Dhjetor 11, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Presidenti Trump i revoltuar nga komentet e ish-ndihmësit

Presidenti Trump i revoltuar nga komentet e ish-ndihmësit

KMA NEWS / Ish strategu kryesor i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon tha se asgjë nuk mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e tij me Presidentin Trump.

Komentet bëhen një ditë pas kritikave të ashpra të ndërmarra dje ndaj tij nga Shtëpia e Bardhë. Sulmet lidhen me publikimin e pritshëm të një libri, ku zoti Bannon citohet të ketë thënë se e quan akt tradhtie dhe jopatriotik faktin që djali i madh i presidentit dhe disa persona të tjerë u takuan me rusët gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.

Avokatët e Presidentit Trump kanë deklaruar se do ta bllokojnë botimin e librit “Zjarr dhe Furi” me autor Michael Wolff.

Presidenti Donald Trump ka shprehur “revoltim dhe neveri” pasi ka lexuar komentet e Stephen Bannon-it në një libër të ri, tha dje në konferencën e përditshme për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders.

Presidenti, zëdhënësja e presidentit dhe Drejtoresha e Komunikimeve për Zonjën e Parë nxorën deklarata dje pasdite me kritika të ashpra në adresë të zotit Bannon, një figurë e njohur e rrymave nacionalista që ka qenë më parë shef ekzekutiv i fushatës Trump në tre muajt e fundit para zgjedhjeve dhe më pas një ndër këshilltarët kryesorë në Shtëpinë e Bardhë.

“Steve Bannon nuk ka të bëjë fare me presidencën time,” tha zoti Trump. “Kur e largova nga detyra, jo vetëm që humbi punën, por humbi edhe mendtë e kokës”.

Presidenti në deklaratën e tij u shpreh se Bannon vepron vetëm si i intereson dhe se “e kaloi kohën në Shtëpinë e Bardhë duke nxjerrë informata të sajuara për median për ta treguar veten më të rendësishëm se ishte” ndërkohë që i kishte shpallur luftë medias.

Citimet në Libër

Autori Michael Wolff, në librin e tij citon zotin Bannon duke bërë kritika të forta ndaj djalit të presidentit, Donald Trump Jr., dhëndrit të presidentit Jared Kushner (një ndër këshilltarët e tij kryesorë në Shtëpinë e Bardhë) dhe ish-menaxherit të fushatës Paul Manafort, për takime me rusë që kishin premtuar të ofronin informata kompromentuese për kandidaten demokrate Hillary Clinton.

Takimi i qershorit 2016 brenda selisë së fushatës në Kullën Trump në Nju Jork u zhvillua pasi djali i presidentit tha se do të “donte shumë” të kishte materiale që dëmtonin fushatën Clinton.

Trump Jr. tha më pas se juristja ruse me të cilën ishte takuar nuk kishte materiale të tilla.

“Edhe nëse mendon se këto veprime nuk janë akte tradhtie, apo sjellje jo patriotike, apo sjellje e keqe, që në fakt unë mendoj se janë të tilla, gjithsesi duhet menjëherë të kontaktosh FBI-në,” ka thënë zoti Bannon, duke iu referuar institucionit kryesor hetimor të qeverisë federale, Byrosë Federale të Hetimeve.

Këto janë “akuza absurde” se djali i presidentit ka kryer akte tradhtare, u përgjigj zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ndaj pyetjes së një gazetari.

Libri i titulluar Zjarr dhe Furi, Bannon citohet të ketë thënë se djali i presidentit do të “çahet si vezë” nën presionin e hetuesve që po analizojnë rolin e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Zëdhënësja Sanders tha se autori Wolff kishte shkruar “dëshmi të shtrembëruara dhe të pavërteta nga individë që nuk kanë kontakte apo influencë në Shtëpinë e Bardhë,” por ajo pohon se autorit iu dha mundësia të kontaktonte dhjetëra herë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që kur zoti Trump u bë president.

Pasi u pushua nga puna në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bannon vazhdoi të shprehë mbështetje të fortë për Presidentin Trump, por deri tani nuk ka pasur sukses në përpjekjet për të mbështetur kandidatë republikanë të fitojnë zgjedhjet për Kongres për të mbështetur axhendën populiste të presidentit.

“Kemi të bëjmë me një ish-këshilltar që ka një ego thuajse aq të madhe sa e presidentit,” thotë historiani presidencial David Cohen.

Fokusi tek pastrimi i parave

Sipas librit, Steve Bannon thotë se ekipi hetimor i kryesuar nga prokurori special Robert Mueller që po zhvillon hetime për të zbuluar nëse ka pasur lidhje mes fushatës Trump dhe Rusisë për të ndikuar tek zgjedhjet, tani po heton dhe veprime që cilësohen si pastrim parash.

“Pista që po ndjekin për të “kapur” Trumpin kalon përmes Paul Manafortit, Don Jr. dhe Jared Kushner,” citohet të ketë thënë Bannon.

Kjo çarje me presidentin dhe ekipin e Shtëpisë së Bardhë e bën zotin Bannon një kundërshtar të rrezikshëm, pasi ai ka qenë prezent në shumë takime të rëndësishme gjatë fushatës dhe në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai i di të gjitha sekretet e pista,” thotë për Zërin e Amerikës historiani David Cohen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Akronit në Ohajo. “Nëse zoti Bannon po prish publikisht marrëdhëniet me Presidentin Trump, nuk ka garanci që ai nuk do t’ua tregojë të gjitha hetuesve. Diçka e tillë do të ishte shumë e dëmshme për Presidentin Trump në aspektin ligjor”.

Prokurori special Mueller ka ngritur aktpadi ndaj Paul Manafortit dhe ndihmësit tjetër të fushatës Trump, Rick Gates, nën akuzat për pastrim parash lidhur me aktivitetin e tyre lobist në interes të Ukrainës para zgjedhjeve të 2016-ës si dhe ka siguruar deklaratë fajësie nga ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn dhe ish-këshilltari për politikën e jashtme, George Papadopoulos, të akuzuar se kishin gënjyer në dëshmitë që u dhanë agjentëve federalë për kontaktet e tyre me Rusinë.

Përveç hetimeve lidhur me kontaktet e fushatës Trump me përfaqësues të Rusisë, prokurori Mueller po heton nëse zoti Trump ka penguar procesin e drejtësisë kur shkarkoi nga detyra ish-drejtorin e FBI-së James Comey, i cili kryesonte hetimet e këtij institucioni mbi rolin e Rusisë në zgjedhje, para se prokurori Mueller të emërohej për të drejtuar hetimet.

Një zhvillim i papritur dhe i pazakontë ligjor u regjistrua dje, kur Paul Manafort ngriti padi kundër prokurorit Mueller.

Padia në gjykatë civile akuzon Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili emëroi prokurorin special Mueller, se kishte kapërcyer autoritetin ligjor duke i dhënë “dorë të lirë zotit Mueller për të hetuar dhe ndjekur penalisht këdo që i dilte përpara”.

“Kjo padi s’ka baza, por Manafort ka të drejtën të ngrejë padi,” tha në kushte anonimiteti një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë për Zërin e Amerikës.

About The Author

Related posts