagime të forta në Tiranë gjatë këtyre ditëve të fundit të vitit.

About The Author

Related posts