Shtator 26, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Vota kundër SHBA, Shqipëria penalizohet në terma afatgjatë

Vota kundër SHBA, Shqipëria penalizohet në terma afatgjatë

KMA NEWS

Nga Dritan Hila

Rezoluta e sponsorizuar nga Turqia dhe Jemeni nuk kishte asnjë pasojë ndaj SHBA. Ishte një fletë-rrufe ku Turqia dhe vendet arabe morën një sadisfaksion moral duke dënuar satanain e madh, por pa asnjë pasojë.
Tashmë Jeruzalemi është kryeqytet i Izraelit për SHBA.
Nga vendet e rëndësishme, Britania, Franca dhe Gjermania e votuan këtë fletë-rrufe diplomatike për arsye që nisin nga përgjegjësitë e Britanisë dhe Francës në trazirat e këtij rajoni, synimet për ndikim, dhe deri në qëndrimin gjerman që ka lidhje me rolin hegjemon.
Secili nga 128 vendet anëtare ka arsyet e veta që është e kotë të ndalesh, ashtu siç Shqipëria kishte plot arsye që ta kundërshtonte. Kjo nuk ndodhi. Por për të relativizuar votimin në OKB krahas Jemenit dhe Turqisë, qeveria shqiptare përkrah thashethemen se ka qenë një qëndrim në përputhje me atë të BE, duke dizinformuar rëndshëm opinionin dhe përdorur BE-në si dordolec. Nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar të BE, sepse BE ende nuk ka politikë të jashtme.
Pamë deri gazetarë zyrtarë ta barazonin SHBA me Togon dhe Ishujt Marshall duke kopjuar një sekuencë nga dokumentari 9/11 i regjisorit Michael Moore. Në këtë dokumentar militant, ka një pjesë, ku regjisori për të përqeshur aksionin e SHBA kundër Irakut dhe justifikimin e qeverisë amerikane se në këtë aksion kishte edhe aleatë, i përmend pikërisht disa shtete liliputë, madje të shoqëruara nga sekuenca me luftëtarë folklorikë që do mbështesnin trupat amerikane. Për koincidencë disa nga këto shtete që përmend Moore janë edhe votues në krah të SHBA herën e fundit. Kjo tallje mund t’i falet Moore, apo Rusisë, por jo një aleati të SHBA si Shqipëria.
Nëse Shqipëria do votonte krah SHBA, do të ishte një votim ku e ku më i lehtë sesa vendimet që ka marrë Fatos Nano dhe Sali Berisha.
Kur në vitin 2003 SHBA sulmoi Irakun, qeveria e Fatos Nanos u ndodh nën një presion të madh dhe direkt nga Franca, Gjermania, Danimarka etj (çuditërisht vende që edhe së fundmi votuan pro rezolutës) për të mos marrë pjesë në koalicionin sulmues. Pavarësisht se nën një trysni të jashtme dhe të brendshme, Fatos Nano mori vendimin e një burri shteti duke marrë pjesë në koalicion. Shqipëria u shpërblye pak vite më vonë me anëtarësimin në NATO.
Ishte vetoja e SHBA për këtë anëtarësim, pasi sesa e meritonim dihet.
Disa vite më vonë, në vitin 2012, Turqia i bëri presion Berishës që të votonte pro anëtarësimit të Palestinës në OKB. Berisha abstenoi.
Mori mirënjohjen e SHBA dhe Izraelit hapjen e ambasadës në Tiranë, premtimin për njohjen e Kosovës dhe investimin e nëntë firmave të fuqishme. GULF është një ndër ato. Por mori përsipër edhe urrejtjen e Erdoganit.
Por siç duket qeveria e tanishme është lehtësisht e kërcënueshme nga sponsorët e rezolutës, madje për shumë më pak kosto sesa morën paraardhësit e saj.
A do të ketë pasoja?
Në librin e tij “Rizgjimi i dragoit”, Edward Lutwak, një nga strategjistët më të paguar në SHBA dhe ish këshilltar për çështjet e sigurisë i presidentit Klinton, shpjegon moskuptimin e fuqisë së madhe ndaj problemeve që i krijojnë vendet e tjera, të cilin e quan autizëm të saj.
Kështu përshembull ai shpjegon se në rast se japonezët e llogaritën goditjen në Pearl Harbour si paralajmërim për amerikanët, që mos t’i pengonin në avancimin e tyre në Paqësor, nga yankeet, ajo u kuptua si sfidë. Pasojat dihen. Të njëjtën gjë i këshillon Kinës për çështjen e ishujve Spratley në Detin e Kinës. Lutëak e paralajmëron Kinën që një goditje e pallogaritur mirë ndaj anijeve të SHBA që patrullojnë zonën ku Kina po ndërton ishuj artificialë, mund të kuptohet nga SHBA si akt luftë dhe të ketë përgjigje një raprezalje në shkallë të gjerë.
Ky lloj autizmi vepron aq më shumë me vende të vogla, ku vështirë të kuptohen nga një gjigand si SHBA, interesat e tyre minore apo ca më keq pazaret.
Pavarësisht se SHBA ka një ambasadë këtu, vështirë që ajo të shpjegojë pelivanllëqet elektorale apo pazaret rajonale të feudalëve shqiptarë. Natyrisht që nuk do të pritet raprezalje ushtarake.
Por do jenë shënime në dosjen tonë të cilat janë më keq se dosjet e Enver Hoxhës, ku nuk të harrohej daja kulak edhe pas 50 vjetësh.
A do të ketë kosto qeveria shqiptare në planin e brendshëm? Jo. Shqipëria do të penalizohet në terma afatgjatë të cilat e kalojnë mandatin 4 vjeçar, ndaj qeveria nuk ka pse të shqetësohet. Madje as të lodhet duke kopjuar Michael Moore. Dritare.net

About The Author

Related posts