Prill 23, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Protestë dhe reagime pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Lezhë

Protestë dhe reagime pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Lezhë

KMA NEWS / Një ditë pas arrestimit të disa zyrtarëve vendorë në Bashkinë e Lezhës si të dyshuar për abuzime me tokat shtetërore në bregdetin e Shëngjinit, dje kanë ardhur edhe reagimet e para nga Bashkia Lezhë dhe Partia Demokratike, të cilës i përket edhe kryetari i arrestuar i Bashkisë, Fran Frrokaj.

Pas arrestimit dje të 12 zyrtarëve, policia po vazhdon operacionin për arrestimin edhe të 11 personave të tjerë të shpallur në kërkim. Policia ka bërë të ditur se hetimet në lidhje me abuzimet në bregdetin e Lezhës kanë nisur pas denoncimit të vetë qytetarëve.

Edhe gjatë ditës së shtunë policia vendore e Lezhës ka vazhduar operacionin policor “Ranishta 4” për arrestimin edhe të 11 përsonave të shpallur në kërkim policor, si pjesë e grupit të madh prej 23 zyrtarësh vendor të Lezhës.

Gjatë orëve të paradites, mbështetës të Partisë Demokratike si dhe familjarë të të arrestuarve, protestuan para drejtorisë së policisë së Lezhës, ku mbahen të arrestuarit e një dite më parë. Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave duke i cilësuar arrestimet si të inskenuara politikisht.

Në një reagim të Bashkisë së Lezhës, nënkryetarja e kësaj bashkie, Alfrida Marku, mohoi akuzat ndaj drejtuesit dhe administratës së kësaj bashkie, akuza të cilat, sipas saj, janë ndërtuar për konsum publik dhe politik.

“Ngjarja e ditës së djeshme është përcjellë me shqetësim dhe indinjatë të thellë nga ana e të gjithë stafit dhe drejtuesve të Bashkisë Lezhë. Ne mbesim të shqetësuar se si një hetim administrativ, i drejtë në thelbin e tij, u ndërtua dhe po përdoret për konsum publik dhe politik. Zoti Fran Frrokaj mbetet kryetari legjitim, i zgjedhur i kësaj bashkie deri në provë të kundërt. Në emër të Bashkisë Lezhë dhe të gjithë qytetarëve unë dua të besoj se integriteti i gjykatës do të triumfojë mbi interesa të ngushta palësh dhe mbi arrivizmat politike të gjithkujt”.

Rreth mesditës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në Lezhë në një takim me strukturat e partisë, por më parë, nga selia e partisë në Tiranë, Basha bëri një deklaratë në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj, duke kërkuar hetim transparent, jo politk, dhe të paanshëm.

“Sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve se ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi im dhe i Partisë Demokratike është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë. Por ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, të jetë jopolitik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe profesionale dhe jo një drejtësi të kapur dhe të ndikuar nga axhenda politike për drejtësi selektive të drejtuar ndaj një krahu politik në favor të një krahu tjetër.”

Gjatë mbrëmjes së kaluar, gjatë një konference për mediat, drejtori i policisë së Qarkut Lezhë, Ferdinad Mara, deklaroi se arrestimi i zyrtarëve të bashkisë dhe disa përsonave të tjerë në Lezhë është bërë pas dyshimeve se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësua rrreth 235 mije m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun” dhe se hetimet për këto abuzime nisën pas denoncimeve të vetë qytetarëve.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”. Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore. Më pas është rregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshe Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë. Këto hetime proaktive janë kryer në funksion të procedimit Penal regjistruar në vitin 2017, për veprat penale tё “Shpërdorimit të detyrës”dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Hetimet lidhur me këtë dosje kanë filluar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga burime policore dhe ankime të qytetarëve”.

Ndërkohë, pritet që gjatë ditës së nesërme të arrestuarit të paraqiten në gjykatën e Lezhës për rivlerësim të masës së sigurisë, ndërkohë që mbështetësit e opozitës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestën edhe gjatë ditëve në vazhdim.

About The Author

Related posts