Dhjetor 13, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Rama nga Asambleja e PS: S’mundet opozita të bëhet problemi i negociatave

Rama nga Asambleja e PS: S’mundet opozita të bëhet problemi i negociatave

KMA NEWS / Nga Asambleja Kombëtare e PS-së, kryeministri Edi Rama foli për drejtësinë dhe sipas tij, kjo ndau krahët e partive politike. Ai shtoi se procesi i vettingut ka nisur, ku edhe u shpreh besimplotë se dy tre muajt e parë të vitit do të ketë rezultate konkrete.

Kryeministri akuzoi hapur edhe opozitën se me qëndrimet dhe sjelljet e saj po rrezikon të bëhet pengesë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Sipas kryeministrit pozicioni i opozitës, e cila ka paralajmëruar nisjen e një vale protestash, lidhet me frikën ndaj zbatimit të Reformës në Drejtësi. Nga ana e saj Partia Demokratike dhe Lëvizja socialiste për Integrim reaguan duke deklaruar se pengesa e vetme e reformës në Drejtësisë sipas tyre është vetë kryeministri.

Për kryeministrin Edi Rama, 6 muajt e ardhshëm janë mundësia më e mirë që Shqipëria të mund të marrë nga Brukseli dritën jeshile për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Por në fjalën e tij mbajtur sot në Asamblenë e Partisë socialiste, ai paralajmëroi për rrezikun që sipas tij, mund t’i sjellë kësaj faze të procesit, sjellja e opozitës, të cilën e cilësoi si “kampi kundër Reformës në Drejtësi, i zgjeruar tanimë, sic u shpreh ai dhe me përfshirjen haptas të aleatëve të mandatit të pare”, LSI-së.

“Jemi në kushtet kur po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë; çelja e negociatave me Bashkimin Europian. Po kërcënohet nga brenda Shqipërisë, po kërcënohet pikërisht nga frika prej Reformës në Drejtësi, e kthyer në një politikë të dëshpëruar destruktive, që ne si qeveri nuk ka çfarë na bën, por që Shqipërisë mund t’i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm”, u shpreh zoti Rama.

Kryeministri ju drejtua me një thirrje partisë demokratike, që të vazhdojë betejën e saj politike, qoftë dhe me protesta, por të mos kthehet në një problem për vendin në procesin e integrimit, pasi hapja e bisedimeve, u shpreh zoti Rama”do të ishte dhe duhet të jetë triumfi i Shqipërisë”.

Opozita reagoi menjëherë. Kryetari i grupit parlamentar të LSi-së Petrit Vasili i cilësoi mashtrime deklarimet e kryeministrit duke theksuar se partia e tij ka luajtur një rol përcaktues në reformën në Drejtësi: “Kemi qenë të qartë në reformën në drejtësi për të mbështetur shtetin ligjor. Reformën në Drejtësi e minoi me zgjedhjen e prokurores me 69 vota që ishte antireforma më e thellë dhe ishte vdekje e reformës në drejtësi. Po ua them prapë ai që e vdiq Reformën në Drejtësi është Edi Rama. Qëndresa jonë do jetë e papajtueshme, pa asnjë kompromis pasi këtu nuk kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me opozitën por me shqiptarët”.

Ndërsa gjatë një takimi me anëtarësinë e partisë së tij kryetari demokrat Basha tha se prej kohësh kryeministri akuzon opozitën se është kundër Reformës në Drejtësi, “Po sot? Përse e ka zgjedhur kryeprokurorin pa veting? Përse e ka bllokuar ngritjen e SPAK-ut dhe BKH. Përgjigjia është e thjeshtë dhe e qartë. Sepse Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, janë në panik dhe të tmerruar. Ata e kanë jetike pengimin e drejtësisë së vërtetë, pengimin e reformës në drejtësi”. Komentet e tij zoti Basha i bëri nga Fieri, pjesë e turit të ndërmarë prej tij për të përgatitur protestat e paralajmëruara të nisin këtë muaj.

 

About The Author

Related posts