Gusht 16, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kryeministri i Kosovës i përgjigjet Erdoganit: Punët tona i bëjmë vetë

Kryeministri i Kosovës i përgjigjet Erdoganit: Punët tona i bëjmë vetë

KMA NEWS / Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të hënë se shqiptarët nuk përzihen në punët e të tjerëve dhe punët e Kosovës nuk mund t’i bëjë asksuh tjetër përveç saj, duke ju përgjigjur sulmit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për qëndrimin e tij ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja.

Kryeministri Haradinaj, zgodhi një veprimtari pëkrujtimore me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, i cili për 25 vjet kishte luftuar kundër pushtimit osman.

“Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin Skenderbeun dëshmojmë se i kemi rrënjët e thella edhe Kosova dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’u them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë me na njoftë, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emrin tonë në Kosovë. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha kryeministit Haradinaj.

Kosova është bërë javën që lamë pas vendi i vetëm i rajonit që u ka dorëzuar autoriteteve turke të kërkuarit për lidhje me klerikun Fethullah Gulen të cilin Ankaraja e akuzon për përpjekjen për grusht shteti në korrik të vitit 2016.

Që nga ajo përpjekje Turqia ka shtuar trysninë mbi Kosovën por edhe vendet tjera të rajonit ku Fondacioni i Gulenit drejton rreth 40 shkolla përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.

Operacioni i arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, la pas vetes shumë paqartësi dhe nxiti reagime të organizatave për të drejtat e njeriut që tërhoqën vërejtjen në pasojat për të deportuarit por edhe për Kosovën në proceset integruese.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës urdhëruan hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacion, ndërsa pohuan se nuk ishin dijeni për të.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi shkarkimin e ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi dhe ritheksoi në disa raste se nuk kishte qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ishte i zhgënjyer me operacionin, por kërkoi që të priten hetimet, para se të bëhen çfarëdo përfundimesh rreth tij.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e sulmoi në dy raste kryeministrin Haradinaj. Të shtunën ai tha se kryeministri i Kosovës do të paguaj për qëndrimin ndaj operacionit. Të dielën e cilësoi të turpshëm këtë qëndrim, ndërsa falënderoi presidentin e Kosovës për operacionin.

Deri të hënën ndaj sulmeve të presidentit turk kishte reaguar vetëm kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli i cili është shprehur i befasuar me deklarimet e tilla dhe ka nënvizuar se Kosova nuk u nënshtrohet trysnive nga jashtë.

Partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës janë vënë në përpjekje për organizimin e një seance të jashtëzakonshme lidhur me këtë operacion dhe një pjesë e deputetëve opozitarë janë të bindur se presidenti Hashim Thaçi qëndron prapa tij. Opozita do të kërkojë ngritjen e një Komisioni hetimor parlamentar, për të identifikuar siç thonë shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Vëzhguesit thonë ndërkaq se autoritetet e vendit duhet të mbajnë një qëndrim të bashkërenduar përballë kritikave të Turqisë dhe njëkohësisht të ndjekin politikat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk i deportojnë shtetasit turq të kërkuar nga autoritetet turke.

Turqia është ndër aleate e rëndësishëm të Kosovës që kishte njohur ndër të parat pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ajo është një nga investuesit që kontrollon kompanitë kryesore në vendin e varfër, përfshirë aeroportin e vetëm në vend dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike.

About The Author

Related posts