Maj 25, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Tensione mes Londrës dhe Moskës: Sot skadon afati i ultimatumit

Tensione mes Londrës dhe Moskës: Sot skadon afati i ultimatumit

KMA NEWS / Britania i ka dhënë Kremlinit afat deri të martën në mesnatë për të shpjeguar pse një agjent nervor i prodhuar nga ushtria ruse u përdor për të helmuar një ish agjent të dyfishtë rus dhe vajzën e tij në një qytet të vogël në Anglinë jugore.

Askush në qeverinë britanike nuk ka shpresë për një përgjigje të duhur ruse, që do të ishte e kënaqshme për Londrën.

Ndërsa afati po afron, zyrtarët britanikë po përpiqen të marrin mbështetjen e aleatëve perëndimorë dhe duket se janë gati të aktivizojnë nenin 5 të Natos mbi mbrojtjen kolektive, nëse është e nevojshme. Kjo do të ishte hera e parë në historinë 59-vjeçare të Aleancës Perëndimore.

Në deklaratën e saj në parlament të hënën, ku tha se ishte “shumë e mundshme” që Kremlini të ketë autorizuar helmimin e 4 marsit të Sergei Skripalit, një ish oficer i zbulimit ushtarak rus i rekrutuar nga shërbimi britanik i zbulimit, MI6 dhe vajzës së tij 33-vjeçare, Kryeministrja britanike Theresa May i zgjodhi me kujdes fjalët e saj.

Ajo i përshtati fjalët, thanë ndihmësit e saj, në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjerojë dimensionin ndërkombëtar të krizës politike dhe diplomatike që po zhyt marrëdhëniet anglo-ruse në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

“Nëse nuk do të ketë një përgjigje të besueshme, ne do të arrijmë në përfundimin, se ky veprim përbën një përdorim të paligjshëm të forcës nga ana e shtetit rus kundër Britanisë së Madhe”, tha zonja në deklaratën e saj.

Sipas ligjit ndërkombëtar, një vend që është viktimë e përdorimit të paligjshëm të forcës nga një vend tjetër, ka të drejtë të përgjigjet. Duke zgjedhur me kujdes fjalët e saj, May tha se ajo po e trajton tentativën e vrasjes së Skripalëve jo si një veprim kriminal, por si një sulm të sponsorizuar nga një shtet kundër të gjithë Britanisë së Madhe.

Kjo gjithashtu përgatit bazën që Britania të ndjekë shembullin e Amerikës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe në Uashington dhe të mbështetet në nenin 5 të traktatit të NATO-s të vitit 1949, i cili thotë: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur ndaj një ose më shumë vendeve anëtare në Evropë, ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohej si sulm kundër të gjitha vendeve dhe se ata duhet të punojnë së bashku për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Gjuha që Kryeministrja May përdori, ka një dallim të theksuar me reagimin britanik ndaj helmimit fatal të vitit 2006 të një tjetër ish-spiuni rus, disidentit Aleksandër Litvinenko, i cili vdiq pasi piu çaj ku ishte hedhur substanca polonium. Në atë kohë nuk u fol për një përdorim të paligjshëm të forcës nga Rusia.

Kryeministrja May ka marrë mbështetje të përgjithshme nga aleatët ndërkombëtarë, por asnjë vend nuk përmendi nenin 5 të Natos.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha: “Përdorimi i një agjenti nervor është i tmerrshëm dhe plotësisht i papranueshëm. Britania e Madhe është një aleat shumë i vlefshëm dhe ky incident është një shqetësim i madh për Naton.”

Pas bisedës telefonike me Kryeministren May, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Parisi mbështet me solidaritet Britaninë e Madhe.

Por zyrtarët britanikë privatisht pranojnë ankthin në lidhje me mbështetjen praktike që ata do të jenë në gjendje të sigurojnë dhe mbi atë se si do të pritet kerkesa e tyre për një përgjigje të koordinuar perëndimore ndaj Rusisë. Zyrtarët përshëndetën dënimin të hënën për helmimin e Skripalit nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, por mbetën të shqetësuar kur ajo nuk përmendi në mënyrë specifike Rusinë si përgjegjëse të sulmit.

“Çfarëdo masa që Britania merr kundër Rusisë, ajo që është më e rëndësishme, është bindja e Uashingtonit, Brukselit, Berlinit, se një strategji e plotë e Perëndimit është e nevojshme për të treguar forcën dhe vendosmërinë e tyre përballë sjelljeve të papranueshme”, tha ish-sekretari i jashtëm britanik William Hague në një shkrim në të përditshmen britanike të Daily Telegraph të martën.

Ish-drejtori i planifikimit të politikave në Nato, Fabrice Pothier, thotë se ka pak oreks në mesin e evropianëve për të intensifikuar sanksionet ekonomike dhe financiare të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për aneksimin nga ana e saj të Krimesë në vitin 2014 dhe përfshirjes në konfliktin në Ukrainë. Marrëdhëniet mes Britanisë dhe aleatëve të saj evropianë po dëmtohen edhe nga negociatat e tensionuara për Brexit-in.

Martin McCauley, një ish-profesor i Universitetit të Londrës dhe anëtar i Grupit të Analistëve Limehouse, vë në dukje se vendet evropiane hodhën poshtë kërkesat britanike për një dënim të koordinuar të Rusisë për helmimin e Litvinenkos. “Kryeministrja është duke u përballur me një problem të vështirë,” thotë ai. Putini mund të presë dhe të shtyjë kohën, shton ai. “Ai po shpreson se do të ndodhë e njëjta gjë si ajo me çështjen e Litvinenkos. BE në thelb nuk donte të merrej me atë çështje. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe tani. Shikoni vendet si Gjermania dhe Italia; ato dëshirojnë të zbusin sanksionet [aktuale] në mënyrë që ata të mund të kthehen në marrëdhëniet normale të biznesit me Rusinë. Ato nuk duan konflikt, nuk duan një mosmarrëveshje me Moskën”, thotë analisti McCauley.

