Maj 25, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Presidenti Meta në një intervistë për Fax News: Të gjitha palët të punojnë për çeljen e negociatave

Presidenti Meta në një  intervistë për Fax News: Të gjitha palët të punojnë për çeljen e negociatave

KMA NEWS / Presidenti Ilir Meta në një intervistë dhënë Drejtorit të Informacionit të Televizionit Fax News, deklaron se të gjitha palët politike në vend duhet të marrin përgjegjësi për të çelur negociatat me BE në muajin qershor. Presidenti shprehet se “të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë proçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast se negociatat nuk do të çelen në qershor”.

Intervistoi:  Bledian Koka

Zoti President, më lejoni që ta filloj këtë intervistë me Ju me aktualitetin e ditës. Sot, ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij, duke akuzuar kundërshtarët dhe aleatët. A i theksoi edhe njëherë akuzat në fakt ndaj jush, se keni qenë i pari që keni kërkuar largimin e tij. Largimi përfundimtar, në njëfarë mënyre, të zotit Tahiri nga politika. A e konsideroni një fitore personale?

Kam “zero” koment për këtë pyetje dhe më vjen keq meqenëse ishte pyetja juaj e parë.

 Gjithsesi më lejoni që të insistoj në mungesën e komentit tuaj. Ju si aleati kryesor dhe bashkëkryetari i koalicionit i keni kërkuar Kryeministrit në 2015-tën largimin e zotit Tahiri për shkak të informacionit që keni patur për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Përse nuk e largoi Kryeministrit atëherë zotin Tahiri?

Nuk dua të përsëri edhe njëherë përgjigjen e mëparshme. ‘Zero’ koment për këtë çështje.

A besoni se e ka tashmë drejtësia rrugën e hapur për gjykimin e plotë dhe të paanshëm të zotit Tahri?

Mendoj se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga askush në rrugën e saj për të ndjekur dhe zbardhur çdo çështje dhe çdo individ, kushdo qoftë.

Zoti President, jeni njohur besoj me raportin e Komisionit Evropian për rekomandimin e çeljes së negociatave. Një pjesë e raportit ju është dorëzuar dhe Ju. A e meriton Shqipëria çeljen e negociatave me ato arritje që ka shënuar deri tani ashtu si evidentohen edhe në këtë dokument.

Unë mendoj se “Po”! Pasi çelja e negociatave nuk është anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë KE.

 Në një farë mënyre duket se largimi i zotit Tahiri është një pjesë e plotësimit të kërkesave të zonjës Merkel. Po me çështjen ekonomike, si mendoni se do bëhet?

Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e negociatave, me vështirësitë për marrjen e një vendimi të tillë dhe me ndikimin që ata do të kenë në trajtimit e disa problemeve të rëndësishme me të cilat ndeshet vendi, por të cilat janë dhe çështje kyçe për anëtarësimin në BE. Në radhë të parë kanë të bëjnë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i ngushtë nga e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe natyrisht edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ.

 Qeveria shqiptare ka kërkuar me ngulm çeljen e negociatave duke parë një lloj hezitimi që kanë disa prej vendeve skeptike në BE. Kryeministri Edi Rama ka folur duke paralajmëruar se, nëse nuk do të ketë çelje të negociatave në qershor ose një shtyrje të dytë siç ndodhi në vitin 2016, atëherë Ballkani por edhe Shqipëria mund të bjerë pre e ndikimit rus. A besoni ju tek ky rrezik në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri zoti Meta?

Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur rrugën e saj, që është rruga e integrimit evropian dhe e përcaktimit euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Nuk është një rrugë e lehtë si për Shqipërinë, e cila duhet të motivohet edhe më tej për përmbushjen e standardeve që kërkohet, ashtu edhe për BE-në, i cili nuk përjeton momentet më entuziaste për sa i takon politikës së zgjerimit. Për të gjitha arsyet të cilat dihen. Por, i cili sigurisht ka patur edhe disa zhgënjime të tij nga anëtarësimi i disa anëtarëve në BE, ku disa problematika nuk është se janë zgjidhur përfundimisht edhe me bërjen anëtar të BE të këtyre vendeve.

Kjo ka bërë BE-në që të jetë edhe më kërkues ndaj vendeve si Shqipëria që synojnë të çelin negociatat dhe të anëtarësohen në BE dhe natyrisht kjo nuk ka pse të na dekurajojë ne, por duhet të na motivojë më tej për të demonstruar arritje, progres, qëndrueshmëri, respekt të parimeve të qeverisjes së mirë, të parimeve demokratike në vend dhe standardeve evropiane në çdo sferë. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër dhe as një rrugë tjetër, nuk është se kemi disa alternativa edhe po lëmë një alternativë dhe po zgjedhim një tjetër. E vetmja rrugë e jona është kjo rrugë.

