Dhjetor 08, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Profesor Kabo, 8 arsyet përse deputetët nuk përfaqësojnë më popullin

Profesor Kabo, 8 arsyet përse deputetët nuk përfaqësojnë më popullin

KMA NEWS / Profesor Kabo, 8 arsyet përse deputetët nuk përfaqësojnë më popullin

Profesor Përparim Kabo ka reaguar për gjuhën banale të përdorur ditën e djeshme në sallën e Kuvendit nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës. Me një shkrim që nis ”jo nuk mund të jeni më përfaqësues të popullit”, Kabo e konsideron të enjten e 31 janarit si ”dita e ujërave të zeza në Parlament”. Duke i bërë të qartë deputetëve dhe drejtuesve të mazhorancës dhe opozitës se ”po ndaheni me atdheun dhe fatin e tij, me popullin dhe vlerat e tij, me partnerët dhe me idealin europian”, Përparim Kabo rendit tetë arsye përsa këta zyrtarë nuk përfaqësojnë më popullin shqiptar.

Reagimi i plotë i Përparim Kabos

Jo nuk mund të jeni më përfaqësues të popullit. Dua të them të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por a jam korrekt? A jeni ju të nderuar? Ku dhe si ta gjej e ta takoj nderin tuaj? A është ai një nder moral, është ai politik, është për më tepër historik? Nuk mund ta them. Por diçka me siguri mund dhe duhet ta pohoj. Brenda asaj salle që quhet aula e parlamentin shqiptar pluralist gjatë këtyre 28 viteve ka pasur dhe ka edhe njerëz të nderuar, gra dhe burra të ndershëm, të përkushtuar dhe me vlera, me tiparet me të mira shqiptare dhe me një kahje të dallueshme të qytetrimit europian.

Edhe dje në atë ditë që do ta quaja pa mëdyshje si “dita e ujërave të zeza në Parlament” në atë sallë pati ende njerëz që nuk e turpërojnë institucionin, madje jo për kompromis as për konformizëm por me bindje them se edhe tek ata që folën me atë gjuhë dhe atë fjalor ka mbetur një farë nderi dhe turpi. Unë dua të shtroj një pyetje si qytetar. Pse erdhëm në këtë gjëndje?

Prej disa legjislaturash ata që marrin sovranitetet e deleguara nga zgjedhësit dhe janë antarë të demokracisë kolektive përfaqësuese, zhgënjenë, kthejnë shpinën, harrojnë interesin publik, privatizohen si persona dhe si shpirt, ndryshojnë pamjen si hedonik dhe nuk shqetësohen me atë që është shtuar ndër vite, rrënia e autoritetit të ligjit dhe besueshmërisë së tij, prishja e ekuilibrave institucionale, si dhe grumbullimi i varfërisë gjithnjë e më shumë në një masë të madhe të popullatës. Unë si çdo qytetar dua tu them se ju nuk mund të jeni më përfaqësues të popullit sepse:

Ju nuk organizoni dot më zgjedhje të lira dhe të besueshme. Ju nuk ndërtuat dot një administrat efektive efiçente dhe profesionistësh, e pavarur dhe jo e korruptuar. Ju politikanët tanë ligjbërës dhe ligjvënës, shpërdoruat pasuritë kombëtare dhe ato para i grabitët për veten tuaj, dhe konkretisht: Të gjithë pasurinë e krijuar me mund si minierat, hekurudhat, flotën tregëtare, armatimet, natyrën dhe eco sistemet. Ju prishët pronat publike dhe i konvertuat në private. Ju krijuat detin e pronave informale dhe më tej i formalizuat duke lënë me gisht në gojë pronarët e ligjshëm.

Ju shkatruat sistemin e drejtësisë me emërimet skandaloze që bëtë duke i shitur postet dhe më tej e përdorët si karem për ti marë paratë krimit të ricikluar përmes këtij pioni që quhet sistemi (pa)drejtësisë. Ju jeni pasuruar në mënyrë të frikshme dhe tradhëtuat idealin publik të shtetit që është arsimi, shërbimi shëndetësor dhe shërbimet e tjera publike dhe që përfshihen në atë që njihet si “garancitë sociale të jetës”. Ju duke shkelur mbi ligjin dhe mbi të drejtën zakonore e atë fetare u bët miq shokë dhe ortakë me njerëzit e jetës së keqe dhe krimit të organizuar.

Tani unë kam një pyetje pa oqean dhe pa lum. Ju deputetët e asaj salle a keni ju një moral qytetar minimal? A flisni ju me këtë fjalor në familjet tuaja biologjike? Po në familjet tuaja politike kështu flisni? Po në zyrat e shtetit kur ne nuk ju shohim dhe nuk ju dëgjojmë, ky është fjalori juaj, ky lloj banaliteti poshtëronjës së pari dhe së fundi për ju vetë? Po a mendoni se si ndjehen fëmijët tuaj, prindërit tuaj apo mbesat e nipat tuaj kur ju dëgjojnë por edhe kur t’Ju shohin dhe Ju dëgjojnë më vonë se kjo era dixhitale të rregjistron?

A mendoni ju se çfarë thonë për ju në Neë York, Berlin, Paris, Londër, Vjenë, Budapest apo Tokio? Po mirë a e llogarisni se çfarë mendon për atdheun dhe punët e shtetit ai që punon për të mbajtur rrjetin elektrik, ai që pret jetën në një maternitet, ai polici që rri gjithë natën zgjuar, ajo mësuesja që udhëton çdo mëngjes 1 orë për të shkuar në shkollë te nxënësit e fshatit, ata që besojnë se ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam? Edhe diçka që shpreh krizën tuaj. Ju mendoni se foltorja kudo që është shërben që kundërshtarin politik ta zhbësh në dimesionin e tij moral dhe kështu zgjedhësit apo ‘shqiptarët si edhe thoni ju’ të urrejnë atë dhe t’ju duan juve.

Sa naiv që tregoheni. Njerëzit e kanë të qartë se këtu në këtë fshatin tonë as që bëhet fjalë për moral dhe për etikë…këtu bije erë! Dhe për më tepër goditja e kundërshtarit moralisht me gjuhë imorale është e pabesueshme. Së fundi, në shoqërinë e kapitalizmit të sotëm njerëzit orjentohen nga interesi dhe kanë kuptuar se lufta juaj imorale kundër imoralitetit është e barabartë me pasurimin tuaj të të gjitha palëve politike e partiake… Unë po ua them hapur, Ju po turpëroni veten dhe atdheun. Nëse ndokush nga ju së paku sot është esëll ta shpëtojë shpirtin e vet duke kërkuar ndjesë publike. Ndryshe jeni të humbur të gjithë, sepse jeni të pabesueshëm. I bëtë familjet tuaja leckë duke sharë dhe pështyrë. Ai ambient atje bije erë turpi.

Dje në Parlamentin e Maqedonisë kryetari Talat Xhaferi foli shqip si edhe kishin dashur ata që më 1908 në Kongresin e Manastirit ata që hartuan alfabetin që kemi sot, Mit’hat Frashëri, At Gjergj Fishta, At Nder Mjeda, At Dom Kaçori etj. E në vend që seanca dje në Parlamentin shqiptar të niste me një soleminitet historik u ndye me atë pisllëk. Po ju kujtoj një shpjegim filozofik të të madhi Petro Zheji, që argumentonte se fjala ndyj është identike me ndaj pra ndyrja është ndarje, dhe ju po ndaheni me atdheun dhe fatin e tij, me popullin dhe vlerat e tij, me partnerët dhe me idealin europian. Fatkeqësia është e juaja!

About The Author

Related posts