Nëntor 18, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Demokratja Nancy Pelosi merr drejtimin e dhomës së përfaqësuesve të Kongresit në SHBA

Demokratja Nancy Pelosi merr drejtimin e dhomës së përfaqësuesve të Kongresit në SHBA

KMA NEWS / Demokratja Nancy Pelosi merr drejtimin e dhomës së përfaqësuesve të Kongresit në SHBA

Pas dy vjetësh gjatë të cilëve republikanët kontrollonin Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët tani kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ky është rezultat i zgjedhjeve të nëntorit ku demokratët siguruan fitore të rëndësishme, duke siguruar 235 vende në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 vende. Republikanët morën dy vende më tepër në Senat ku tani kanë shumicën prej 53 kundrejt 47 vendeve.

Demokratja Nancy Pelosi e Kalifornisë u votua si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, duke u rikthyer në postin që mbajti nga viti 2007 deri në 2011. Ajo është e vetmja grua e zgjedhur si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe është personi i parë në më shumë se 60 vjet që vjen për herë të dytë në këtë post.

Disa demokratë kishin shprehur dëshirën që kryesinë në parti ta merrnin të rinjtë, prandaj zonja Pelosi ra dakord të shërbejë jo më shumë se katër vjet si kryetare e Dhomës në shkëmbim të mbështetjes që do të merrte nga ligjvënësit demokratë.

Kongresi i ri është më i larmishmi në histori.

Ai përfshin Alexandria Ocasio-Cortez nga Nju Jorku, gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Kongres. Janë edhe Rashida Tlaib e Miçiganit dhe Ilhan Omar e Minesotës, dy gratë e para myslimane që zgjidhen në Dhomën e Përfaqësuesve. Janë gjithashtu 10 ligjvënës që e identifikojnë veten haptazi si LGBTQ.

Në përgjithësi, gratë kanë 102 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 25 në Senat.

Kongresi i ri përballet me sfidën urgjente për të zgjidhur mbylljen e pjesshme të qeverisë. Deri tani ka pak shenja se udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ata republikanë në Senat, do të bien dakord për një plan shpenzimi i cili të rihapte një të katërtën e operacioneve të qeverisë që aktualisht janë të mbyllura.

Demokratët e Dhomës do të përdorin statusin e tyre të ri në kontrollin e komisioneve për të nisur një numër hetimesh mbi veprimet e administratës Trump, duke përfshirë mospublikimin e taksave mbi të ardhurat të Presidentit, vendimin e tij për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, dhe hetimet e reja rreth lidhjeve midis zotit Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Kryetarja e Dhomës së Kongresit Pelosi

pelosiNancy Pelosi zgjidhet sot kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, e vetmja grua që ka mbajtur këtë post të rëndësishëm, të cilin shumë pak burra kanë patur rastin ta gëzojnë dy herë gjatë karrierës së tyre.

Hera e fundit kur një Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve është zgjedhur për herë të dytë ishte më tepër se gjysëm shekulli më parë.

Nancy Pelosi e dinte se ky moment do të vinte, edhe pse të tjerë kishin shprehur dyshime, apo ishin përpjekur në mënyrë aktive ta ndalnin.

Ligjvënësja demokrate e Kalifornisë është përballur me nëvlerësime gjatë karrierës së saj politike, por ajo gjithmonë ka provuar të kundërtën.

Siç ndodhi kur fitoi përsëri mbështetjen e shumicës demokrate dhe votat e nevojshme brenda partisë së saj, për t’u zgjedhur për herë të dytë Kryetare e Dhomës.

“Askush nuk është i domosdoshëm, por e di me siguri se unë e bëj shumë mirë punën,” i tha ajo vjeshtën e kaluar Agjencisë Associated Press.

Pelosi mbetet një figurë polarizuese; ajo është përgojuar nga republikanët si një politikane liberale nga San Francisco dhe një shëmbëlltyrë e qeverisë së madhe.