A do të ishte dekurajuese Zoti President një refuzim i dytë nga Këshilli Evropian dhe nga vendet anëtare për çeljen e negociatave? Meqë jemi këtudhe po ju pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë: a e ndieni të nevojshme të merrni edhe ju pjesë në një tur diplomatik me homologët tuaj, them me Mbretin e Spanjës apo qoftë me Presidentin e Gjermanisë për t’i bindur që të mos votojnë kundra nesh?

Mendoj se Presidenti i Gjermanisë është një ndër më mbështetësit e një vizioni strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit tonë në BE. Dhe nuk mendoj se problemi është thjesht çështja e lobingut. Unë mendoj se përparimi është dokumentuar qartë. Edhe fushat ku kërkohet përparimi i mëtejshëm janë bërë më se të qarta. Dhe jam i sigurt se e vetmja rrugë që na ndihmon të ecim drejt një vendimi pozitiv në qershor evitimi i kësaj gare ku të gjithë aktorët kërkojnë të bëjnë opozitë, dhe marrja e përgjegjësive, e qeverisë në radhë të parë, por edhe vetë opozitës, për të demonstruar edhe përgjegjshmëri më të lartë, edhe përqendrim më racional në ato përparësi ku kërkohet të raportohet përparimi çdo ditë, çdo javë.

Zoti President, çfarë nënkuptoni me të gjithë aktorët që janë në garë për të bërë opozitë, përveç opozitës? Dhe kundër kujt bëhet kjo opozitë?

Pse mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë proçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast se negociatat nuk do të çelen në qershor. Dhe unë jam personalisht optimist, kuptohet me këmbë në tokë, që kjo është tërësisht e mundshme dhe nuk duhet të shpikim as armiq të brendshëm, as armiq të jashtëm, por duhet të tregojmë se jemi një vend, i cili ka institucione, i cili i respekton këto institucione, edhe ku aktorët marrin përgjegjësi. Përgjegjësi në qeveri, përgjegjësi në opozitë, përgjegjësi në krye të institucioneve të pavarura.

 A besoni se ekziston në Shqipëri rreziku i fondamentalizmit islamik, dhe akoma edhe më tej, ajo që ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Gjermani, se ky fondamentalizëm islamik mund të nxitet përmes ndikimit rus?

Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë: atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët janë të vendosur në këtë rrugë. Politikanët dhe gjithë klasa drejtuese në vend duhen ta lehtësojnë këtë rrugë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Dua të çmoj shumë edhe aktin mjaft të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të të gjithë krerëve të bashkësive tona fetare, pas miratimit të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ku të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në një deklaratë të përbashkët përveç se vlerësuan këtë rekomandim, bënë thirrje që të ecet në rrugën e bashkëpunimit për të përmbushur të gjitha sfidat që kërkon çelja e negociatave, sepse ne e kemi tashmë të qartë që të gjithë pavarësisht nga dallimet apo besimi fetar, jemi shqiptarë. Por njëkohësisht edhe të gjithë jemi evropianë. Kështu që nuk e shoh një rrezik të tillë si rrezik me bazë në vend, pavarësisht se këtë harmoni ndërfetare dhe këtë orientim të qartë evropian të të gjithë aktorëve në vend nuk duhet ta marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë, por duhet ta kultivojmë dhe ta forcojmë çdo ditë.

 Këto deklarata të Kryeministrit Rama, të kësaj natyre, a e dëmtojnë këtë lloj harmonie fetare, këtë pasuri që kemi ne?

Nuk dëshiroj që të bëj komente për pyetje, të cilat nuk mund t’i gjykoj në kontekstin se si janë dhënë përgjigjet, por mund të jap një mesazh të qartë: ne kemi bashkësi fetare mjaft të përgjegjshme, me tradita të forta patriotike dhe të përcaktuara qartë në orientimin evropian të vendit.

A besoni se është një proces i pranueshëm, një proces që vjen me kushte për arrestime të figurave të larta në Shqipëri nga Bashkimi Evropian? A është kjo mënyra se si ne duhet ta pranojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian?

Mendoj se Bashkimi Evropian kërkon standardet evropiane të sundimit të ligjit në vend dhe në këtë drejtim unë besoj se përqendrimi te këto standarde, te reformat që po zhvillohen, te ajo e drejtësisë në veçanti, por edhe te reformat e tjera që kanë të bëjnë me pesë përparësitë kyçe, do të japin në fund fare rezultanten përfundimtare të një qëndrimi për çeljen e negociatave.

