Tetor 23, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Analiza: Albin Kurti po merr përmasat e një politikani kombëtar

Analiza: Albin Kurti po merr përmasat e një politikani kombëtar

KMA NEWS / Analiza: Albin Kurti po merr përmasat e një politikani kombëtar

Vizita e beftë e Albin Kurtit në Tiranë ka vënë alarmin mes një grupimi shumë më të gjërë se ai që do të mbajë më çdo lloj çmimi Edi Ramën në pushtet.

Të shqetësuar janë të gjithë pjestarët e kastës, ata që përbëjnë elitën e privilegjuar të vendit, ish ministra që ëndërrojnë që shefi t’u kthejë vështrimin pasi i ka trajtuar si libra të palexueshëm prej kohësh, gazetarë që janë në frontin e parë të sulmit kundër çdo opozitari, pjestarë të shoqërisë civile, të cilëve protesta e pedagogëvë që përkrahin studentët e tyre iu prish konformizmin fitimprurës.

Dhe të gjithë po akuzojnë në kor Albin Kurtin se pse mbështeti një protestë legjitime në fakultetin e shkencave sociale. Liderin e Vetvendosjes po e anatemojnë si një njeri që shkeli kufijtë e mosndërhyrjes në punët e brendëshme të politikës lokale, si një politikan që po mbështet një bandë të vogël pengmarrësish, si një individ meskin që nuk suporton dot tradhëtinë e ish anëtarëve të Vetëvendosjes, që u bënë ministra të Ramës.

Por të gjitha këto janë pesë me hiç, kur merr mundimin të dëgjosh dhe të lexosh atë çfarë Albin Kurti u tha pedagogëve dhe studentëve grevistë të shkencave sociale: “Me protestat tuaja vjen pranvera shqiptare. Protesta e studentëve është lëvizje kundër privilegjeve që kanë të pasurit. Studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive e pabarazisë në arsim”, foli përpara tyre, Albin Kurti.

Dhe po të dëgjohet me vëmendje, ai ka të drejtë. Pavarësisht se me çmimin e lartë të një divorci me Edi Ramën, i cili dikur e quante Vetëvendosjen një vlerë kombëtare, Kurti ndërmori një akt që pak të singjashëm të përtej kufirit guxojnë ta bëjnë: të dalë kundër politikave të atij që drejton qeverinë e Tiranës. Dhe këtë nuk e ndërmori as si kundërvënie ndaj njeriut të ditur Gent Caka, as për të denigruar bashkëjetuesen e një vëllai të tij armik, por sepse ai pati kurajon të vërë gishtin mbi kontradiktën themelore që po bën të lëngojnë Shqipëria dhe Kosova: atë mes të pasurve dhe të varfërve, atë mes kastës dhe të paprivilegjuarve, atë mes pushtetarëve dhe qytetarëve.

Kjo është një bindje dhe ideal që Albini e mbron me fanatizëm prej vitesh në Prishtinë dhe që nuk mund t’i kërkosh ta harrojë kur viziton Tiranën. Ai nuk erdhi për asgjë tjetër këtu, veçse për t’i dhënë zë zemërimit të ligjshëm të studentëve, si një shtresë e nëpërkëmbur e kësaj shoqërie.

Dhe duke hedhur këtë hap, duke vënë gishtin në plagën e rëndë të pabarazisë, së mungesës së shanceve të njëllojta për të gjithë, të grabitjes së të ardhmes të një brezi në emër të patriarkëve të korruptuar, ai bëri një nga ato akte që i kapërcejnë kufinjtë.

Duke mbrojtur të njëjtat ideale dhe të njëjtat teza si në Prishtinë, ai hodhi një hap më përpara drejt krijimit të figurës së një politikani me përmasa kombëtare.

Sepse të tillë nuk janë as ata që duan të coptojnë atdheun për të shpëtuar nga burgu dhe as ata që duan të fryjnë fabulën e bashkimit, në emër të mbulimit të vjedhjeve të tyre.

Ndryshe nga ata, Albin Kurti është nga ai stof politikani që ëndrrën e atdheut të përbashkët e përkund në shtratin e barazisë dhe jo në atë të padrejtësisë.

Për të mbijetuar në politikë ai nuk beson as te ndihma e Vuçiçit dhe as tek lobistët e përbashkët me të, që kanë liderët shqiptarë. Ai mund të ëndërrojë “mëkatin” e një “Shqipërie natyrale”, por nuk e sheh atë si Eldoradon e një pakice kundër shumicës.

Në emër të kësaj bindjeje ai u rreshtua me studentët dhe kundër atyre që besojnë se mund ta shtypin revoltën e tyre, duke fituar statusin e ndryshuesve të kufinjve ballkanikë.

Dhe ky akt, po aq sa i bën nder, e rendit në aradhën e atyre liderëve me fate politike shpesh të pamundura, që përpara pushtetit preferojnë të përzgjedhin koherencën dhe idealin. Sepse Albin Kurti, përpara se të jetë partner i Ramës, kundër të cilit u rreshtua hapur sot, kërkon të jetë mik i shqiptarëve./lapsi.al/

About The Author

Related posts