Dhjetor 10, 2018

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Prokuroria e Posaçme heton zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të Maqedonisë

Prokuroria e Posaçme heton zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të Maqedonisë

KMA NEWS / Prokuroria e Posaçme heton zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të Maqedonisë

Në Maqedoni, Prokuroria e Posaçme ka hapur gjashtë raste të reja, në të cilat janë të dyshuar ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, zyrtarë aktualë dhe politikanë për shpërdorime të detyrës dhe parave të buxhetit të shtetit.

Prokuroria e Posaçme (PP) do të hetojë ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-Ministrin e Transportit, Mile Janakievski, ish-Ministrin e Financave, Zoran Stavrevski, zëvendës-kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, Zëvendës-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë VMRO-DPMNE, Igor Janushev, ish-Drejtorin e T-Mobile për Maqedoni, Zharko Lukovski dhe ish-Kryetarin e një komune të Shkupit, Stevçe Jakimovkin.

Të gjithë këta dhe njëzet persona të tjerë dyshohet të kenë shpërdorur 80 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Në një prej rasteve dyshohen ish-ministrat Janakievski dhe Stavrevski për favorizimin e një kompanie ruse për një pronë për ndërtimin e gazsjellësit kundrejt borxhit rus, që asnjëherë nuk iu kthye Maqedonisë, bën të ditur PP-ja. Në këtë rast është dëmtuar buxheti i shtetit me rreth 33 milionë euro.

Ish-kryeministri Gruevski, së bashku me disa persona të tjerë, dyshohen në një tjetër rast të kenë paguar 30 milionë euro gjatë periudhës 2010 – 2015 disa radio – stacioneve dhe televizioneve të afërta me partinë dhe mbështetëse të politikave të VMRO-DPMNE-së.

Zv.Kryeministri aktual Bujar Osmani, dyshohet në rastin e koduar “Pacienti”, për favorizimin dhe ndarjen e mjeteve një kompanie nga Bullgaria, për riparimin e spitaleve në Tetovë, Ohër dhe në Çair të Shkupit, megjithëse e dinin se firma nuk i plotësonte kushtet, thekson Prokuroria Speciale. Zoti Osmani në atë periudhë ka qenë Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, ish drejtori i T-Mobile, Lukovski dyshohet për pagesën tre herë më të lartë (3.5 milion euro), kompanisë së ndërtimit Beton, për legalizimin e stacioneve të paligjshme të telekomunikimit.

Në një tjetër rast, (“Harmonia”) dyshohen Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Stevçe Jakimovski, për ndarjen e paligjshme të një parcele atraktive ndërtimi në Shkup, Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, duke dëmtuar buxhetin për rreth 400 mijë euro.

Në një reagim me shkrim të zotit Osmani, theksohet habia e tij, ndërsa shkruan se kishte dëgjuar edhe më parë spekulime në media.

“Hetimin e inicuar e konsideroj si normal, korrekt dhe obligim profesional të Prokurorisë dhe në atë drejtim jam në dispozicion të Prokurorisë Speciale Publike, si dhe në cilin do organ tjetër të drejtësisë në vend, për bashkëpunim në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi. Dua të theksoj se nuk kam asgjë për të feshur, përkundrazi pres një hetim më të shpejtë dhe më efikas me qëllim të vetëm të zbardhet e vërteta – se as që kam ndikuar dhe as që kam mundur të ndikoj e aq më pak nuk kam mundur të jem i njoftuar me keqpërdorime eventuale, sigurisht nëse ekziston një gjë e tillë”, thuhet në reagimin e Bujar Osmanit.

Ndërkohë, ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit po zhvillohen disa raste të ndara gjyqësore, është dënuar tashmë me 2 vjet burg për blerjen e paligjshme të një makine të tipit Mercedes S 600 Guard të blinduar, me një shumë prej 600 mijë eurosh dhe sipas pritjeve, ai duhet brenda dy-tre javësh të paraqitet në burg për vuajtjen e dënimit.

About The Author

Related posts