Shtator 23, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

SHBA: Përpjekje dypartiake për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Mueller

SHBA: Përpjekje dypartiake për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Mueller

KMA NEWS / Anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë po bëjnë përpjekje të reja për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Robert Mueller. Zoti Mueller drejton procesin hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Në Uashington po shtohet shqetësimi mbi të ardhmen e tij, pasi presidenti shprehu kritika të forta për bastisjen që urdhëroi këtë javë prokurori special Mueller tek zyra dhe banesa e avokatit të tij personal, Michael Cohen.

Presidenti Trump sulmoi hetimet mbi Rusinë, pasi FBI-ja bastisi shtëpinë, zyrën dhe dhomën e hotelit të avokatit të tij personal, Michael Cohen:

“Është e turpshme, vërtetë e turpshme. Është sulm ndaj vendit tonë në kuptimin e plotë të fjalës; sulm ndaj parimeve që mbrojmë”.

Siç njoftohet, hetuesit po analizojnë se çfarë roli ka luajtur avokati i presidentit në pagesat që morën dy gra, aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe modelja e revistës erotike Playboy, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë pasur marrëdhënie intime me zotin Trump para se ai të bëhej president.

Shtëpia e Bardhë po ndjek trajektoren që po merr hetimi, tha zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders:

“Presidenti e ka thënë qartë se është shumë i shqetësuar nga drejtimi që po merr hetimi i prokurorit special”.

Presidenti u revoltua nga bastisja e zyrës dhe banesës së avokatit të tij Cohen, thotë Jonathan Lemire i agjencisë së lajmeve Associated Press.

“Mund të themi ndoshta se që kur u bë president, zoti Trump nuk ka qenë kurrë më i revoltuar se në këtë rast. Bastisjet në banesën e zyrën e Michael Cohen e zemëruan shumë”.

Njerëz të afërt me presidentin si ish-guvernatori Chris Christie po e nxisin të tregojë maturi:

“Presidenti është shumë i revoltuar nga këto zhvillime, këtë e ka shprehur vetë. Por nuk mund ta shkarkojë prokurorin special”.

Disa demokratë dhe disa republikanë, ndër ta udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, po mbështesin një projektligj për ta mbrojtur zotin Mueller.​

“Kongresi duhet të shprehet qartë dhe prerazi, me një zë të vetëm duke miratuar ligjin për të garantuar se presidenti nuk do të arrijë të shkarkojë prokurorin special Mueller, apo Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein”.

Shkarkimi i Muellerit nuk do të thotë përfundimi i hetimeve mbi Rusinë, thotë Chris Edelson, profesor në Universitetin Amerikan.

“Nuk mendoj se Donald Trumpi mund të ndalë kollaj procesin që ka arritur deri në këtë pikë. Janë ngritur padi ndaj një numër njerëzish, disa prej tyre kanë pranuar fajësinë. Procesi do të vazhdojë. Nuk do të ndalet me shkarkimin e Muellerit”.

Pasojat politike për presidentin do të ishin serioze thotë analisti John Fortier.

“Kongresi do të ishte shumë i pakënaqur, sidomos demokratët. Pa diskutim që do të çonte në pasoja më të rënda sepse mendoj që Kongresi do të reagonte me forcë kundër një veprimi të tillë”.

Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump tani po përgatitet për nxjerrjen në treg javën e ardhshme të librit të ish-drejtorit të FBI-së James Comey. Shkarkimi i zotit Comey vjet nga Presidenti Trump u bë shkas për emërimin e prokurorit special, Mueller.

avokati trumpProkurorët federalë zbuluan të premten se avokati privat i Presidentit Donald Trump është nën hetim kriminal.

Cohen ndodhet nën hetim prej muajsh, thanë prokurorët gjatë një paraqitjeje në gjykatën federale të Manhatanit në Nju Jork.

Prokurorët thanë se hetimi përqendrohet tek marrëdhëniet e tij personale të biznesit “dhe jo te puna si avokat”.

Ata i bënë komentet si përgjigje ndaj përpjekjes së zotit Cohen për të mos lejuar prokurorët të shqyrtojnë dokumentet që ata sekuestruan gjatë bastisjes së shtëpisë dhe zyrës së tij ditën e hënë.

About The Author

Related posts