Korrik 19, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Partia Demokratike festoi 27 vjetorin e themelimit

Partia Demokratike festoi 27 vjetorin e themelimit

KMA NEWS / Partia Demokratike festoi mbrëmjen e sotme 27-vjetorin e themelimit të saj si partia e parë opozitare pas shembjes së murit të komunizmit.

Kryetari i saj, Lulzim Basha, deklaroi në ceremoni para dhjetëra politikanëve dhe diplomatëve të ftuar se ky përvjetor erdhi pas krimit të madh zgjedhor të 25 qershorit, i cili ishte një kthim prapa dhe dënim për qytetarët dhe demokracinë, sepse solli parlament dhe qeveri ilegjitime me votat e blera nga narkotikët.

“Kjo qeveri solli disa rekorde të zeza, por katër prej tyre spikatin: zgjedhja e individëve me rekorde kriminale në parlament dhe në funksione të larta publike, kanabizimi masiv i territorit nga bandat në ortakëri me qeverinë, angazhimi i bandave si struktura të Partisë Socialiste për të blerë vota me paratë e drogës e korrupsionit dhe për të dhunuar zgjedhësit, blerja masive e votës në zgjedhjet e 25 qershorit” – tha zoti Basha.

Ai tha se denoncimet e opozitës për skandalet kriminale e korruptive të socialistëve u vërtetuan në kohë reale një për një me emra dhe detaje, ndaj Partia Demokratike doli si një opozitë me integritet të lartë moral dhe politik.

“Ne do të donim që kriminalizmi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet” – tha zoti Basha.

Në këtë kontekst ai përmendi edhe pranimin e marrëveshjes parazgjedhore për zgjedhjet, që u propozoi SHBA shumicës dhe opozitës shqiptare.

“Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj, për të cilin u bë marrëveshja, e tani pabesia po i ngec në fyt” – tha zoti Basha.

Partia Demokratike mori urime për festën nga Presidenti Ilir Meta.

Në festën e demokratëve mori pjesë edhe përfaqësuesja e Partisë Socialiste, deputetja Vasilika Hysi, e cila mbërriti në rreshtat e parë të tubimit festiv nga fundi i fjalimit të kryetarit opozitar Basha.

Kryeministri Edi Rama i ka drejtuar atij këto ditë disa ftesa për bashkëpunim lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi dhe zgjedhjen e prokurorit, por ka marrë vetëm refuzime.

About The Author

Related posts