 Revista amerikane “MotherJones” botoi një artikull ku fliste për një lobim të kryer nga Lëvizja Socialiste për Integrim në kohën kur ju e drejtonit atë, dhe ku pretendohet se është bërë nëpërmjet kompanive “offshore” me lidhje ruse për të ndikuar, për të rritur le të themi, praninë e LSI-së apo tuajën personale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Departamentin amerikan të Shtetit. Besoj se e mbani mend këtë lloj kontrate. Si qëndron e vërteta e saj? Dhe a ka një kontratë në fund të fundit?

Mendoj se nuk keni gjetur personin më të përshtatshëm apo edhe kohën më të përshtatshme për të bërë një pyetje të tillë. Megjithatë nuk mund të refuzoj të përgjigjem për arsyet që nuk kanë të bëjnë me funksionin tim sot, nga 24 korriku i vitit të kaluar, me funksionin e Presidentit, për të cilën gazetari që ka bërë një pyetje, ka marrë edhe një përgjigje, që pjesërisht është botuar, nga Drejtori i Kabinetit të Presidentit. Por meqenëse ju përmendët faktin se unë kam qenë në drejtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë moment që është përshkruar në atë mënyrë që ju e keni ndjekur, mund t’ju them se kam lexuar me vëmendje përgjigjet e pyetjeve që i ishin drejtuar zëdhënësit apo drejtorit për shtypin të LSI-së, zotit Shaban Sulçe, të cilat çuditërisht nuk ishin publikuar, pra përgjigjet e këtyre pyetjeve. Dhe mund t’ju them që përgjigje mjaft të sakta, mjaft transparente, dhe me një fjalë mund të them që kemi të bëjmë me një zero të vërtetë përsa u takon të gjitha aludimeve dhe insinuatave për atë periudhë.

A keni paguar para ju zoti Meta për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Presidentit Donald Tramp dhe për të përforcuar raportet me administratën Tramp?

Është një mashtrim, për arsye sepse…

 Gjithmonë i referohem artikullit të “MotherJones”? Besoj se kuptohemi qartë.

Unë po jua jap përgjigjen ju, nuk po ia jap përgjigjen askujt tjetër. Është një mashtrim pasi unë kam marrë pjesë, së bashku me zotin Vasili, sikryetar i Parlamentit me ftesë të komitetit organizator të ceremonisë dhe është gjithçka e verifikueshme, edhe për shkak të kamerave të sigurisë që ne nuk kemi pasur asnjë lidhje. As unë dhe as zoti Vasili me rastin në fjalë.

 Si e keni siguruar ftesën për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Presidenti Tramp?

Unë kam qenë vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe jam takuar vazhdimisht me nivele nga më të lartat. Kam marrë edhe vlerësime nga më të lartat, të cilat janë edhe publike, edhe zyrtare, si nga kryetari i Komisionit të Ligjeve që është nga figurat më kryesore të Kongresit, zoti Pit Sesion, si nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare zoti Mekoll në Kongresin e shumë personalitete të tjera, kështu që gjithçka është absurde dhe mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë tepër shteruese.

A e shikoni realisht dhe a e konsideroni këtë si një sulm personal ndaj jush? Mënyrën se si, qoftë edhe lidhjen e kohës – lidhjen e kohës po e bëj unë, ma lejoni këtë, – faktin që realisht aty nuk kishte dokumente konkrete që të faktonin kontratën në fjalë?

Mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë jashtëzakonisht shteruese dhe transparente. Të ashtuquajturat fakte apo lidhje që nuk ekzistojnë meritojnë gjithmonë të shumëzohen me zero.

Cilat janë raportet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me administratën e Shteteve të Bashkuara? A keni parashikuar ju një vizitë në SHBA dhe nëse po, a është siguruar ky takim apo kjo vizitë përmes lobimit?

Besoj se gjithçka është bërë e qartë. Në detyrën e Presidentit të Republikës nuk kam asnjë raport me asnjë lloj kompanie apo individi. Marrëdhëniet i mbaj në mënyrë zyrtare përmes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë apo përmes ambasadës sonë në Usashington dhe duhet të kemi parasysh që në moshën 30-vjeçare jam takuar me Presidentin Klinton, jam pritur nga Presidenti Bush. I kam kaluar prej kohësh këto pasionet për takime për shtrëngime duarsh, për përqafime, për bërje fotosh, kështu që sa herë të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme do të bëjmë takimet që do të duhen, por gjithmonë në mënyrën më transparente dhe në respekt të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.

 

About The Author

Related posts