Dhjetor 19, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Konflikti në Siri dhe marrëdhëniet Uashington-Moskë

Konflikti në Siri dhe marrëdhëniet Uashington-Moskë

KMA NEWS / Java e fundit u ka kujtuar shumë njerëzve Krizën e Raketave Kubane kur Amerika dhe Rusia, dy fuqitë botërore me armë bërthamore ishin në prag të një përplasjeje katastrofike në një atmosferë tensionesh tepër të larta.

Në vitin 1962, udhëheqësi sovjetik Nikita Krushov vendosi të mos luante me fatin, ose me vendosmërinë e presidentit amerikan, John Kennedy. Ai dha urdhër që anijet e ngarkuara me raketa, të cilat po lundronin drejt Kubës së Fidel Kastros, të ktheheshin prapa, të përballura me bllokadën amerikane të Kubës.

Gjatë kësaj jave, udhëheqësi amerikan dhe ai rus, si dhe përfaqësuesit e tyre kanë shkëmbyer paralajmërime të ngarkuara me kërcënime, të ngjashme me shkëmbimet e kohës së Luftës së Ftohtë.

Presidenti amerikan e hapi javën duke paralajmëruar se “raketat po vijnë në Siri” për të ndëshkuar presidentin sirian al-Assad për sulmin e fundit kimik për të cilin akuzohen forcat e tij qeveritare.

Të dërguarit rusë, përfshirë ambasadorin e Kremlinit në Liban, u kundërpërgjigjën duke thënë se forcat ruse do të interceptonin raketat amerikane nëse dërgoheshin në Siri, si dhe do të sulmonin anijet dhe avionët nga lëshoheshin këto raketa. Një gjeneral britanik në pension i cilësoi paralajmërimet si një formë e deklarimit të luftës duke thënë se ekzistonte mundësia e ballafaqimit të parë në një gjeneratë në mes të marinave ushtarake të dy fuqive botërore.

Por të enjten, të dyja palët duket se po e zbusnin retorikën. Rusët u përpoqën të japin një përkufizim të ri të rrethanave që do t’i bënin të përgjigjeshin ushtarakisht ndaj inkursioneve amerikane në Siri.

Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse, tha për kanalin britanik Sky News se kufiri i papranueshëm për Moskën do të ishte nëse vriteshin ushtarë rusë në terren nga goditjet amerikane.

Kur iu drejtua pyetja për kërcënimet e mëparshme të Moskës se trupat ruse do të godisnin raketat amerikane dhe bazat e anijet nga lëshoheshin këto raketa, ajo tha: “Rusia duhet të mbrojë njerëzit e saj në terren”. Ajo tha se nuk donte të mendonte për mundësinë e dëmeve në radhët e amerikanëve apo rusëve, duke shtuar se Uashingtoni dhe Moska duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet lidhur me Sirinë përmes një komunikimi më të mirë.

Analistët thonë se ka të ngjarë që Presidenti Putin të mos bëjë asgjë ndaj operacioneve ndëshkuese që mund të ndërmarrin amerikanët kundër Sirisë, ashtu siç nuk bëri gjë vjet kur amerikanët sulmuan objekte të forcave siriane.

Të enjten në mbrëmje, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis foli me ton të matur, duke u thënë ligjvënësve se goditja me raketa ishte një nga opsionet që po analizoheshin nga administrata Trump për të ndëshkuar Assadin dhe për të parandaluar një sulm në të ardhmen nga forcat e Assadit.

Siria ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë kimike. Rusia nga ana e saj pretendon se ishte një sulm i rremë, i inskenuar nga një numër aktorësh. Ajo ka akuzuar me radhë shërbimet e huaja të zbulimit, si dhe Kaskat e Bardha, ekipet e shpëtimit që përgjigjen në raste sulmesh në zonat e kontrolluara nga opozita siriane.

Zyrtarët dhe analistët thonë se ende nuk është e siguritë se do të ketë goditje ndëshkuese amerikane në Siri. Aleatët perëndimorë të Amerikës kanë thënë se sulmet me armë kimike nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar dhe se ndëshkimi duhet të jetë aq i rëndë sa të bindë Assadin të heqë dorë nga këto armë.

