Janar 16, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Polemika të ashpra në Tiranë për votën kundër SHBA në OKB

Polemika të ashpra në Tiranë për votën kundër SHBA në OKB
REKLAMA NE LAJM

KMA NEWS / Polemika të forta në Tiranë për votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Opozita ka folur për “një qëndrim të gabuar”. Kritik është shfaqur dhe presidenti Ilir Meta, sipas të cilit një qëndrim i tillë i Shqipërisë ka qenë “tërësisht i panevojshëm”.

MInistria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi mbrëmë, përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.

Por Presidenti Ilir Meta u shfaq sot kritik ndaj kësaj zgjedhjeje. Zëdhënësi i tij Tedi Blushi i tha Zërit të Amerikës se “Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”. Zëdhënësi sqaroi më tej se “Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”. Zoti Meta ka vënë theksin te rëndësia që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë. “Nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri me i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara. Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, përfundon deklarata e Presidentit Meta.

Edhe opozita e kundërshtoi qëndrimin e mbajtur në OKB. Kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, në Tv Klan se “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për cështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendve të BE-së”, tha zoti Basha, sipas të cilit “është një qëndrim i gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të Natos dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër – shpjegoi ai – ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.

 

REKLAMA NE LAJM

About The Author

Related posts