Tetor 20, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Analistët Krasniqi dhe Dervishi komentojnë raportin e “Freedom House”

Analistët Krasniqi dhe Dervishi komentojnë raportin e “Freedom House”

KMA NEWS / Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se raporti i Freedom House zbuloi zvarritje dhe zhgënjime sa u takon shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi.

Sipas tij, nga viti 2008 kur u ndryshua Kushtetuta, standartet demokratike dhe shteti i së drejtës po shënojnë vetëm rënie, sepse iu dha pushtet të madh partive dhe kryetarëve të tyre: këta kryetarë të gjithëpushtetshëm tani kanë personalizuar institucionet, duke kufizuar ndjeshëm demokracinë, dhe kanë krijuar një sistem arrogant dhe korruptiv.

“Raporti provon tezën, që dihet tashmë nga shumica e shqiptarëve, se një pakicë në Shqipëri kontrollon gjithë vendim-marrjen, është abuzive, është arrogante dhe liritë qytetare janë të papërfaqësuara dhe të pambrojtura. Po ashtu raporti nxori se disa tregues që lidhen me demokracinë funksionale brenda partive politike apo zgjedhje efektive, përveç klimës zgjedhore, apo elementë që lidhen me të drejtat e njeriut dhe grupeve të caktuara në Shqipëri vazhdojnë të shkelen në mënyrë të dukshme dhe se aktorët politikë, të cilët janë pjesë e problemit dhe promovojnë njëri tjetrin dhe riciklojnë njëri tjetrin” – tha zoti Krasniqi.

Ndërsa për analistin Lutfi Dervishi është shqetësues konstatimi i raportit të Freedom House se nga një anë ka përmirësime në luftën kundër korrupsionit të vogël, por korrupsioni i lartë është i mbrojtur dhe duket sikur po ndërtohen dy shtete: Një pakicë politikanësh mbron veten dhe korrupsionin me instrumenta ligjore, dhe nga ana tjetër imponon shtet të fortë për shumicën e njerëzve të pafuqishëm.

“Raporti thekson pikërisht këtë gjë: në çështjet e korrupsionit politik, në çështjet e state capture (kapjes së shtetit), në çështjet e korrupsionit Partneritetit Publik Privat, aq shumë të përfolura, nuk ka asnjë lëvizje qoftë edhe minimale, asnjë sinjal që mund të ketë hapa pozitive në këtë drejtim. Madje ka hapa prapa kur vjen puna për të hetuar zyrtarë të lartë” – tha zoti Dervishi.

Studiuesit shohin me shqetësim faktin se për reformën në drejtësi pritshëmritë e opinionit publik janë shumë të mëdha, konkrete dhe afatshkurtra, por në fakt efektet e saj mund të duken pas 2-3 vjetësh, dhe në këtë periudhë disa vjeçare elita e korruptuar politike do të ketë imunitet dhe mbetet e paprekur.

Zoti Krasniqi thotë se hapi i parë është pastrimi i vetë sistemit gjyqësor nga korrupsioni dhe pas kësaj e kanë radhën politikanët, prandaj këta të fundit në bashkëpunim të padukshëm mes tyre e kanë vonuar vettingun në drejtësi, që të zvarrisin vettingun në qarqet politike.

“Ne si Institut i Studimeve Politike jemi duke monitoruar pasuritë e politikanëve dhe është krejtësisht e lehtë për të verifikuar të gjithë burimet abuzive të politikanëve. Do të duhet vetëm një mekanizëm që i trajton seriozisht këto të dhëna dhe i verifikon, nëse marrim standartin që u aplikua për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ata që kaluan procesin e vettingut, në mënyrën më absolute 90 për qind e parlamentit dhe drejtuesit e partive politike nuk e kalojnë këtë fazë të vetingut. Nëse zbatohet ndaj politikanëve i njëjti standart i vetingut që po zbatohet për gjyqtarët, atëherë Shqipëria do të njohë një periudhë tjetër dhe kriteri kundër korrupsionit, që kërkon BE, do të realizohej. Kjo do të ishte revolucioni i dytë social më i madh në vend” – tha zoti Krasniqi.

Raporti për herë të parë, krahas gjykatave të korruptuara dhe administratës së korruptuar, ngre edhe problemin e mediave të kompromentuara nga lidhjet e pronarëve me politikanë të lartë. Problem tjetër serioz për analistët është paqëndrueshmëria e arritjeve në reforma, të cilat janë të lëkundshme dhe pa një bazament të fortë, për të cilat, sërish të gjitha fajet bien mbi politikanët kryesorë.

“Raporti për herë të parë në shumë vite thekson rrezikun dhe prirjet autoritariste. Në një anë maxhoranca është e qetë dhe ka rastin e artë për të bërë reforma dhe nuk do t’i duhet të bëjë kompromise politike, por kontrolli nga një parti e vetme dhe nga një lider i fortë krijon probleme që nuk janë kompatible për ngritjen e institucioneve të forta” – tha zoti Dervishi.

Analistët pohojnë se rreziku më i madh në jetën politike të vendit nuk janë përplasjet mes shumicës dhe opozitës në parlament, por tek largimi gjithnjë e më i madh mes elitës politike dhe qytetarëve. Ngjarjet e fundit në Kukës, treguan, sipas tyre, zhgënjimin e madh të njerëzve se sa shumë është shkëputur nga realiteti elita politike, qeveria dhe opozita, që nuk dinë më se si jetojnë njerëzit.

Nëse një studim i Bankës Botërore thotë se 46 për qind e njerëzve jetojnë me 5 dollarë në ditë, pohojnë ata, atëherë është mungesë e madhe ndjeshmërie për një qeveritar të zgjedhur me vota që t’u vendosë banorëve tarifa 5 euro për një kalim në rrugë.

About The Author

Related posts