Prill 23, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Rusia paraqet teori të ndryshme për helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij

Rusia paraqet teori të ndryshme për helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij

KMA NEWS / Ndërsa mosmarrëveshja mes Britanisë dhe Rusisë u thellua të shtunën lidhur me helmimin në territorin britanik të një ish-spiuni rus, me njoftimin e Kremlinit për dëbimin e 23 diplomatëve, Ministria e Jashtme ruse nxorri një teori të re lidhur me prejardhjen e lëndës helmuese të përdorur.

Ministria e Jashtme ruse përmendi katër vende evropiane si burimet më të mundshme për agjentin nervor Noviçok, që zyrtarët britanikë thanë se ishte përdorur për të helmuar Sergei Skripalin dhe vajzën e tij 33 vjeçare, Yulia. Në krye të listës ishte vetë Britania, ndërsa tre të tjerat ishin Sllovakia, Republika Çeke dhe Suedia.

Në një intervistë me një televizion shtetëror rus në prag të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova la të kuptohet se të treja këto shtete, ashtu si Britania, “kishin bërë studime intensive” për Noviçokun, por ajo nuk dha prova për pohimin e saj.

Ministri i Jashtëm çek, Martin Stropnicky e hodhi poshtë pretendimin e Zakharovës, duke thënë se “ne e hedhim poshtë një deklaratë të tillë pa bazë lidhur me origjinën e Noviçokut.”

Ndërsa tensionet thellohen mes Britanisë dhe Rusisë lidhur me helmimin e Skripalëve që u gjetën pa ndjenja në një park në qytetin Salisbury, ligjvënësit dhe analistët britanikë po i kërkojnë kryeministres britanike Theresa May, që të konfiskojë pronat e investuara në Britani të plutokratëve rusë që kanë lidhje me udhëheqësin rus, Vladimir Putin.

Njoftimi i Kremlinit të shtunën për dëbimin e diplomatëve britanikë ishte i pritshëm si reagim ndaj dëbimit nga Britania të të njëjtit numër diplomatësh rusë në fillim të javës. Në mes të javës, kryeministrja britanike njoftoi për një sërë masash si reagim ndaj asaj që Londra thotë se ishte një përpjekje e miratuar nga Kremlini për vrasjen e Skripalit, një agjent i dyfishtë për të cilin Presidenti Putin kishte premtuar dikur publikisht sedo ta vriste, dhe vajzës së tij.

Të dy ata vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.

About The Author

Related posts