Por ajo është gjithashtu nënë e pesë fëmijëve dhe gjyshe e nëntë nipërve e mbesave, që ka thyer çdo barrierë për t’u bërë një prej politikaneve më të fuqishme të shekullit të 21-të.

Ajo është një prej pak ligjvënësve, që duket se e kupton mirë zotin Trump: të dy ata vijnë nga familje të famshme, tani janë figura kryesore që merren me arritjen e marrëveshjeve.

Donald Trump i vlerëson karakteret e forta dhe ndoshta falë respektit që ai ka ndaj saj, Pelosi është një prej pak ligjvënësve në Uashington, që ka mbetur pa iu vënë një nofkë prej tij.

“Dëgjova Presidentin të thotë se unë e meritoj të jem Krytarja e Dhomës së Përfaqësuseve. Nuk mendoj që dikush meriton diçka. Nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë, por se çfarë mund të bësh në të ardhmen…”– tha zonja Pelosi.

Kthimi i zonjës Pelosi në detyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve nuk ishte i garantuar. Një grup demokratësh të thjeshtë ishin të etur për një udhëheqje të re, me argumentin se është koha që drejtimin e partisë ta marrin të rinjtë.

Nga ana e saj, zonja Pelosi bëri një lëshim; tani në moshën 78-vjeçare, ajo premtoi se do të shërbejë në rolin udhëheqës të partisë së saj, për jo më shumë se katër vjet, për t’i hapur rrugën brezit të ri.

Kongresmenia myslimane thyen rregulloren mbulon kokën me shami

kongresmenja myslimaneNjë nga dy gratë myslimane, të parat që shërbejnë në Kongresin amerikan, Ilhan Omar e mbulon kokën me shami. Por teknikisht kjo është e ndaluar sipas rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kongresi i 116-ë do të jetë ndër më të larmishimit. Tani që demokratët morën kontrollin e organit të tyre legjislativ, ata do t’i ndyshojnë rregullat në mënyrë që ta reflektojnë këtë realitet.

Rregulli që do ta kishte ndaluar zonjën Omar të mbante shami koke, ose hixhab, u vendos para 181 vjetësh kur përmbajtja e Kongresit dukej shumë ndryshe. Gratë dhe pakicat nuk e kishin mundësinë të shërbenin si anëtarë të tij. Kur ligjvënësi përcaktuan se “çdo anëtar duhet ta ketë kokën të pambuluar gjatë seancave të Kongresit”, ata i referoheshin praktikës së zakonshme të burrave në shekullin e 19-të për mbajtjen e kapeleve. Rregulli nuk ishte vendosur për të diskriminuar pakicat fetare.

Megjithatë edhe atëherë ky rregull shkaktoi debate. Disa anëtarë argumentuan se veshja e kapeles ndiqte një traditë të rëndësishme në Parlamentin Britanik që simbolizonte pavarësinë nga monarku. Të tjerë dhanë një argument edhe më praktik, duke pyetur ku mund t’i linin kapelet.

Megjithatë rregulli mbeti. Në seanca ndalohen gjithashtu cigaret, ushqimi, pijet dhe celularët.

Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë një avantazh ndaj kolegëve të senatit: ata janë lejuar gjithmonë të sjellin fëmijët në sallën e seancave.

Mbulimi i kokës është përdorur edhe në shenjë proteste. Në vitin 2012, kongresmeni demokrat, Bobby Rush i Ilinoit u përzu nga salla e seancës pasi po e mbante në kokë kapuçin e një pulovre, si shenjë proteste pas vdekjes së adoleshentit afrikano-amerikan Trayvon Martin, që u vra nga George Zimmerman dhe kishte kapuçin në kokë kur u vra.

Në Twitter, Ilhan Omari që ka lindur në Somali tha se do të kërkonte t’i jepej fund ndalimit.

Së bashku me kongresmenin nga Masaçusets Jim McGovern dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nga Kalifornia, zonja Omar po paraqet një propozim sipas së cilit, të bëhet një përjashtim nga ky rregull për mbulimin e kokës për arsye fetare ose mjekësore.

About The Author

Related posts