Prill 26, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Grabitja e Rinasit: Sandër Lleshi ia hedh faijn kinezit

Grabitja e Rinasit: Sandër Lleshi ia hedh faijn kinezit

KMA NEWS / Grabitja e Rinasit: Sandër Lleshi ia hedh faijn kinezit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me ngjarjen e djeshme të ndodhur në Rinas ku disa grabitës të armatosur arritën të rrëmbejnë rreth 10 milionë euro që ju përkisnin tre bankave të nivelit të dytë në vend.

Lleshaj përgëzoi Policinë për operacionin duke thënë se u realizuar në mënyrë profesionale, por nga ana tjetër kritikoi ashpër koncesionarin si dhe reagimet e opozitës lidhur me ngjarjen duke e akuzuar për përhapje tymi dhe flake.

“Punonjësit e sigurisë së aeroportit nuk kanë arritur ta bëjnë si duhet detyrën e parashikuar sipas standarteve të sigurisë. Ata nuk kanë arritur të sinjalizojnë policinë për ngjarjen që cënon sigurinë kombëtare. Koncesionari nuk ka plotësuar standartet e sigurisë. Kompania kineze ka dështuar në punën e saj. Nuk ka funksionuar siguria nga ana e koncesionarit. Siguria e jetës, pronës dhe ajo kombëtare prevalojnë mbi të gjitha masat”, tha Lleshaj.

Gjithashtu ministri i Brendshëm tha se autorët e grabitjes kanë lënë prova të mjaftueshme për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa siguroi qytetarët shqiptarë se ky aeroport do të jetë i pacenueshëm në të ardhmen.

Deklarata e plotë:

Deklaratë për media e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj lidhur me grabitjen e kryer në aeroportin “Nënë Tereza”, Rinas:

Ngjarja e ndodhur dje, më datë 09.04.2019, gjatë të cilës u cenua rëndë siguria e Aeroportit të Rinasit, u grabit një sasi vlerash monetare dhe u vu në rrezik serioz jeta e forcave të rendit, po hetohet me intensitet të lartë nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit.

Nga analiza e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit.

Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike.

Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport.

Do të kishte mjaftuar edhe vetëm një pjesë e këtyre parave të përvitshme, që pasagjerët paguajnë ekskluzivisht për sigurinë, për ta garantuar në mënyrë të shumëfishtë perimetrin e jashtëm të Aeroportit, i cili dje jo vetëm që është hapur për disa sekonda, por, për më keq, Koncesionari dhe Kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë.

Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare.

Të nisur nga incidenti i rëndë i ditës së djeshme dhe në vlerësim të të gjithë marrëdhënies së vështirë me shoqërinë Koncesionare, që është zhvilluar pas ngjarjes së datës 30.06.2016, kur siguria e Aeroportit u cenua në mënyrë të ngjashme me ditën e djeshme, Autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të shpejta dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroportin e Rinasit.

Siguria e jetës, ajo e pronës dhe siguria kombëtare prevalojnë mbi të gjitha interesat e tjerë. Të gjitha masat që do të merren do të jenë plotësisht në funksion të garantimit të sigurisë kombëtare, të jetës e të pronës.

Me masat e reja që do të merren do të garantohet një nivel sigurie i ri, shumë herë më i lartë dhe në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.

Sa i përket dinamikës së ngjarjes më duhet të them se reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse.

Falë këtij reagimi të shpejtë dhe të fortë të Policisë së Shtetit, besohet se banda kriminale, e cila ka arritur që edhe më parë të godasë transportin e vlerave monetare, drejt Rinasit apo në institucione të tjera bankare të vendit, pas humbjes së djeshme të kreut të saj, ka marrë një goditje shkatërruese, e cila po thellohet nga ora në orë, falë punës plot përkushtim që po bëhet nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit.

Shkatërrimi i këtij grupi shumë të rrezikshëm kriminal është një sinjal tjetër i rëndësishëm ndaj botës së krimit të organizuar në tërësi. Policia e Shtetit dhe gjitha organet ligj zbatuese të vendit janë të angazhuara, të gatshme, të përgatitura dhe shumë të motivuara për të neutralizuar çdo tentativë kriminale që cenon sigurinë e jetës apo të pronës.

Më lejoni që falënderoj bashkëpunimin e shumë qytetarëve, të cilët dëshmojnë kështu nivelin e lartë të përgjegjësisë civile si dhe mbështetjen që i japin sigurisë së tyre përmes besimit tek Policia e Shtetit.

Në të njëjtën kohë dua të shpreh keqardhjen e thellë për segmente të caktuara të politikës destruktive, që edhe në momentet kur Policia e Shtetit ishte në zhvillim të një përpjekjeje të rrezikshme dhe të armatosur me grupin kriminal, nxituan të rreshtohen kundër saj, të akuzojnë në mënyrë të përçartur dhe krejt të pabazuar atë, si dhe të përhapnin tymin e të pavërtetës, në një kohë kur pritej përkrahja e çdo qytetari apo grupi politik që ndjen përgjegjësinë normale ndaj sigurisë dhe rendit publik të Shqipërisë.

Së fundmi, siguroj qytetarët dhe gjithë operatorët që përdorin Aeroportin e Rinasit që me masat emergjente të marra dhe të tjera që janë në proces, siguria në këtë Aeroport është plotësisht e garantuar.
Faleminderit!

About The Author

Related posts