Por as Uashingtoni, as Moska nuk duan shkallëzimin e konfliktit në Siri, thonë analistët. Presidenti Trump ka sinjalizuar se ka në plan të tërheqë afro 2000 trupat që ka Amerika në Sirinë veriore, ku këto trupa kanë mbështetur betejën e kurdëve të Sirisë kundër Shtetit Islamik.

Në një analizë të pluseve dhe minuseve, Kremlini rrezikon të humbë më shumë se sa të fitojë nëse shkallëzohet ose zgjatet edhe më shumë konflikti, tani që aleati i tij Assadi ka arritur t’i mbijetojë konfliktit falë mbështetjes nga Rusia dhe Irani. Çdo shkallëzim i konfliktit rrezikon të zhbëjë këtë dinamikë që aktualisht favorizon Assadin.

Jonathan Eyal i grupit studimor Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore në Londër thotë: “Nuk është e qartë se si Moska do të arrijë të dalë nga kjo situatë. Ose do të vendosë t’u përgjigjet goditjeve amerikane në Siri, ose nuk do të veprojë”.

Nëse Moska nuk vepron, Presidenti Putin do të dukej i dobët. Analisti Eyal thotë se nuk është e qartë se si zhvillimet në Siri do të ndikojnë tek situata brenda Rusisë.

Përmasat e goditjes amerikane në Siri mund të diktojnë përgjigjen ruse. Nëse Amerika godet vijën e frontit dhe shkakton humbje jetësh në radhët e ushtarëve rusë, Kremlini mund të mos ketë rrugëdalje tjetër përveç se të kundërpërgjigjet. Vjet Rusia protestoi pas goditjes amerikane në Siri. Para se të ndërmerrej goditja, Uashingtoni kishte paralajmëruar Moskën për objektet që do të viheshin në shenjestër në mënyrë që të largonte ushtarët nga zona e rrezikut. Zyrtarët amerikanë thonë se ka të ngjarë që ky skenar të përsëritet.

Por nga ana tjetër, Uashingtoni është nën presion që të mos tregohet aq i butë lidhur me sulmin e kësaj radhe në Siri. Në të kaluarën, goditjet ndëshkuese nuk e kanë bindur Assadin të ndërrojë kursin e veprimit. Tani analistët parashikojnë një ndëshkim më të fortë nga Shtetet e Bashkuara.

Por një goditje më e ashpër amerikane rrit rrezikun e të vrarëve në radhët e ushtarëve rusë.

Vendet e Gjirit Persik po bëjnë thirrje për veprime më të ashpra ndaj Assadit. Ata kanë ofruar të angazhohen në operacione në mënyrë që të dobësohet regjimi i Assadit. Siria është aleate e Iranit, armiku numër një i vendeve të Gjirit Persik.

Edhe Izraeli synon të ndalë forcimin e prezencës iraniane në Siri dhe të pengojë synimet e Teheranit për të ngritur baza në territorin iranian. Më 9 prill Izraeli lëshoi raketa Kruz mbi një bazë në qendër të Sirisë. Goditja kishte në shenjestër forca të Gardës Revolucionare të Iranit. Kjo është një ndër dhjetëra goditje që ka ndërmarrë Izraeli ndaj forcave iraniane në Siri apo luftëtarëve të Hezbollahut, një grup paraushtarak që ka lidhje me Teheranin.

Me sa duket, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po bëhet një figurë qendrore në shkëmbimet ndërkombëtare mbi situatën në Siri, ndërkohë që Uashingtoni përgatitet për goditje dhe Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shpresojnë që këto inkursione nuk do të sjellin një shkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Të mërkurën, Presidenti Putin dhe Kryeministri Netanyahu diskutuan, sipas zyrtarëve izraelitë, mbi praninë iraniane në Siri dhe mbi sulmin e forcave të Assadit me armë kimike./voa/

About The Author

Related posts