Korrik 20, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Ditë e errët për Kuq e Zinjtë: Kosova mposht Shqipërinë 3-0

Ditë e errët për Kuq e Zinjtë: Kosova mposht Shqipërinë 3-0

KMA NEWS / Shqipëria është mposhtur me rezultatin 3-0 në miqësoren që luajti kundër Kosovës, në Zyrih të Zvicrës.

Dy gola të Zenelit dhe një i Zhegrovës vulosën një ndeshje ku Shqipëria nuk ekzistoi në fushën e blertë.

Eksperimentet e Panuccit nuk funksionuan aspak dhe kjo u duk kur trajneri nxitoi të bënte dy zëvendësime pa përfunduar pjesa e parë.

Vetëm dy goditje në portë për përfaqësuesen shqiptare, në një nga ndeshjet më të dobëta në historinë e saj.

Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha kritikoi ashpër djemtë kuqezi për qasjen që patën ndaj ndeshjes miqësore me Kosovën, që Shqipëria e humbi 3-0.

“Qasja në ndeshje ishte e gabuar. I lejuam shumë Kosovës. Mënyra se si luajtëm, me dy mesfushorët e krahut që ishin jashtë loje, ishte e gabuar. Edhe pse miqësore, duhet të luanim më të përqendruar dhe të luftonim më shumë”, deklaroi Berisha.

“Duhet të na bëhet mësim kjo paraqitje për ndeshjet e ardhshme”, shtoi portieri.

Ndërsa Roshi e pranoi se “me Norvegjinë dhe Kosovën kemi bërë ndeshje jo të mira”.

Trajneri i Shqipërisë, Cristian Panucci, deklaroi se sot lojtarët e përfaqësueses nuk luajtën, nuk luftuan dhe nuk patën zemër.

“Ishim zero. Përgjegjësi jam unë. Sot, të gjitha kritikat janë të drejta. Mund të humbasësh, por jo kështu. Vuajtëm më shumë sot sesa kundër Italisë dhe Spanjës”, theksoi trajneri italian.

Panucci u shpreh se është treguar i butë me lojtarët gjatë javës dhe këtë gjë nuk do ta përsërisë më.

“Mendova se me Kosovën nuk ishte nevoja ta karikoja shumë ndeshjen. Marr përgjegjësinë. Ishim shumë të shëmtuar për të menduar se kjo është Shqipëria ime e vërtetë. Jam treguar i butë, por nga sot do të vendos dorë të hekurt”, deklaroi Panucci.

Ish-trajneri i kombëtares Astrit Hafizi u shpreh në studion e Supersport se kjo ndeshje ishte një leksion i mirë për Shqipërinë dhe trajnerin e saj.

“Na dhanë një mësim të mirë. Shumë të mirë. Jemi shumë larg në ndërtimin e lojës. Bëj krahasimin me Kosovën. Një trajner që sapo ka ardhur te kjo skuadër që kishte ndërtuar një ekip të konsoliduar. Loja e tyre ishte shumë e mirë. Duhet ta pranojmë” – tha Hafizi.

Më i ashpër është gazetari Dritan Shakohoxha që pasi komplimenton Kosovën nuk i kursen kritikat për trajnerin shqiptar.

“Kosova komplimente. Është e treta fitore radhazi për këtë trajner. Sa i takon trajnerit të Shqipërisë nuk e di nëse po ndërton një skuadër të re apo po shkatërron atë që kishte ndërtuar De Biasi.

Ishte loja më katastrofike që kemi parë në ndeshjet e fundit. Vuri një rekord për Shqipërinë që goditjen e parë në portë e realizim në minutën e 81-të. Trajneri improvizoi me Shqipërinë, por dështoi” – tha Shakohoxha.

Arian Peço, trajner i ekipit të të rinjve të Bazelit në Zvicër ishte gjithashtu kritik ndaj kombëtares shqiptare.

“Shqipëria çaloi në qarkullimin e topit. Skema 4-4-2 nuk funksionoi në asnjë moment. Ose lojtarët nuk kanë nivel për të luajtur në kombëtare, ose sot ishte një ditë e zezë. Halimi dhe Zeneli bënë diferencën. Unë nuk e kuptoj si ekipi shqiptar lëshoi nga duart një lojtar si Rashica. Flasim për rinovim, por rinovim pa kriter është e çuditshme.

De Biasi kishte një filozofi loje. Ai ishte i kujdesshëm dhe i mëshonte qarkullimit të topit. Kemi bërë lojëra të mira me Francën, Rumaninë dhe Zvicrën” – tha Peço.

Ndërsa Besnik Kollari, gazetar i sportit në Prishtinë shprehet i habitur për këtë rezultat. Në një lidhje me Supersport pas ndeshjes, ai tha se Kosova tregoi se di të funksionojë si një skuadër.

“Nuk e prisja këtë rezultat. Prisja që Kosova të kishte një paraqitje më të mirë se ndeshjet e fundit, por jo këtë rezultat. Pati një ritëm shumë të mirë. Mendoj që Kosova është në një rrugë të mirë. Ka dëshirë dhe vullnet për të ecur edhe në Ligën e Kombeve. Sa i përket Shqipërisë, ka probleme. Shumica e futbollistëve të Shqipërisë nuk treguan dëshirë. Shqipëria ka një nivel më të lartë, pavarësisht se sot nuk e tregoi” – tha Kollari.

Në pjesën e dytë është përsëri Zeneli i cili me një veprim mjaft të bukur shënon një supergol, duke dyfishuar shifrat.

Nuk mjaftohet Kosova, teksa shënon dhe golin e tretë. Krosim i Zhegrovës nga e djathta, topi nuk devijohet nga askush dhe Berisha i surprizuar e sheh topin në rrjetë.

 

About The Author

Related posts