Shtator 26, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Opozita Draft për Vetingun e Politikanëve

Opozita Draft për Vetingun e Politikanëve

KMA NEWS / Opozita Draft për Vetingun e Politikanëve

Partia Demokratike publikoi të premten propozimet e saj për ndryshime në Kushtetutë, të cilat sipas përfaqësuesve të saj, forcojnë kontrollin mbi figurën e politikanëve dhe zyrtarëve publikë.

Amendamentet kushtetuese, që iu drejtuan sot parlamentit nga opozita, kërkojnë përjashtimin nga e drejta për t’u zgjedhur të shtetasve, që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Propozimet e opozitës, të paraqitura të premten nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, parashikojnë ndryshime dhe shtesa në nenet 45/3, 176, 176/1/2 dhe 179/c, të cilat garantojnë integritetin e figurës së funksionarit publik.

Sipas këtyre propozimeve nga opozita, në procesin e kontrollit të pastërtisë së figurës përfshihen deputetët, kryetarët e bashkive, kryeministri dhe ministrat, si dhe gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese, që emërohen me detyrë nga parlamenti. Ata dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

“Nëse zyrtari nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra” – thuhet në një tjetër nen të amendamenteve të opozitës.

Në to parashikohet edhe pavlefshmëria e mandatit të funksionarit të organeve kushtetuese i fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kur konstatohet se ai përfshihet në rrethin e subjekteve, që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

basha lulll-1024x686Zoti Basha tha para shtypit se “ky vetting i politikanëve, që propozon PD është e vetmja mënyrë për pastrimin e politikës dhe u pamundëson politikanëve të korruptuar e të lidhur me krimin, që t’u bëjnë ligjin shqiptarëve, duke sjellë largim të menjëhershëm të tyre nga institucionet, ndërprerje të mandatit dhe pamundësinë për të garuar apo për t’u emëruar në detyra të larta shtetërore”.

Ai shtoi se ky ligj për vettingun e politikanëve është i njëjtë me atë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, i miratuar me konsensusin e 140 votave, dhe i kërkoi kryeministrit Rama të mos e bllokojë atë.

edi raNdërsa kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së asamblesë së Partisë Socialiste se politikanët shqiptarë dolën jashtë çdo kontrolli dhe nuk u ka hyrë gjëmb në këmbë, sepse këtu nuk ka patur drejtësi. Ai tha se një drejtësi e çliruar nga kthetrat e politikanëve është autoriteti që bën vetingun, me struktura si SPAK etj.

“Megjithatë, çdo instrument i ri që bën transparencë për mua të parin, për gruan time, për tokat e gruas time, për pallatin e gruas time, për tenderat e baxhanakut tim, për kunatin, për fëmijët e mi, është një instrument që mund të na vlejë. Një instrument, që i bën më mirë dhe më shpejt të gjithë sqarimet mbi dyshimet është i mirëseardhur. Unë, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, kunati i kryetarit të opozitës, gruaja e kryetarit të opozitës, rrethi familjar, vjehri, vjehra ime; të gjithë patjetër, që njerëzit të kuptojnë, ku jemi e ku jetojmë këtu; a jemi të gjithë njësoj apo ka ca që janë ndryshe. Kryeministrat e mëparshëm, fëmijët e tyre, patjetër. Ku udhëtojnë, çfarë shfrytëzojnë, sa rrinë jashtë shtetit e sa vijnë në Shqipëri, cilët bamirës ua japin këto; jam gati. Shyqyr që u kandis Luli ta bëjë këtë punë. Unë jam gati” – tha zoti Rama.

Ai theksoi se propozimi për vetting në politikë të mos jetë i lidhur me reformën në drejtësi dhe të mos e kthejë mbrapsht atë. Zoti Rama tha se vetingu tjetër i drejtësisë do të vazhdojë, ndërsa për vettingun në politikë jemi gati.

“Të ulemi, të diskutojmë, të gjejmë mekanizmin, se s’besoj që propozimi është që një komision bipartizan të merret me këto punë, se kjo do të ishte një arsye më shumë që njerëzit të ikin nga Shqipëria. Por atë vetingun tjetër do ta çojmë deri në fund, atë pastrimin në pallatin e drejtësisë do ta çojmë deri në fund, derisa të largohen gjithë thanzat dhe thëllanzat prej aty, dhe drejtësia të bëjë detyrën e vet në rrugën e njohur botërisht. Për vetingun tjetër jemi gati të ulemi me Lulin menjëherë. Jemi gati t’i ndajmë gjërat me libër shtëpie, siç i kanë bërë punët me libër shtëpie 25 vjet, me libër shtëpie t’i ndajmë të gjitha. Kush e ka librin me faqe që i mungojnë fletët, le të futë librin në sqetull dhe të mos merret më me politikë dhe të qepë gojën, ndërsa të tjerët të shpëtojnë një herë nga kjo politikë miserabël me libër shtëpie” – tha zoti Rama.

About The Author

Related posts