Përgjigjet Rusia

lavrovDitën e sotme, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov komentoi qëndrimet e Britanisë së Madhe. Ai u pyet nga mediat se cila do të jetë përgjigjja e Rusisë ndaj kërkesës së Kryeministres britanike Theresa May që brenda 24 orëve të jepen sqarime lidhur me helmimin e Sergej Skripal-it? Lavrov tha se “para se të bëjnë këtë ultimatum se brenda 24 orëve duhet t’i japim llogari qeverisë britanike, të zbatojnë më mirë vetë obligimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë rast sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Dhe për sa u përket mënyrave të sjelljes, nuk duhet të harrojmë se epoka e kolonializmit tashmë ka kohë që i përket së shkuarës”

Përgjigja e ministrit rus, Sergej Lavrov: “Dëgjuam një ultimatum të ardhur nga Londra. Përfaqësuesja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Maria Zaharova ka dhënë tashmë një koment se si e shohim këtë situatë. Mund të shtoj vetëm që Britania e Madhe, ashtu sikundër edhe Rusia, është pjesëmarrëse në Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike, gjë që nuk është diçka e panjohur qoftë për Kryeministren, qoftë për Sekretarin për Punët e Jashtme të Britanisë së Madhe. Nuk kam dyshime që në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe ka ende specialistë, të cilët merren me çështjet e kësaj Konvente dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike që është krijuar në bazë të kësaj Konvente. Ka mundësi që edhe pse ka ende ekspertë, askush, siç duket, nuk i dëgjon ata. Po të flasim se çfarë është e detyruar të bëjë Britania e Madhe sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, është kjo më poshtë. Së pari, që në momentin kur lindën dyshime për përdorimin e një substance helmuese, e cila është e ndaluar nga Konventa, duhej t’i drejtohej menjëherë vendit, i cili dyshohet të jetë vendi i origjinës së kësaj substance. Përgjigjja ndaj një kërkese të tillë jepet brenda dhjetë ditësh. Në qoftë se kjo përgjigje i duket vendit, i cili kërkoi informacion, si e pamjaftueshme, atëherë ky vend (në këtë rast Britania e Madhe) duhet t’i drejtohet Bordit Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, si edhe Konferencës së vendeve-anëtare të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Në të njëjtën kohë, ajo palë prej së cilës kërkohet informacioni është në të drejtën e saj të plotë të ketë akses tek substanca në fjalë për të kryer analizën e vetë të kësaj substance. Pikërisht këtë gjë ne e kemi bërë menjeherë pasi u dëgjuan zëra të përhapur nga gati të gjithë përfaqësuesit e udhëheqjes britanike se në helmimin e Sergej Skripal-it është përdorur një substancë e prodhuar në Federatën Ruse. Që në atë moment kemi kërkuar me një notë zyrtare që të na jepet akses tek kjo substancë, me qëllim që ekspertët tanë ta analizojnë në përputhje me Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike. Po në atë notë kemi kerkuar të na jepet akses edhe tek të gjitha faktet që kanë të bëjnë me hetimin, duke marrë parasysh që një nga viktimat është shtetasja e Rusisë Julia Skripal. Ndaj këtyre kërkesave tona që janë krejtësisht legjitime dhe burojnë nga Konventa për Ndalimin e Armëve Kimike, kemi marrë një përgjigje të paqartë, kuptimi i së cilës është se kërkesat tona legjitime janë rrëzuar. Pra, para se të bëjnë këtë ultimatum se brenda 24 orëve duhet t’i japim llogari qeverisë britanike, të zbatojnë më mirë vetë obligimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë rast sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Dhe për sa u përket mënyrave të sjelljes, nuk duhet të harrojmë se epoka e kolonializmit tashmë ka kohë që i përket së shkuarës”.

Ndërkohë një tjetër kritik i Putin gjendet i vdekur në kryeqytetin britanik

rusNjë tjetër shtetas rus ka humbur jetën në mënyrë misterioze në kryeqytetin e Britanisë, në Londër. Bëhet fjalë për një biznesmen që njihet si kritik i ashpër i presidentit Vladimir Putin.

Nikolai Glushkov, 68-vjeçar u gjet i vdekur nga miqtë në banesën e tij në Londër. Kjo ngjarje vjen vetëm një javë pas sulmit me agjent nervor ndaj spiunit të dyfishtë rus Sergei Skripal, ngjarje për të cilën Britania dyshon se u organizua nga Kremlini.

Para disa vitesh, në Londër u gjet i vrarë edhe miku i afërt i Glushkov,  oligarku i njohur rus Boris Berezovski, një kritik iI ashpër edhe ky i presidentit Putin.

Paraprakisht policia britanike po e trajton vdekjen e disidentit rus, si të “pashpjegueshme” ndërkohë që anti-terrori është përfshirë në hetimin e vdekjes.

68-vjeçari rus Nikolai Glushkov ishte dënuar me burg në mungesë në Rusi për akuzat e shpërdorimit të 87 milionë stërlinave në kohën kur ai ka drejtuar linjën ajrore ruse, Aeroflot.

About The Author

Related posts