Tetor 16, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kryeministri Rama prapë sulmon: Një horr që u kthye në hero dite!

Kryeministri Rama prapë sulmon: Një horr që u kthye në hero dite!

KMA NEWS / Kryeministri Rama prapë sulmon: Një horr që u kthye në hero dite!

Nga Qamil Xhaniqamil xha

-Kryeministri harron se nëse oficeri i policisë nuk do të kishte folur, sot nuk do të dinim kaq detaje për dhunën ndaj një vajze të pambrojtur, ku policia e dërgon dosjen te prokuroria, ndërsa kjo e fundit e mbyll sepse deputeti i PS ka fuqi mbi organin e prokurorisë.

Momenti i parë, që tashmë nga askush nuk vihet në dyshim, është se vajza u dhunua nga djali i deputetit të PS. Nuk ka më dyshime se polici që ka marrë dëshminë e saj nuk ka ndjekur procedurat dhe për këtë gjë është penalizuar. Gjithashtu, nuk përjashtohet fakti se në këtë komisariat, policë të papërgjegjshëm dhe të frikësuar nga hija e një deputeti të qeverisë janë munduar t’a mbyllin çështjen duke mos arrestuar djalin e ligjvënësit. Por sado që ndonjë efektiv në Fushë-Krujë është munduar ta zvarrisë denoncimin, fakti është se zyrtarisht policia ka bërë procedimi penal. Ka njoftuar avokatin mbrojtës, psikologun, ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor që fakton shenjat e dhunës dhe në fund ia ka kaluar çështjen prokurorisë. Kjo e fundi, si institucioni që kishte në dorë ndjekjen penale dhe arrestimin e djalit të deputeti çuditërisht nuk ka vepruar. Argumenti se vajza ka tërhequr padinë është thjesht justifikim prej prokurorisë. Denoncimi fliste për dhunë, armëmbajtje pa leje, pengmarrje dhe përdhunim. Për këto vepra penale çdo prokuror e di se edhe nëse hiqet kallëzimi nga e dëmtuara, përsëri arrestimi dhe hetimi vijojnë ligjerisht dhe mënjëherë. Nëse duart e prokurorisë i ka “lidhur” deputeti Rrahman Rrahja për të shpëtuar të birin, ky është një skandal që mund të marrë me vete edhe një mandat ligjvënësi. Por edhe pse flitet hapur për shkelje dhe moszbatim ligji, deri dje në mbrëmje Prokuroria ende nuk ka bërë hapin e parë në një proces, ndalimin e personit të akuzuar. Dhe do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë vendimin e prokurorisë.
Momenti i dytë i kësaj historie që ka ndezur skenën politike është përfshirja e oficerit të policisë Emiljano Nuhu. Nënkomisari i policisë që sot ndodhet jashtë Shqipërisë për azil jep një variant që implikon në këtë histori numrin dy të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai thotë se është ndaluar të arrestojë djalin e deputetit pasi në zyrën e tij kanë ardhur Taluant Balla, Rrahman Rrahja, kreu i Bashkisë së Krujës dhe i kanë vendosur pistoletën në kokë. Historia edhe sikur një pjesë të saj të ketë të vërtetë do të mjaftonte për të thënë se në Shqipëri nuk ka më shtet, por një bandë kriminale politikanësh. Megjithatë, në rrëfimin e Emiljano Nuhut ka shumë pikëpyetje që ngrenë dyshime serioze. Sipas Policisë së Shtetit, Nuhu nuk ka qenë fare në komisariat ditën që thotë se ka ndodhur kërcënimi i tij. Sipas Taulant Ballës oficeri i policisë është një “mashtrues që është paguar 10 mijë euro nga Lulzim Basha për të rrëfyer një gënjeshtër”. Në tre deklarata për shtyp, drejtori të ndryshme të Policisë së Shtetit thonë se pretendimet e Emiljano Nuhut nuk kanë asnjë bazë dhe se deputetët nuk kanë qenë asnjëherë në komisarit. Vertetsinë duhet ta hetojë prokuroria, e cila sekuestron kasetat filmike që ruhen në komisariat. Edhe nëse tentohet të fshihen prapë ka ekspertizë që e verifikon, por duhet prokuroria të flasë me veprime konkrete, ndonëse tashmë dosja është rihapur nga presioni i publikut dhe opozitës.
