Dhjetor 09, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Çfar thonë analistët për mos dekretimin e Ministrit të Brendshëm

Çfar thonë analistët për mos dekretimin e Ministrit të Brendshëm

KMA NEWS / Çfar thonë analistët pas mos dekretimit të Sandër Lleshit nga presidenti Meta

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot një takim me presidentin e Republikës zotin Ilir Meta dhe pas 90 minutash, biseda u vlerësua nga selia e qeverisë si “konstruktive dhe e hapur”, dhe se “u bazua mbi një letër, që zoti Meta dërgoi mbi propozimin për të dekretuar si ministër të brendshëm zotin Sandër Lleshi”.

Analistë dhe vëzhgues të pavarur të jetës politike pohojnë se Shqipëria ka rënë në një krizë të papritur konstitucionale, kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk dekretoi Sandër Lleshin, si propozim të kryeministrit Edi Rama për ministër të brendshëm.

Zhvillimet e befta politike midis dy fundjavave, nga dorëheqja e ministrit Fatmir Xhafaj e deri te mos-dekretimi i këshilltarit Lleshi, nxitën komente kritike nga vëzhguesit e politikës.

Ky hap i presidentit Meta shihet nga analisti Aleksandër Cipa si “hapja e një kapitulli të ri të marrëdhënies konfliktuale të tij me shumicën socialiste dhe një përplasje institucionale mes dy protagonistëve”.

Zoti Çipa thotë se “një nismë e mundshme e shumicës për shkarkim të presidentit, do të sillte një krizë politike të panevojshme”.

Ndërsa analisti Afrim Krasniqi thotë se “sjellja e presidentit është më shumë politike se sa presidenciale dhe se mosdekretimi i ministrit të ri nga presidenti e futi vendin në një krizë të re politike dhe konstitucionale”.

Zoti Krasniqi tha se “të dyja palët vepruan gabim, njëri duke njoftuar propozimin për ministrin e ri nga rrjetet sociale, ndërsa tjetri nuk u përgjigj zyrtarisht as publikisht”.

Ndërsa analisti Lutfi Dervishi thotë se “neni i Kushtetutës për emërime dhe shkarkime të ministrave ngjan i ngurtë e madje një formë e çeliktë dhe i imponon presidentit dekretimin automatik për ministër të çdo propozimi të kryeministrit”.

Si zoti Krasniqi, edhe zoti Çipa nga ana tjetër, thotë se presidenti Meta po vepron më shumë si politikan, duke lëshuar nga statura e presidentit.

Analistët pohojnë se zoti Meta po përpiqet të ruajë ndikimin e tij mbi emërimet e reja në të gjithë institucionet; në sistemin e drejtësisë, në shërbimet inteligjente, në qeveri etj., dhe të ofrojë profilin e një zyrtari garant e konstruktiv, sakohë që emrat e rinj të konfirmohen prej tij.

Por çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt me zhvillimet politike në vend? Analistët janë të ndarë mes shumë të papriturave, nga tensionimi i mëtejshëm e deri te mirëkuptimi i shpejtë.

About The Author

Related posts