Shkurt 24, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Nis punimet sesioni i ri kuvendor: Opozita kërkon ndryshime kushtetuese për Kryeprokurorin

Nis punimet sesioni i ri kuvendor: Opozita kërkon ndryshime kushtetuese për Kryeprokurorin
REKLAMA NE LAJM

KMA NEWS / Opozita ka propozuar ndërhyrje në kushtetutë, për të përcaktuar rregulla të qarta për zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, duke kërkuar në këtë mënyrë anullimin e caktimit në këtë detyrë të zonjës Arta Marku, dhjetorin e kaluar. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë hartuar amendamentin përkatës sipas të cilit deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, përmes propozimeve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, funksionet do të ushtrohen “nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm”. Po sipas propozimit, kandidaturat i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar. Opozita kërkon që me hyrjen në fuqi të këtij ndryshimi, Kryeprokurores aktuale t’i quhet i përfunduar qëndrimi në detyrë.

Propozimi erdhi në hapje të sesionit të ri parlamentar. Opozita e kundërshtoi me forcë zgjedhjen e zonjës Arta Marku dhjetorin e shkuar, vetëm me votat e shumicës, duke e cilësuar si një shkelje flagrante të Kushtetutës, dhe përpjekje të shumicës për të vënë sipas saj nën kontroll Drejtësinë.

Polemika kanë shkaktuar dhe vendimet e zonjës Marku për lëvizjen e disa drejtuesve të prokurorive në rrethe të cilët ishin të komanduar, apo dhe të Drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e njësisë së dekriminalizimit, në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi. Kjo e fundit ju drejtua menjëherë Gjykatës administrative, duke e konsideruar lëvizjen e saj nga posti si shkelje të ligjit.

Çështja e Prokurorit të përkohshëm dominoi dhe seancën e mbrëmjes së parlamentit, ku drejtuesit e grupeve parlamentare të opozitës, si dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, përsëritën akuzat e tyre drejtuar shumicës se po kërkon të vërë kontrollin mbi sistemin e Drejtësisë “për të mbrojtur Saimir Tahirin, kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe atë të Elbasanit Qazim Sejdini, dhe lidhjet e tyre me krimin”. Por sipas kreut të grupit socialist, Taulant Balla, sjellja e opozitës, veçanërisht në seancën e 18 dhjetorit të kaluar, “ndikohet pikërisht nga frika ndaj Reformës në Drejtësi”.

Mes polemikave të palëve, për procedurën, parlamenti përfshiu në rendin e punimeve të tij propozimin e firmosur nga 55 deputetët të opozitës për ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë.

REKLAMA NE LAJM

About The Author

Related posts