Tetor 21, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Mogherin: Rekomandimi pozitiv i KE për hapjen e negociatave ishte rezultat i një pune kolektive të shqiptarëve

Mogherin: Rekomandimi pozitiv i KE për hapjen e negociatave ishte rezultat i një pune kolektive të shqiptarëve

KMA NEWS / Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, tha në Tiranë se rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë ishte rezultat i një pune kolektive të shqiptarëve, parlamenti, qeveria, opozita, bashkitë, por po ashtu ecuria e mëtejshme është një përgjegjësi e përgjithshme.

“Kishim thënë se Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv kur zbatimi i vetingut në drejtësi do të fillojë, dhe e mbajtëm fjalën. Vetingu filloi dhe ne dhamë rekomandimin, por ai kërkon thellimin e reformave” – tha zonja Mogherini në Tiranë.

Në një konferencë shtypi përkrah kryeministrit Edi Rama, zonja Mogherini tha se Shqipëria është vendi i dytë me popullsinë më të re të Europës dhe vendi me besueshmërinë më të lartë ndaj BE-së.

“Shpresoj që do të vazhdoni në këtë rrugë, sepse 5 përparësitë kyce do të mbeten baza kryesore në punën tonë. Jeni vendi që e keni transformuar veten më shumë në rajon dhe roli juaj në rajon është me rëndësi. Për Ballkanin perëndimor integrimi në BE është element thelbësor” – tha zonja Mogherini.

Ajo shtoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një përpjekje kombëtare dhe se puna e përbashkët në këtë vend nga qeveria dhe opozita dhe qytetarët dha rezultate, që u njohën nga Komisioni Europian.

“Le të punojnë bashkë qeveria dhe opozita, ashtu si kanë dhënë rezultate të përbashkëta deri tani. Kjo është një përpjekje kombëtare dhe nuk mund të përdoret nga njëra palë ose nga tjetra, por duhen bashkuar forcat për të hedhur hapa përpara drejt integrimit. Nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e drejtësisë, kjo ndodhi sepse opozita dha ndihmesë të drejtpërdrejtë” – tha zonja Mogherini.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se rekomandimi për hapjen e negociatave ishte një rezultat i shumëpritur, dhe “Shqipëria ka marrë atë që meriton, as më shumë e as më pak”. Ai theksoi se pastrimi i policisë dhe drejtësisë do të vazhdojë me ritme të larta.

“Ne i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, që na u kërkuan, tani kemi në dorë diplomën e një provimi shumë të vështirë për të kaluar me sukses dhe me këtë diplomë ne do t’u drejtohemi gjithë vendeve anëtare për të kërkuar hapjen e negociatave” – tha zoti Rama.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, vazhdon vizitën në Tiranë, ku po takohet me udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare.

About The Author

Related posts