Shtator 26, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

BE: Serbia jo në Europë pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën

BE: Serbia jo në Europë pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën

KMA NEWS / Përfaqësues të Bashkimit Evropian vizituan sot Kosovën ku zhvilluan takime me zyrtarë të lartë shtetëror. Ata thanë se rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë e qartë por se asnjë shtet nuk mund të përparojë në këtë rrugë derisa të mos ketë pajtim të plotë, e posaçërisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, tha sot në Prishtinë se perspektiva e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e qartë por ajo duhet t’i përmbushë detyrat e veta në mënyrë që të ecë përpara në këtë rrugë.

Zoti Danielsson i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku tha se edhe strategjia e Bashkimit Evropian qartëson detyrat që mbesin për t’u përmbushur nga Kosova.

“Kjo ka të bëjë me çështjet siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik si edhe pajtimi. E poashtu më në fund është përcaktuar qartë se çka ne si Bashkim Evropian mund dhe do të bëjmë për ta përakrahur Kosovën në përpjekjet e saj”, tha zoti Danielson.

Drejtori Menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Thomas Mayr-Harting, tha se as Serbia dhe as Kosova në fakt nuk mund të ecin përpara në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian pa normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes tyre.

“Askush nuk mund të shënojë përparim në rrugën evropiane nëse nuk ka pajtim të plotë dhe në rastin specifik në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Strategjia e përcakton shumë qartë se Serbia nuk mund të ketë përparim nëse nuk ka zbatim të pakthyeshëm të një marrëveshjeje ligjore për normalizim të plotë dhe mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm”, tha zoti Harting.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrat në procesin integrues të Kosovës.

“Strategjia për Ballkanin Perendimor e ka lënë të hapur rrugën për Kosovën dhe e ka definuar këtë rrugë, por na mbetet shumë punë për të bërë”, u shpreh Hardinaj.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian folën edhe për çështjen e shënimit të vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, si një kusht kryesor për liberalizimin e vizave duke thënë se tashmë kjo çështje është në dorën e të dy shteteve përkatëse dhe se Bashkimi Evropian do të ishte i kënaqur me arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt.

Kosova shpalli pavarësinë dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj ndërsa është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën që i kanë mundësuar asaj negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon.

About The Author

Related posts