Shtator 17, 2019

reklama kryesore bar
reklama kryesore bar

Kosova mes debateve për tarifat dhe kufijtë/ Gjermania kundër ndarjes së kufijëve

Kosova mes debateve për tarifat dhe kufijtë/ Gjermania kundër ndarjes së kufijëve

KMA NEWS / Kosova mes debateve për tarifat dhe kufijtë/ Gjermania kundër ndarjes së kufijëve

Zyrtarët e Bashkimit Evropian i kërkuan sërish Kosovës që t’i anulojë tarifat ndaj mallrave serbe në mënyrë që të hapet rruga për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj që kundërshton një gjë të tillë kritikoi shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini për siç tha ai, devijim të dialogut dhe shkaktim të traumave politike të brendshme, duke hapur çështjen e kufijve.

Idetë për prekjen e kufijve po kundërshtohen fuqishëm nga Gjermania, zyrtarë të së cilës ritheksuan të hënën një qëndrim të tillë në Prishtinë.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova i bëri thirrje të hënën qeverisë së Kosovës që t’i heqë tarifat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve dhe mundësisë për të arritur një marrëveshje.

Ajo i bëri këto thirrje gjatë një debati të organizuar nga instituti EPIK me rastin e tre vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zonja Apostolova tha se tarifat janë në kundërshtim me parimet e asaj marrëveshjeje sikundër edhe me marrëveshjen e CEFTA-s.

Natalya Apostolova
Natalya Apostolova

​“I bëjmë thirrje qeverisë, posaçërisht kryeministrit që të rishqyrtojë tarifat 100 për qind dhe të shihet pikëpamja e përgjithshme ku do të dëshironim të kemi përmbyllje të bisedimeve sa më shpejt”,- tha zonja Apostolova, duke nënvizuar se pozicioni i Bashkimit Evropian vazhdon të mbetet kundër këtyre tarifave, që sipas saj, janë edhe kundër frymës evropiane.

“Ashtu siç e kam theksuar disa herë, në zemrat tona ne e kuptojmë mesazhin e tarifave 100 për qind dhe e kuptojmë përse ka ardhur deri te kjo dhe pse është vendosur. Por është koha që të shihet pikëpamja e përgjithshme, pikëpamja më e gjerë, çfarë është e rëndësishme për momentin për Kosovën? Të përmbyllë bisedimet me Serbinë, të zgjidh të gjitha problemet ekonomike që mund të ekzistojnë ndërmjet dy vendeve”, – tha zonja Apostolova.

Ajo kritikoi Kosovën për punë të pamjaftueshme në përmbushjen e kritereve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe reformat e kërkuara.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, kritikoi shefen e politikës së jashtme Federica Mogherini për ngecjet e Kosovës në reforma pasi që sipas tij ka hapur tema të dëmshme për Kosovën.

“Ka devijuar dialogun me ndërrim të territoreve dhe na ka shkaktuar trauma politike të brendshme dhe në rajon, e fatkeqësisht një pjesë e energjisë time dhe të qeverisë është dashur të shkoj për të kundërshtuar një temë si kjo”,tha kryeministri Haradinaj.

Shefja për politikë të jashtme Federica Mogherini që lehtëson bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk kishte kundërshtuar prekjen e kufijve si mundësi e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve por kishte hedhur poshtë çdo marrëveshje që do të përfundonte me krijimin e shteteve etnikisht të pastra.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar disa herë se “njohja e ndërsjellë” duhet të jetë në thelb të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk do të japin recetë se si do të duket marrëveshja përfundimtare.,

Gjermania prin ndërkaq si kundërshtare e ideve për prekjen e kufijve, që sipas saj do të nxitë reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Këto porosi u ritheksuan të hënën gjatë një vizite në Prishtinë të deputetëve gjerman, Peter Bayer dhe Christian Schmidt.

“Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilin e mbështesim, por diskutuam edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton në çdo aspekt”,tha deputeti Peter bayer.

Ndërsa, deputeti Christian Schmidt tha se problemet nuk do të mund të zgjidhen përmes krijimit të problemeve të reja, siç është prekja e kufijve.

“Ai që mendon se do ta zgjidh problemin me këtë ide atëherë duhet të jetë shumë i vetëdijshëm që kjo ide do të krijonte shumë probleme të reja, që do ta preknin jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin në përgjithësi”,tha zoti Schmidt.

Aktualisht procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Disa vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tarifave në mënyrë që t’i hapet rrugë bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje, që shihet vështirë e arritshme për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të palëve./voa/

About The Author

Related posts