Dhjetor 19, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kosovë: Policia ndalon Albert Veliun “Dëshmitarin X”

Kosovë: Policia ndalon Albert Veliun “Dëshmitarin X”

KMA NEWS / Autoritetet policore në Kosovë njoftuan sot ndalimin e dy shtetasve nga Shqipëria, njëri prej të cilëve dyshohet të jetë Albert Veliu, apo “Dëshmitari X”, njeriu i cili deklaroi se ka biseduar me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të siguruar prej tij kalimin në Itali të një sasie marijuane. Veliu, një ish i dënuar për trafik droge, pranoi publikisht se zëri në audio përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike, ishte i tij, por deklaratat për rastin ishin kontradiktore. Ai mohoi të kishte patur dijeni se biseda po përgjohej, por më pas gazetari Jetmir Olldashi, autor i përgjimit si pjesë e një investigimi gazetaresk, bëri të ditur se kishte qenë ai vetë që i kishte vënë pajisjen e përgjimit Veliut.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë shpjegime për arsyet e ndalimit, duke u mjaftuar vetëm në një komunikatë të shkurtër sipas së cilës “Policia e Kosovës bazuar në autorizimet ligjore me dt. 27.05.2018, ka ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të ndaluarit janë trajtuar sipas procedurave të parapara ligjore”. Veliu, sipas mediave të Kosovës është ndaluar së bashku me të birin.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, e cila ka nisur një hetim mbi rastin, deklaroi se ndaj Veliut nuk ka patur ndonjë urdhër ndalimi. Një nga hipotezat e hedhura në media është se Veliu dhe i biri kanë hyrë ilegalisht në Kosovë. Ai kishte tentuar kalimin në Kosovë dhe javën e shkuar, por u ndalua në Kukës për t’u shoqëruar pranë prokurorëve për të dhënë shpjegime mbi përgjimin dhe deklaratat e tij. Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që të ketë zhvilluar ndonjë bisedë me Veliun. Prokuroria ka bërë ndërkaq të ditur se materiali audio është dërguar për ekspertizë në një laborator jashtë Shqipërisë.

Në fundjave, ministri Xhafaj, deklaroi se ishte i gatshëm të merrte përsipër çdo përgjegjësi ligjore, politike e morale, përfshirë dhe largimin nga posti, nëse do të vërtetohej se në materialin audio të përgjuar, do të rezultonte zëri i të vëllait. “Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?”, u shpreh zoti Xhafaj përmes një postimi në Twitter.

Opozita po kërkon prej shumë ditësh largimin e ministrit të Brendshëm, të cilin e akuzon se i ka dhënë mbrojtje të vëllait. Kjo çështje u bë shkak dhe i protestës që ajo zhvilloi të shtunën në Tiranë, ku u rregjistruan momente të forta tensioni mes manifestuesve dhe policisë pranë ministrisë së Brendshme. Edhe sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është theksuar se “largimi i ministrit është një kusht i panegociueshëm”, ndërsa mësohet se kryetari Basha nuk ka pranuar propozimet e disa deputetëve për një bojkot të parlamentit.

About The Author

Related posts