Qershor 22, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kërkohet koka e Xhafës, Gjykata e Apelit liron Tahirin

Kërkohet koka e Xhafës, Gjykata e Apelit liron Tahirin

KMA NEWS / Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, vendosi sot pasdite të shfuqizojë masën e arrestit në shtëpi të dhënë 15 ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së parë ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin Prokuroria ka ngritur akuzën për “Trafikim të narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Seanca e sotme u zhvillua pas ankimit të bërë si nga zoti Tahiri ashtu dhe nga Prokuroria e cila kërkoi arrestin me burg për ish ministrin. Maksim Haxhia, avokati i Saimir Tahirit u shpreh i kënaqur me vendimin e sotëm, ndërsa deklaroi se Prokuroria sipas tij nuk kishte paraqitur asnjë provë të re që të mbështeste kërkesën e saj.

Seanca e sotme pati një interes të veçantë për shkak të komenteve të mbrëmshme të ambasadorit amerikan Donald Lu i cili deklaroi se “kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve”. Ai i bëri “thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”. Pas vendimit të sotëm ambasada tha në një prononcim për Fax News, se i qëndronte deklaratës së bërë një ditë më parë.

Nga ana e tij, kreu demokrat Lulzim Basha reagoi duke u shprehur se “u mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri, farsa e paralajmëruar e “arrestit”. Lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë”, deklaroi zoti Basha përmes një statusi në Facebook.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet duke dorëzuar mandatin parlamentar, ndërsa deklaroi se dëshironte të hetohej e gjykohej si një qytetar i thjeshtë pa mburojë politike.

About The Author

Related posts