Shtator 26, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Prokuroria britanike akuzon dy rusë për helmimin e Skripal

Prokuroria britanike akuzon dy rusë për helmimin e Skripal

KMA NEWS / Prokuroria britanike ka akuzuar dy rusë për konspiracion dhe tentim vrasjeje lidhur me helmimin e spiunit rus Skripal dhe të bijës në muajin mars.

Sergei Skripal dhe e bija, Julia, u shtruan në spital pasi u gjetën pa ndjenja në një stol afër një qendre tregtare në Salisbury në Britaninë jugore. Hetuesit thanë se ata ishin sëmurë nga një agjent nervor i periudhës sovjetike i quajtur “Novichok”.

Sue Hemming, drejtore e Shërbimeve Ligjore në Prokurorinë mbretërore, tha të mërkurën se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar rusët Aleksandër Petrov dhe Ruslan Boshirov, për përdorimin e Novichokut, duke shkelur ligjet mbi përdorimin e armëve kimike, përbetim për vrasjen e Sergei Skripalit dhe vrasjen në tentativë të të dy Skripalëve dhe një oficeri britanik, i cili gjithashtu u helmua.

Zonja Hemming tha se Britania nuk do të kërkojë nga Rusia ekstradimin e tyre, meqë kushtetuta e atij vendi nuk e lejon ekstradimin e shtetasve të saj. Por, ajo tha se është lëshuar një urdhër arresti evropian në rast se ata udhëtojnë jashtë Rusisë.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha gjatë një fjalimi në parlament se gjykuar nga të dhënat e shërbimeve të zbulimit, “qeveria beson se të dy individët e identifikuar nga policia dhe prokurorët, janë oficerë të Shërbimit ushtarak rus të zbulimit të njohur GRU”.

“Ky nuk ishte një operacion batakçinjsh. Ishte pothuajse me siguri, i miratuar jashtë GRU-së, në nivelet e larta të shtetit rus”, tha kryeministrja May.

Policia tha se të dy burrat që janë rreth moshës 40 vjeçare, përdorën pasaportat ruse për të fluturuar nga Moska në Londër dy ditë para se Skripalët të sëmureshin. Personat pastaj fluturuan përsëri në Rusi, disa orë pasi u gjetën Skripalët.

Britania akuzoi Rusinë për sulmin që në fillim të hetimeve. Rusia vazhdimisht e ka mohuar përfshirjen në sulm.

Të mërkurën ministria e Jashtme ruse tha se emrat dhe fotografitë e dy burrave “nuk kanë asnjë domethënie për Moskën”.

About The Author

Related posts