Pas denoncimit të oficerit opozita është hedhur në një sulm frontal. Në Tiranë dje nisën protestat, ndërkohë që kjo çështje do të jetë për shumë kohë kryefjalë e aksionit të partive opozitare. Nën këtë presion të opozitës dhe opinionit publik, kryeministri Edi Rama u detyrua Që dje të flasë publikisht, pas katër ditësh. Për kryeministrin çështja e dhunimit të vajzës duhet të rrijë jashtë debatit politik, pasi është nën hetim nga prokuroria dhe autorët do përgjigjen ligjërisht. Por çështja e denoncimit të oficerit të policisë për Taulant Ballën, sipas Edi Ramës, është një sajesë e ulët që po përdoret nga opozita. Për kryeministrin Edi Rama oficeri i policisë që bëri denoncimin është “një horr i kthyer në hero, që ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”-tha kryeministri.
Kryeministri do të bënte mirë të mos përdorte këtë fjalor arrogant, por të ruante qetësinë duke ia lenë prokurorisë hetimin, natyrisht duke nxitur organin në fjalë për hetim të shpejtë e të paanshëm.
Akuzat që Emiljano Nuhu bën ndaj Taulant Ballës janë të rënda dhe për zbardhjen e tyre numri dy i PS ka bërë një padi në gjykatë. Por edhe më të rënda duken akuzat e kreut të qeverisë ndaj një punonjësi të Policisë së Shtetit, i cili disa muaj më parë ishte punonjës i shtetit. Në rrëfimin e Emiljano Nuhut mund të ketë mashtrime dhe të pavërteta për të përfituar azil politik. Mund të ketë dhe sajesa për të goditur politikisht, qeverinë për llogari të opozitës. Dëshira për të fituar azil mund ta detyrojë një njeri, qoftë edhe oficer policie, të gënjejë dhe të bëhet pjesë e sajesave të rënda. Por në rrëfimin e tij ka gjysmë të vërteta (për aq sa dimë deri tani) që faktojnë se një pjesë e institucioneve kanë shkelur rëndë ligjin. Nëse oficeri i policisë nuk do të kishte folur, sot nuk do të dinim kaq detaje për dhunën ndaj një vajze të pambrojtur dhe sorollatjen e saj në zyrat e shtetit që kanë detyrë ta mbrojnë. Nuk do të dinim se edhe një deputet, thuajse anonim në jetën politike të Kuvendit, paska kaq ndikim sa të shmang dhe arrestimin për një krim të rëndë si përdhunimi,etj. Nuk do të dinim as se prokuroria është kthyer në një nga institucionet më politike sa dhe kur i çojnë denoncimin e provat nuk veprojnë. Janë disa të vërteta që edhe po ta heqim emrin e Tulant Ballës nga kjo histori duhet ta bënin Edi Ramën të reflektonte pak më shumë për modelin e shtetit që po drejton.
Në daljen për media të kryeministrit, me gjithë solidaritetin që shprehu për vajzën e dhunuar, shprehja që bëri bujë ishte ajo e “policit horr që do ndiqej këmba këmbës”. Do ishte mëse normale që Emiljano Nuhu të thirret për të dhënë sqarime para drejtësisë lidhur me akuzat ndaj Taulant Ballës. Por teksa kryeministri ka urdhëruar “gjahun” ndaj oficerit të policisë nuk duhet të harrojë se përdhunuesi-dhunues bredh ende i lirë dhe i pashqetësuar nga gjithë kjo rrëmujë.

About The Author

Related posts