Prill 23, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Maqedonia miraton mes tensionesh ligji për gjuhët

Maqedonia miraton mes tensionesh ligji për gjuhët

KMA NEWS / Parlamenti i Maqedonisë miratoi mes tensionesh me 64 vota, ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qendror të vendit.

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e pengoi edhe fizikisht kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, që të drejtojë seancën, e cila megjithatë vazhdoi dhe miratoi ligjin, ndërsa një grup qytetarësh ishte mbledhur para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ligjit.

VMRO DPMNE, në opozitë tha se ligji është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë dhe cenon karakterin unitar të saj. Kjo parti kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij.,

Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji për herë të tretë të dërgohet në parlament.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur në vitin 2001 duke i dhënë fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni.

Marrëveshja përfshinte një sërë ligjesh që avanconin pozitën e shqiptarëve, por gjuha shqipe nuk pati trajtimin e kërkuar nga shqiptarët.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit të vitit 2016 se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend.

Kjo ishte pjesë edhe e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet tij dhe partive politike shqiptare.

About The Author

Related posts