Nëntor 13, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Edi Rama, portalet dhe ligji që po vjen me turravrap

Edi Rama, portalet dhe ligji që po vjen me turravrap

KMA NEWS / Edi Rama, portalet dhe ligji që po vjen me turravrap

Nga Nikoll Lesi

nikolle-lesiVendimi i kryeministrit Rama për të formalizuar zyrtarisht në tatime portalet online, mbetet një nga vendimet me të drejta që pas atij për mbylljen e basteve sportive dhe kazinove. Nuk po i hyjmë udhës pa krye se pse e bën Edi Rama këtë fushatë anti-portale të pa formalizuara dhe as po i mëshojmë idesë së Andi Bushatit se kjo vjen pas dështimit të propogandës së kryeministrit me anë të mediave audiovizive dhe të shkruara tradicionale, të cilat janë pothuaj të gjitha nën varësinë kryeministrore dhe dështuan përballë morisë së portaleve online.

Të gjithë e pranojmë realitetin e ri që po turret me vrap drejt mediave sociale dhe portalet tashmë po bëjnë realisht opinion publik, pa harruar disa emisione në televizione të cilat mbeten, akoma, ikona gazetarie si Blendi Fevziu, Ylli Rakipi, Eni Vasili, Sokol Balla, Artur Zheji, Rudina Xhunga e pak të tjerë. Por mediat online janë 24 orë në 7 ditët e javës, që gëlojnë në sytë dhe mendjet e qytetarëve. Ndaj duhet një rregullim ligjor, shumë i rreptë. Dikush mund të thotë se kryeministri synon censurimin e tyre apo siç thuhet të lirisë së fjalës në këto portale. Edhe sikur të dojë Edi Rama nuk e bën dot, pasi edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri në këtë epokë mediash sociale dhe digjitale nuk bllokon dot lirinë e fjalës. Kryeministri po bën tentativa presioni e frike, kjo kuptohet, por edhe dikur ndër vitet 1992-1997 pushteti i PD-së nxori ligje represive ndaj medias së shkruar, por prapë gazeta “Koha Jone” doli fitimtare në raport me pushtetin. Dhe imagjinoni asokohe nuk kishte as radiotelevizione private, as internet e as rrjete sociale. Ishin dy-tre gazeta dhe pushteti përballë që dhunonte. E megjithatë media e lirë fitoi, ndonëse me burgje gazetarësh dhe djegie redaksie të “Koha Jone”.

Tani, ka shumëllojshmëri mediash; tradicionale dhe rrjete sociale. Mund të blejë apo shantazhojë, kryeministri, disa media, por nuk mund të mbyllë rrjetet sociale dhe portalet online. Ndërsa formalizimi duhet patjetër, bile me çdo kusht. Të regjistrohen në tatime, të paguajnë sigurimet shoqërore për çdo person të punësuar dhe të ketë një përgjegjës apo redaktor portali, ku nëse dikush ndjehet se është fyer apo sakatuar nga shpifja, ti drejtohet gjykatës. Sot ka mori portalesh të cilat bëjnë kërdinë dhe nëse kërkon për të gjetur se kush është pas tij për ta çuar në gjykatë, nuk e gjen dot. Janë anonimë, por anonimë të paguar.

E dyta ndonëse kryeministri turret drejt shpifjes, duke i ikur një amendimi në Kodin Penal, ai duhet patjetër që projektligjin ta sjellë në diskutim në tryezat e medias, të shoqërisë civile, etj. Edi Rama nuk  duhet të thërrasë në këto tryeza-debat gazetarë të portalëve qeveritare, por të jenë  gazetarët profesionistë dhe me integritet. Ata duhet të jenë pjesë kryesore e këtij debati. Flitet për një ligj të ri për mediat dhe nuk duhet kornizuar vetëm te shpifja, siç po e orienton kryeministri. Duhet një ligj për t’iu përshtatur epokës digjitale dhe medias online. Nëse Edi Rama e fragmetarizon vetëm masa ndaj shpifjes për të shpëtuar veten dhe qeverinë nga akuzat, që disa herë marrin doza shpifje të verteta, mendoj se gabon dhe do ti kthehet në bumerang. Sidomos reagimi ndërkombëtar do jetë kundër tij.

Edi Rama duhet të ulet me shoqatat e gazetarëve dhe shoqërinë civile për të hapur një debat për një projektligj të ri për mediat, radiotelevizive, të shkruara dhe online (portalet).

Kryeministri ka të drejtë për portalet-masakër dhe pa asnjë etikë profesionaliste, por kjo nuk është zgjidhja. Edi Rama ka të drejtë kur flet për komente të ndyra dhe shpifëse në disa portale, gjoja se i shkruan “populli (!) të thonë pronarët e këtyre portaleve, por nuk mund të ketë, kryeministri, në mendje e qëllim vetëm shpifjen për të shpëtuar mazhorancës nga skandalet.

Ndaj Edi Rama ka nevojë seriozisht të ulet për të bërë me të mirën e mundshme për këtë botë digjitale, e cila ecën me ritme të tmerrshme, aqsa nuk dihet se çdo ndodh nesër në teknologjinë e informacionit.

Por formalizim urgjent duhet, për këdo e cilindo në portalet.

About The Author

Related posts